Nëse nuk keni blerë vetë, me shumë mundësi keni parë të tjerë që të afrohen në stendat e rrugës që ofrojnë syze optike. Çmimi i lirë favorizon shitësit ambulantë që të pretendojnë të sfidojnë specialistët okulistë. Moshat e treta kryesisht, duke u justifikuar edhe me të ardhurat e ulëta, preferojnë të marrin një syze optike 200 lekë, (të paktën) sa për të lexuar gazetat e mëngjesit.
Megjithatë, nuk janë vetëm moshat e treta, por edhe të rinjtë bien pre e mashtrimeve se “një punë bëjnë”.
Specialistët e kanë ngritur disa herë këtë problem duke u shprehur qartë se për të marrë një syze optike duhet minimalisht një vizitë me mjekun okulist dhe për t’i blerë duhet të shkojnë në dyqanet optike.
Kultura e ulët shëndetësore bën që shumë herë njerëzit të përtojnë e të kursejnë kur vjen puna të shëndeti. Nuk janë vetëm syzet optike, gjithashtu rrugëve shiten (dhe ecën mirë) aparate dëgjimi apo korse për të mbledhur barkun etj, etj.
Lidhur me këtë temë, Alda Zani, mjeke okuliste pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shprehet se syzet jo profesionale sjellin një sërë shqetësimesh te pacientët.
Doktoreshë, kur rekomandohet vendosja e syzeve optike?
Vendosja e syzeve optike rekomandohet gjithmonë kur pacienti nuk ka shikim të plotë 100% për afër apo për larg. Problemet e shikimit të cilat korigjohen me syze quhen ndryshe probleme të refraksionit.
Problemet e refraksionit janë:
Miopia, pamje e paqartë në distancë dhe më e pastër në afërsi. Korrigjohet me lente negative.
Hipermetropia është një problem shumë i shpeshtë tek fëmijët sepse gjatësia e bulbit nuk ka arritur maturimin e tij. Syri hipertmetrop teorikisht nuk duhet të shohë qartë si nga larg ashtu dhe nga afër por për shkak të akomodimit të sforcuar arrin një pamje të mirë. Korrigjohet me lente pozitive.
Presbiopia; Pacienti nuk arrin të fokusojë objektet në distancë të afërt. Karakterizohet nga nje ulje fiziologjike e mundësisë së akomodimit për shkak të plakjes së kristalinit të syrit që fillon rreth moshës 40 vjeç dhe zgjat deri në moshën 60 vjeç.
Astigmatismi, problem i refraksionit i shkaktuar nga një korne me një harkim jonormal. Mund të jetë fisiologjik 0.5 / 0.75 dioptri . Në pjesën më të madhe të rasteve është i lindur ose mund të shkaktohet nga trauma, ndërhyrje kirurgjikale ose sëmundje si keratokonusi.
Pse është e nevojshme konsulta me mjekun specialist?
Syzet optike duhet patjetër të vendosen pas një vizite të kryer nga një mjek specialist, në rastin tonë nga një oftalmolog. Çdo pacient në varësi të problematikës ka një protokoll të veçantë ndjekjeje, pra nuk është vetëm vënia e syzeve zgjidhja. Jo më pak rëndësi ka ndjekja e problemit dhe rikontrollet në kohën e duhur. Këtu doja të veçoja problemet e fëmijëve të cilat janë më komplekse dhe nëse nuk trajtohen si duhen atëherë mund të cojnë në humbje permanente të shikimit, mund të shkaktojnë syrin dembel ose strabizëm.
Çfarë shqetësimesh mund të sjellin syzet që shiten në rruge? A mund të çojnë ato në humbje të plotë të shikimit?
Shqetësimet, që mund të sjellin janë disa: të përziera, vertigo,dhimbje koke, pamje e turbullt , sy të lodhur.
Për fatin e mirë të pacientëve që përdorin syze pa përshkrimin e mjekut, mbajtja e një syzeje me numrin jo të duhur nuk çon në humbje të përhershme të shikimit por krijon probleme të rëndësishme që dëmtojnë shëndetin e syve./ Shendeti.com.al
