Pacientët që janë mbipeshë janë më të prirur për të bërë refluks sesa pacientët me një peshë me indeks normal. Stili i të jetuarit gjithashtu ka të bëjë shumë, si dhe dieta ushqimore
Bisedoi: Elona Tereziu
Ndjesi djegieje prapa dërrasës së kraharorit, rikthim lëngjesh në gojë, gromësira të shpeshta, kollë persistente, probleme me fytin dhe erë e rëndë në gojë. Bëhet fjalë për refluksin gastro-ezofageal, një nga sëmundjet më të shpeshta të ezofagut. Kjo patologji shkaktohet sipasojë e humbjes së tonusti të sfinkterit të poshtëm të ezofagut dhe mosmbylljes totale të tij. Klerida Shehu, mjeke gastroenterologe, flet për gazetën “Shëndet+” mbi këtë patologji ku shpjegon në mënyrë të detajuar format diagnostikuese dhe mënyrat e trajtimit. Ndërkohë, thekson se një rol mjaft të veçantë në luftimin e kësaj sëmundjeje, krahas medikamenteve ka dieta ushqimore dhe stili i jetesës.
Çfarë është refluksi gastro-ezofageal?
Refluksi gastro-ezofageal është sëmundja më e shpeshtë e ezofagut. Kjo patologji shfaqet si pasojë e humbjes së tonusit të sfinkterit të poshtëm të ezofagut dhe mosmbylljes totale të tij. Ky sfinkter ndodhet në vendbashkimin e ezofagut me stomakun. Sfinkteri normalisht hapet kur ne ushqehemi dhe mbyllet gjatë kohës që nuk gëlltitemi. Ndërsa tek pacientët që vuajnë nga refluksi gastro-ezofageal, ai mbetet i lëshuar dhe bën të mundur që përmbajtjet gastrike të rikthehen në ezofag.
Çfarë e shkakton këtë patologji?
Janë disa faktorë që ndikojnë në refluksin gastro-ezofageal. E para është një lëshimi i sfinkterit të poshtëm të ezofagut që përmenda pak më lart.
E dyta, që ndikon shumë në refluksin gastro-ezofageal, është prania e hernies hiatale.
Por, ka dhe faktorë të tjerë që e favorizojnë refluksin gasto-ezofageal, siç është obeziteti, mënyra e të ushqyerit etj.
Pacientët që janë mbipeshë, janë më të prirur për të bërë refluks sesa pacientët me një peshë me indeks normal. Stili i të jetuarit gjithashtu ka të bëjë shumë, dieta ushqimore, konsumi i tepërt i kafesë etj.
Me çfarë simptomash shoqërohet refluksi gastro-ezofageal?
Pacientët me refluks gastro-ezofageal shpeshherë paraqiten në klinikë me ankesa të tilla, si: djegie prapa dërrasës së kraharorit, rikthim i lëngjeve në gojë, gromësira të shpeshta.
Në situata më të rënda, këta pacientë ankohen për një kollë të qëndrueshme, më e shprehur në mëngjes. Gjithashtu, problemet me fytin dhe erën e rëndë të gojës.
Arsyeja e ankesave të mësipërme është dëmtimi i mukozës së ezofagut nga rikthimi i lëngjeve acide të stomakut.
A mund të vuajë një fëmijë nga refluksi gastro-ezofageal?
Refluksi gastro-ezofageal mund të jetë i shprehur tek të rriturit, por mund të jetë shumë evident dhe tek fëmijët e vegjël. Madje, mund të them se është shumë herë më i shprehur tek fëmjët e vegjël, por që me kalimin e kohës, kur sfinkteri i ezofagut e merr formën dhe tonifikimin e tij normal, tek një pjesë e fëmijëve ky problem zhduket, sikundër ndodh që tek një pjesë tjetër të vazhdojë përgjatë gjithë jetës. Kjo patologji është e pranishme si tek fëmijët, ashtu edhe tek të rrituirit.
Si diagnostikohet kjo sëmundje?
Diagnostikimi i refluksit gastro-ezofageal fillimisht nis me klinikën e pacientit, që është shumë tipike (djegie mbas dërrasës së kraharorit, ndjesinë e gromësirave, ndjesinë e thartirës në gojë etj).
Metoda diagnostike për refluksin gastroezofageal janë laringoskopia dhe gastroskopia.
Gastroskopia na jep mundësinë të diagnostikojmë refluksin, si dhe të vlerësojmë dëmtimin e mukozës së ezofagut.
Zakonisht kjo procedurë bëhet me qetësues dhe pacienti nuk e ndjen bezdisjen e kalimit të tubit në pjesën e sipërme të fytit dhe ezofagut.
E para që ne shohim, është sasia e sekrecioneve që ndodhen në ezofag, ku normalisht nuk duhet të ketë.
E dyta, shohim sfinkterin e ezofagut, nëse ai është i lëshuar apo mbyllet normalisht, pra, a ka një tonifikim të mirë. Gjithashtu, shohim dhe pasojat e refluksit-ezofageal, siç është prania e inflamacionit të ezofagut (ezofagiti).
Në situatat kur ekziston ezofagiti dhe ne shohim se ky dëmtim është i rëndë apo dyshojmë për transformim malinj, kemi mundësi të marrim biopsi. Kjo e fundit na jep mundësinë e një analize të hollësishme nga ana histologjike, për të parë se deri ku ka shkuar dëmtimi nga refluksi ezofageal.
Në rastet kur nuk konfirmohet refluksi nga gastroskopia, por dyshimi klinik vazhdon për këtë patologji, atëherë ka dhe metoda të tjetra diagnostike, si monitorimi 24 ore i pehashit të ezofagut, manometria e sfinkterit të ezofagut.
Si bëhet trajtimi i refluksit gastro-ezofageal?
Përsa i përket trajtimit të refluksit gastro-ezofagealal, ai është medikamentoz, ndërkohë që në raste më të rralla përdoret dhe ndërhyrja kirurgjikale.
Terapitë medikamentoze kanë si logjikë të përdorimit të tyre uljen e aciditetit në stomak, në mëyrë të atillë që, dhe pse ushqimi dhe lëngjet e stomakut mund të rikthehen në ezofag, nuk janë më agresiv për mukozën e stomakut.
Terapia e dytë që janë antiacidet, pra, atë aciditet që është prodhuar, neve mundohemi që ta neutralizojmë.
Një terapi e tretë janë dhe prokinetikët, disa lloj mendikamentesh të cilat bëjnë tonifikimin e sfinkterit të poshtëm të ezofagut, dhe rrisin peristaltikën e traktit gastrointestinal në mënyrë të tillë që të kemi sa më pak rikthim të lëngjeve në ezofag.
Por ajo çka është shumë e rëndësishme në trajtimin e refluksit ezofageal, është stili i jetesës dhe mënyra se si pacienti ushqehet.
Kur është e nevojshme të përdoret ndërhyrja kirurgjikale?
Neve gjithmonë tentojmë për një trajtim terapeutik fillimisht. Por, nëse ky trajtim nuk është efektiv dhe pacienti vazhdon të ketë klinikë të shprehur, ose ndodhim komplikacione si pneumoni si pasojë e rikthimit të aciditetit dhe lëngjeve në pjesën e pulmonit, atëherë këtyre pacientëve u rekomandohet ndërhyrje kirurgjikale. Por duhet të theksojmë se këto janë raste shumë të rralla.
A ekziston mundësia që refluksi të rikthehet pas trajtimit?
Patjetër, pasi ky është një defekt anatomik dhe terapia medikale lufton simptomat dhe pasojat, por jo shkakun e refluksit.
Ndalemi pak tek dieta ushqimore dhe stili i jetesës. Çfarë rekomandohet për këta pacientë?
Krahas recetës me medikamente, këtyre pacienteve neve u japim edhe një orientim jetik.
E para gjë që u rekomandohet, është të shmangin mbingopjen, dhe vaktet ushqimore t’i marrin jo 3 herë në ditë, por 5 herë për të shmangur mbingopjen, pra nga pak, por shpesh. Gjithashtu për të parandaluar rikthimin e ushqimeve në ezofag, u rekomandohet të hanë 3 deri në 4 orë para se të shtrihen për të fjetur.
Tjetër rekomandim është përdorimi i jastëkëve. Këta pacientë duhet të përdorin dy jastëkë kur flenë, një për të mbështetur kokën dhe qafën dhe një për pjesën e poshtme të shpatullave e cila duhet të jetë 30 gradë mbi pjesën e qafës dhe trupit.
Një ndër këshillat më të vlefshme për këta pacientë, është dhe rritja e aktivitetit fizik. Rritja e aktivitetit fizik do të mobilizonte tranzitin gastrointensinal dhe do të na lehtësonte dhe simptomat e refluksit.
Por refluksi gastro-ezofageal është i lidhur dhe me stresin. Individët të cilët përjetojnë situata stresuese, vuajnë shumë më shpesh nga refluksi sesa pacientët e tjerë dhe janë më pak të ndjeshëm ndaj terapisë. Këtyre pacientëve shpeshherë neve u rekomandojmë dhe seanca psikoterapie në mënyrë që të shmangin stresin.
Dieta ushqimore:
Këta pacientë duhet të konsumojnë sa më pak kafe, pasi kafeina është një ndër faktorët prirës të refluksit gastro-ezofageal.
Nuk duhet harruar edhe shmangia e çokollatave.
Duhanin dhe alkolin gjithashtu duhet t’i shmangin, pasi japin dëmtim të mukozës, qoftë të ezofagut, qoftë të stomakut, ndaj u rekomandohet ta rrallojnë sa më shumë ose, akoma më mirë, ta ndërpresin fare.
Duhet të shmangin gjërat e yndyrshme, pikantet, salcat dhe ushqimet me shumë erëza, të cilat nga ana e tyre vetëm do ta rëndonin më shumë situatën.


