Më mirë disa kilogram më tepër, se sa një dietë, e cila ndryshon të gjithë organizmin
Të humbasësh shumë kilogram “sa hap e mbyll sytë”! Kush nuk do të dëshironte peshën ideale, pa u sforcuar me regjim ushqimor, apo orë të tëra ushtrimesh fizike.
Për të marrë këtë rezultat, shumë u drejtohen dietave jashtëzakonisht të forta, pa marrë parasysh se ato kanë pasoja, të cilat do të lënë gjurmë gjatë.
“Gjëja e parë që fillojnë të ndjejnë këta të sëmurë është mungesa e energjisë, debulesa. Pastaj, efekte të tjera, që mund të vijnë më vonë, kanë të bëjnë me dëmtime, që mund të ndodhin te sistemi kardiovaskular. Dëmtime në zemër, të cilat japin shpesh aritmi, bradikardi, ulje të madhe të pulsit, dëmtime që më vonë shprehen në sistemin nervor, që mund të fillojnë me çrregullime të thjeshta të humorit, por më vonë mund të kthehen në depresivë ose shoqërohen me çrregullime të tjera psikologjike. Sistemi endokrin dëmtohet shumë, që do të thotë se këta të sëmurë kanë çrregullime hormonale, kanë pasoja të rënda në sistemin e gjakut. Rruazat e kuqe të gjakut nuk sintetizohen, krijohen siç duhet, për pasojë vuajmë me aneminë. Virtualisht, çdo qelizë e organizimit është e varur nga karburanti (ushqimi) që merr”, tha Dashamir Gjergi, mjek endokrinolog.
Mjekët gjinekologë kanë vënë re se personat, që mbajnë këto dieta, preken nga infeksione, që çojnë deri në çrregulime të sistemit riprodhues.
Ndërsa mjekët dermatologë japin alarmin për plakje të hershme të lëkurës. E kur kjo fillon të ndodhë, shumica e tyre drejtohen për ta zgjidhur problemin tek estetistja.
“Ajo që e ndien më shumë, apo që kalon traumë, është pjesa e fytyrës. Çfarë ndodh? Kalon në dehidratim lëkura, pra humbet tonifikimin, hidratimin, kolagjenin dhe mbi të gjitha elasticitetin e lëkurës. Më mirë disa kilogram më tepër, se sa një dietë, e cila ndryshon të gjithë organizmit, apo krijon vërtet dëme”, shprehet estetistja Ortiola Bregu.
80-90% e rasteve, që kërkojnë këshillim nga dietologia, për një dietë të balancuar, kanë tentuar më shumë se një herë të mbajnë dieta drastike, por rezultati nuk ka qenë i dëshiruari. Shpesh i kanë marrë kilogramët e humbura në pak kohë!
“Hartohet një regjim ushqimor i personalizuar, sipas nevojave të gjithsecilit. Kjo është shumë e rëndësishme për të pasur personalizim në sasinë e kalorive, por edhe shijet e pëlqyera dhe ekuilibrim”, deklaron dietologia Enkeleida Ferrollari.
Të ndryshosh peshën me “shkopin magjik” nuk është e mundur, por një stil jete i shëndetshëm do t’u kursejë shumë vuajtje.



