Valdete Malaj, gastrohepatologe në Poliklinikën e Specialiteteve numër 3, Tiranë
Si rregull një pacient duhet të dalë jashtë 1 herë në 24 orë. Nëse kalon mbi 24 orë pa dalë jashtë, atëherë quhet kapsllëk ose konstipacion.
Kapsllëku është më i shpeshta në moshën e tretë për arsye të sëmundjeve të ndryshme, uljes së aktivitetit fizik, mënyrës së të ushqyerit etj., si dhe është mjaft i shprehur te gratë shtatzëna.M
Megjithatë kapsllëku mund të haset edhe te fëmijët, edhe te të porsalindurit. Te fëmijët lidhet më tepër me mënyrën e ushqyerjes, duke ngrënë ushqime të thata, fast food-e. Krahas mënyrës së ushqyerjes, që është një ndër faktorët kryesore, janë dhe disa sëmundje që mund të çojnë në kapsllëk. Si sëmundja e tiroides, diabetit, sëmundjet që kanë të bëjnë me aparatin tretës, ulcerat e stomakut, smëundjet e mëlçisë dhe të pankreasit.
Është shumë i rëndësishëm mjekimi i sëmundjes bazë. Ka edhe preparate të ndryshme që shkaktojnë konstipacion. Një konstipacion në një kohë shumë të zgjatur krijon një gjendje diskomforti , domethënë një gjendje jo të rehatshme te pacienti. Feçet duke ndjenjur për një kohë të gjatë në zorrë, fillojnë komplikacionet. Mund të shkojë deri në bllokim të zorrës dhe nuk bëhet një thithje e substancave që duhen thithur.
Në momentin e jashtëqitjes krijohen dhe probleme të tjera, ngaqë feçja është shumë e trashë, e fortë, mund të krijojë, çarje, fisurë, në zonën përreth anusit.
Shpesh pacientët gjejnë shpëtim te metodat popullore, a ka një mjekim për konstipacionin?
Shumë e rëndësishme është gjetja e shkakut. Domethënë pacientit i merret një anamnezë e hollësishme për të parë nëse vuan nga ndonjë sëmundje, si dhe mënyrën e ushqyerjes, preparatet që përdor. Në rastet që përjashtojmë të gjitha këto, atëherë fillojmë me këshilla.
Këshillat për konstipacionin fillojnë me atë që quhet edukimi i zorrës.
E para; bëhet masazh për 10 minuta i barkut kur pacienti është shtrirë në mëngjes në krevat para se të zgjohet,
E dyta; pirja e dy gotave ujë të ambientit ose lëngje të ndryshme në stomak bosh. Rekomandohet lëng kumbulle.
E treta; shkuarja në banjë një herë paradite dhe një herë pasdite, duke ndenjur për njëfarë kohe ulur dhe bën sërish një masazh të barkut.
Ky quhet edukim i zorrës.
Mund të duket e parëndësishme, por në fakt nëse pacienti i bën me korrektesë këto, duke i shoqëruar edhe me dietë të pasur me fibra, fruta, perime, zarzavate, është shumë efikase.
Sa iu takon preparateve, do të ishte mirë që të përshkruheshin preparate që ndihmojnë në tretjen e ushqimit, pra, ndërhyjmë në mënyrën natyrale të jashtëqitjes. Ka dhe tableta që përdorin pacientët, por ato japin dhimbje barku, sepse thjesht bëjnë një tkurrje të zorrës, rrisin kontraksionet që pacienti të dalë jashtë. Kjo është mekanike dhe pacienti pastaj ka dhimbje.
Ideja është që të mjekohen sëmundjet bazë dhe të jepen preparate që ndihmojnë në tretjen.
Konstipacioni apo kapsllëku është ndër problematikat më të shpeshta, sidomos te mosha e tretë. Duke qenë se kanë sëmundje primare, përdorin preparate, por shumë preparate kanë si efekt anësor konstipacionin.
Ashpërsia e kapsllëkut ndryshon nga personi në person. Shumë njerëz përjetojnë kapsllëk për një kohë të shkurtër, ndërsa për të tjerë kapsllëku mund të jetë afatgjatë (kronik). Kapsllëku që vazhdon për një kohë të gjatë, shkakton dhimbje, parehati dhe ndikon në cilësinë e jetës.


