Kriza ekonomike dhe të rinjtë e arsimuar, në papërputhshmëri me tregun e punës

 

Denisa Canameti

“Ciao sono Sara la contatto dal ufficio centrale di …” është fjalia e parë që artikulojnë qindra të rinj brenda një salle call-centeri. Termi i huazuar nga anglishtja që nënkupton qendër-telefonuese apo qendër-shitjeje, përbën trendin e viteve të fundit në vendin tonë. Lloji i produkteve dhe shërbimeve është i lloj-llojshëm. Ndërkohë, gjithçka kryhet përmes telefonit që nga përshkrimi i ofertës, bindja e klientit, mbledhja e të dhënave personale e deri tek koordinatat bankare si garanci për kryerjen e pagesës. Mosha mesatare e punonjësve është 25-30 vjeç. Ndërkohë, numri i të punësuarve në call center në Shqipëri është mbi 25 mijë.

Nevoja për punë, mospërshtatja me tregun e punës pas diplomimit, paga joshëse, oraret fleksibël janë arsyet që i shtyjnë të rinjtë që të trokasin në dyert e kompanive call center, duke i lulëzuar këta të fundit e duke i motivuar për shtimin e fuqisë punëtore.

Sipas një botimi të Friedrich-Ebert-Stiftung në 2015-n, kriza ekonomike dhe shtimi i të rinjve të arsimuar kryesisht në shkencave sociale, ka rezultuar në papërputhshmëri më të lartë mes aftësive në ofertë dhe kërkesave të tregut të punës. Shumë të  diplomuar universitarë kanë pranuar poste pune që kërkojnë vetëm arsim të mesëm.

Ky fenomen mund të vërehet në fuqinë punëtore të sektorit Call Centers dhe në sektorin e shërbimeve (Hoteleri dhe Ushqim) ku të diplomuarit me universitet marrin përvojën e parë të tyre të punës si operatorë telefonikë ose si kamerierë.

Studimi vazhdon duke cituar të dhënat e INSTAT të cilat tregojnë 139.034 studentë që ndjekin arsimin e lartë në vitin akademik 2012/2013, 80% e të cilëve të regjistruar në universitetet publike. Megjithatë, këta studentë do të duhet të përballen me situatën e tregut të punës kur të mbarojnë studimet e larta. Aktualisht sektorët kryesorë që janë duke ofruar vende pune janë ata që prodhojnë produkte me një vlerë të shtuar të ulët dhe me produktivitet të ulët.

Rrjedhimisht, nuk pritet të ketë paga të larta të cilat do të justifikojnë vitet e kaluara në përvetësimin e njohurive specifike. Statistikat tregojnë se kompanitë që kanë ofruar vende pune në vitet e fundit janë fasonë dhe call center, të cilat kanë si përparësi kryesore shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, krahasuar me vendet e BE-së.

Pse kompanitë e call centerave vazhdojnë që të zgjedhin Shqipërinë?

Sipas studimit që ka publikuar EuroStat, për Shqipërinë një orë pune ka koston mesatare 2.2 euro. Ndërkohë në vendet e BE-së çmimi mesatar për një orë pune përllogaritet në 24 euro, në shtetet e rajonit ballkanik mesatarja e këtij treguesi shkon në 4.4 euro.

Ky indikator shfrytëzohet në favor të nxitjes së investimeve të huaja, investime për të cilat Shqipëria dhe rajoni kanë nevojë të përhershme. Edhe pse thuhet se vitet e fundit niveli i investimeve të huaja dhe interesi i investitorëve të huaj për të sjellë kapitalet e tyre në Shqipëri kanë rënë ndjeshëm, kompanitë e call centerave vazhdojnë që të zgjedhin Shqipërinë.

Ndërkohë të rinjtë vazhdojnë që të dynden në kërkim të një pune si operator. Paga e lartë dhe kërkesa e ulët e llogarisë, bën që ky pozicion pune të vazhdojë të jetë i lakmueshëm, veçanërisht për studentët dhe të sapodiplomuarit.

Shoqata “Together for Life”, e mbështetur nga Olof Palme Center ka filluar zbatimin e projektit “Përmirësimi i cilësisë së jetës në punë: monitorim i zbatimit të të drejtave të punës në Call Center”, i cili synon të japë një pasqyrë të qartë të punës së të rinjve në Call Center dhe kushteve në të cilat ata punojnë, si një nga sipërmarrjet më të mëdha në vend, ku shumica e të punësuarve janë të rinj që vazhdojnë ose kanë mbaruar arsimin e lartë./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja