Prediabeti, çfarë duhet të bëjë pacienti? Flet endokrinologia Bariola Duro

Diagnostikimi me prediabet nuk do të thotë se pacienti do të zhvillojë patjetër diabet të tipit 2. Përkundrazi, kjo fazë mund të jetë një mundësi e rëndësishme për të ndërhyrë në kohë dhe për të parandaluar përparimin e sëmundjes.

Mjekja endokrinologe Bariola Duro, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, ka shpjeguar se çfarë duhet të bëjë një pacient pasi diagnostikohet me prediabet.

Sipas saj, hapi i parë është konsultimi me mjekun endokrinolog, pasi gjendja duhet vlerësuar në tërësi dhe jo vetëm përmes nivelit të sheqerit në gjak.

“Duhet bërë një vlerësim i pacientit jo vetëm në pjesën e sheqerit të lartë, por duhet bërë një vlerësim i peshës, i lipidogramës, pra nivelit të yndyrave në gjak. Duhet parë pak më gjerë”, u shpreh Duro.

Në vlerësimin e pacientit, sipas mjekes, rëndësi kanë edhe sëmundjet shoqëruese, si tensioni i lartë i gjakut apo sëmundjet kardiovaskulare, si dhe historia familjare e diabetit. Këta janë disa nga faktorët që mund të ndikojnë në rrezikun e përparimit nga prediabeti drejt diabetit të tipit 2.

Ndryshimi i stilit të jetesës, kyç në parandalim

“Është një dritare shumë e rëndësishme, kur ne mund të ndërhyjmë me modifikimin e stilit të jetesës që prediabeti ta kthejë pacientin në normë dhe të mos avancojë drejt diabetit të tipit të dytë”, theksoi mjekja.

Një nga elementet më të rëndësishme është rënia në peshë, e cila arrihet përmes një stili jetese më të shëndetshëm, ushqyerjes së balancuar dhe rritjes së aktivitetit fizik.

Sipas Duro, edhe një humbje prej 5–10% të peshës trupore mund të ketë ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e vlerave të sheqerit në gjak dhe, në disa raste, të ndihmojë në rikthimin e tyre në normë.

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
4 shenja që tregojnë se keni mungesë magnezi
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?