Politikat mjedisore gjatë periudhës 2015 -2020 do të fokusohen në menaxhimin qëndrueshëm të mjedisit nëpërmjet:
- Përmirësimit të cilësisë dhe reduktimin e ndotjes se ajrit dhe ndotjes akustike në zonat kryesore urbane dhe zonat turistike;
- Parandalimit dhe kontrollit të integruar të ndotjes dhe rreziqeve nga ndotja dhe aksidentet industriale, duke monitoruar dhe kontrolluar zbatimin e normave dhe standardeve të shkarkimeve në mjedis nga operatorët industrialë;
- Kryerjes së vlerësimeve të ndikimit në mjedis për projektet e zhvillimit, me qëllim që autoriteti i planifikimit ose autoriteti përgjegjës për licencimin, kur shqyrton dhënien ose jo të lejes së zhvillimit/licencës përkatëse për një projekt, apo vendosjen e kushteve për zhvilluesin, merr në konsideratë përfundimet e procesit të Vlerësimit të Ndikimeve Mjedisore për ndikimet në mjedis që do të ketë projekti i propozuar, si dhe përfshirjen e publikut dhe të gjithë aktorëve gjatë procedurës së Vlerësimit të ndikimit në mjedis.
- Kryerjes së Vlerësimeve Strategjike Mjedisore për planet apo programet, për vlerësimin e pasojave në mjedis të një plani ose programi të propozuar për zbatim, me qëllim që të sigurojë që këto pasoja mjedisore të adresohen plotësisht që në fazat e hershme të vendimmarrjes, përkrah konsideratave ekonomike dhe sociale.
- Menaxhimin e integruar të mbetjeve me fokus ne përmbushjen e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare, trajtimin e mbetjeve brenda këtyre standardeve dhe rritjen e ndërgjegjes sociale mbi efektet e dëmshme të mbetjeve në mjedis.
- Ngritjes se Sistemit Kombëtar të Menaxhimit të Kimikateve.
- Mbrojtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të biodiversitetit, shtimit të sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura, menaxhimin e integruar të tyre dhe ngritjen e rrjetit ekologjik “NATURA 2000”.
- Mirëmenaxhimin e burimeve ujore nëpërmjet vendosjes së një kuadri monitorimi dhe kontrolli, për të reduktuar ndotjen e ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore nga aktivitetet e veprimtarive industriale, bujqësore dhe aktiviteteve të popullsisë në zonat rurale dhe urbane, që shkaktojnë dëmtim të ekosistemeve ujore, si dhe te lumenjve nga shfrytëzimi pa kriter, mbrojtja e ujërave detare, menaxhimi i ujërave ndërkufitare, zvogëlimi i efekteve nga përmbytja dhe thatësira.
- Menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve të gjalla të ujërave detare dhe i ujërave të brendshme.
- Zhvillimin e qëndrueshëm dhe shumë funksional të burimeve pyjore dhe kullosore që sigurojnë shtimin e sipërfaqeve pyjore, rrisin prodhimtarinë dhe aftësinë ripërtëritëse të pyjeve, parandalojnë degradimin e mëtejshëm te tokës, mbrojnë biodiversitetin e sigurojnë potencial maksimal për te përmbushur funksionet ekologjike, ekonomike dhe sociale ne nivel lokal, kombëtar dhe global, pa cenuar ekosisteme të tjera./ https://shendeti.com.al/


