Alarmi nga ndotja/ OBSH: Në Shqipëri vdesin 166 persona për çdo 100 mijë banorë

Blertina Koka

Shqipëria është vendi i katërt në Evropë me vdekshmërinë më të lartë si pasojë e ndotjes së ajrit, duke lënë pas vetëm Bosnje Hercegovinën, Bullgarinë dhe Gjeorgjinë. Të dhënat e fundit të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se ajri i ndotur ka vrarë 6.5 milionë njerëz në të gjithë botën në vitin 2012. Shkalla e vdekshmërisë në Shqipëri si pasojë e ndotjes së ajrit është shumë më e lartë se çdo shtet tjetër në Evropë dhe pjesën e tjetër të botës.

Emetimet toksike janë përgjegjëse për një mesatare prej 166 vdekje për 100 mijë banorë në Shqipëri, krahasuar me vetëm 0.4 në Suedi. Bosnja Hercegovina mban vendin e parë me 230.6 vdekje për 100 mijë banorë, më pas Bullgaria me 217.3 dhe Gjeorgjia me 204.9.

Ndërsa uji i ndotur, kanalizimet dhe higjiena e dobët kanë qenë përgjegjëse për rreth 871 mijë vdekje.

Sa për krahasim, shkalla e vdekshmërisë në Suedi si pasojë e ndotjes së ajrit  ka qenë në vitin 2012 vetëm 0.4 për 100 mijë banorë, ndjekur nga Finlanda (6) dhe Islanda (6.4).

Disa ndotës, në veçanti ndotja nga lëndët e ngurta pezull në atmosferë (PM), janë përgjegjës për rritjen e vdekshmërisë dhe prekshmërisë, në mënyrë parësore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore.

Shqipëria ka një vlerë mesatare prej 17.1 μg/m3 të grimcave të ngurta PM 2.5, që vjen kryesisht nga shkarkimet e automjeteve, infrastruktura e rrugëve në ndërtim.

Të gjithë ndotësit e ajrit kanë gjithashtu potencialin të shkaktojnë sëmundje të ndryshme, duke filluar nga sëmundjet respiratore, probleme me frymëmarrjen, kollë, astmë; irritim të syve, hundës, fytit; sëmundje kardiovaskulare e deri tek sëmundjet vdekjeprurëse siç është kanceri.

Burimi: Who.int / Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Kripa në ushqim: 4 truke për ta reduktuar atë pa humbur shijen
I nxehti ekstrem, kush janë kategoritë më të rrezikuara
Studimi: Si po përhapen në TikTok informacione të rreme rreth kremrave të diellit
Cila është koha më e mirë për të marrë vitaminën D? Ekspertët japin përgjigje
Mes protestave: Akila, gazetarja me inteligjencë artificiale, do të flasë me një milion shqiptarë
Kujdes! Mos i kombinoni këto pije me ilaçet e tensionit
Tre perime që ndihmojnë lëkurën të shkëlqejë dhe të duket më e shëndetshme gjatë verës
9 ushqime të shëndetshme që shuajnë urinë