Bisedoi për “Shëndet+”: Elena Beta
Prej vitesh tashmë në skenën e teatrit, pjesë e shfaqjeve më të suksesshme dhe më të dashura për të gjithë ata adhurues të artit, Besmir Bitraku vjen si pjesë e rubrikës “Vip Shëndet”, për të folur më shumë mbi pasionin e tij të vetëm: aktrimin. Pjesë e kompeticionit “Dance with me”, Besi (siç e thërresin të gjithë) na mbërthen të gjithëve pas ekranit çdo të hënë me performancat dinjitoze, duke dëshmuar se me punë dhe përkushtim mund të arrish shumë.
I pyetur për marrëdhënien me të atin, djali i aktorit të mirënjohur Marko Bitraku, thotë thjesht: “Ai ishte shoku im më i mirë”. Teksa më tej, i prekur vazhdon: “Një fëmijë mund të thotë vetëm fjalë të mira për prindrin e vet”.
Më poshtë, në intervistën për gazetën “Shëndet+”, ai flet më shumë për veten, momentet e vështira dhe të bukura me të cilat përballet në skenë, si dhe shumë detaje të tjera interesante…
Besi, si do ta përkufizoje shëndetin?
Mendoj se trupi është një vegël që duhet mirëmbajtur. Për mua vlen shprehja “Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë”.
Sa kujdesesh për shëndetin tënd?
Kujdesem për ushqimin që konsumoj dhe, mbi të gjitha, jam shumë sportiv. Të them të vërtetën, tek doktori nuk shkoj shpesh.
Përveçse tepër i angazhuar në skenën e teatrit, së fundmi je pjesë e spektaklit “Dance with me”. Sa të del koha të mbash një regjim ushqimor të shëndetshëm?
Tani jam i detyruar të mbaj edhe më shumë regjim, pasi kërcimi kërkon një gjendje fizike shumë të mirë.
Gatimi konsiderohet si “art më vete”. Di të gatuash? Nëse po, cila është pjata e preferuar?
Di të gatuaj shumë pak. Le të themi se një pjatë makarona me një salcë të çuditshme pikante, e qaj.
Besi, ti rrjedh nga një familje aktorësh. Të studioje për aktrim ishte zgjedhje e jotja apo dëshirë e prindërve?
Të ishte dëshirë e prindërve, nuk do të isha aktor!
Ti je pjesë e skenës së teatrit prej shumë vitesh tashmë, si dhe pjesë e premierave më në zë. Cili është momenti më i vështirë që ke pasur në skenë? Po më i bukuri?
Moment i vështirë për mua ka qenë kur një koleg nuk është ndjerë mirë. Momenti më i bukur ka qenë kur jemi gjendur në një situatë të papritur dhe me improvizim ia kemi dalë shumë mirë t’i japim zgjidhje.
Vitet e fundit njerëzit po priren shumë drejt kirurgjisë estetike. Mendon se një aktor i pashëm ka më shumë mundësi apo fama varet nga karakteri?
Ka diferencë mes aktorit dhe njeriut të famshëm. Mund të jesh i famshëm dhe të mos jesh aktor. Të qenët i pashëm nuk është domosdoshmëri për një aktor, por kjo nuk nënkupton se jam kundër ndërhyrjeve estetike.
Shpesh, për shkak të roleve, ndodh të shohim aktorët të bëjnë ndryshime drastike në trup. Të ka ndodhur të bësh sakrifica të tilla? Nëse do ta propozonin, do ta pranoje?
Tani po bie shumë në peshë. “Dancing with me” po më ndihmon shumë të arrij formën time më të mirë fizike.
Sipas teje, çfarë vlera duhet të kesh që të quhesh aktor i mirë? Si e vlerëson të ardhmen e artistëve dhe artit të mirëfilltë në vendin tonë?
Mendoj se duhet të sakrifikosh. Tek ne ka shumë aktorë të mirë dhe regjisorë të zotë, ka nevojë për shumë më shumë mbështetje. E vetmja qeveri që mendon për popullin e vet, është ajo që investon në art.
Shpesh në jetën tonë ndjekim një rrugë, një zë, një mundësi. Ti çfarë ke ndjekur?
Unë frymëzohem përditë nga çdo shfaqje dhe film që shoh. Nuk kam një model. Babanë nuk e kam ndjekur, por tani e kuptoj që jam shumë nga ai.
Të gjithë e kemi parë shkathtësinë tënde në kërcim të hënave të “Dance with me” edhe juria jep për ty vlerësime pozitive. Mund të thuhet se kërcimi është një pasion yti apo performancat e mrekullueshme i dedikohen punës dhe përkushtimit të madh?
I vetmi pasion i madh imi është teatri. Në kërcim ekziston vetëm puna e madhe. Jam në një ambient shumë të mirë dhe po argëtohem shumë. Të gjithë kolegët janë shumë pozitivë, por dhe organizatorët. Gjej rastin të falënderoj Albi Nakon dhe trupën e baletit që po bëjnë një punë të madhe me ne.
Së fundmi, një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet+”
Njeriu është çfarë ha. Ushqehuni mirë, merruni me sport dhe #ejaneteater 🙂




