Prindërit, pro dhe kundër menusë së re në kopshte! Bombaj: Shqetësohuni për cilësinë, jo për t’u mbushur barkun fëmijëve

 

Menuja e re në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës është shoqëruar me reagime nga prindërit, ku një pjesë e tyre i kanë mirëpritur ndryshimet në menu, ndërkohë që ka pasur edhe të tjerë që e kanë kundërshtuar.

Ndryshimi i menusë së ushqimit në tre vaktet e ditës është ideuar nga dietologia e Blerina Bombaj, në kuadër të “luftës” kundër sëmundjeve kardiovaskulare dhe kundër obezitetit.

Dietologia i është përgjigjur ankesave të disa prindërve me anë të një postimi në faqen e saj në Facebook, ku sqaron që menuja është hartuar sipas udhëzimeve ndërkombëtare të OBSH-së, EFSA dhe ADA, për sasinë, përbërjen dhe cilësinë.

Qëllimi I kësaj menuje, sipas dietologes, është që fëmijët të ushqehen shëndetshëm dhe jo vetëm të mbushin barkun.

Lexoni postimin e plotë të dietologes:

Kur rri shumë gjatë në errësirë, dielli të vret sytë!  Një sqarim për të gjithë të pa/keqinformuarit 😉

Dietologu, në formimin e tij është një shkallë më lartë se nutricionisti, pasi është i aftë të marrë përsipër ushqimin e njeriut në të gjithë ciklin e jetës, si dhe në patologji, ndërsa nutricionisti është këshillues i thjeshtë i ushqimit. Dietologu nuk bën vetëm dieta dobësimi, por rekomandon ushqimin e përshtatshëm për çdo moshë, fazë dhe situatë shëndetësore.
Menyja e fëmijëve është hartuar duke përmbushur të gjitha udhëzimet ndërkombëtare të EFSA, WHO dhe ADA për sasinë, përbërjen dhe cilësinë.
Menyja është studiuar dhe miratuar nga mjekë pediatër.
Në meny ka 3 herë në javë mish, edhe pse rekomandimet janë për vetëm 1 herë në javë mish të kuq. Ditët e tjera, mishi zëvendësohet nga thjerrëzat dhe fasulet, si në aspektin proteinik ashtu edhe të hekurit.
Menyja është kombinimi më i mirë që fëmijët të marrin gjithë vlerat makro dhe mikroushqyese nëpërmjet ushqimeve cilësore dhe jo ato 5-lekëshe.
Nuk mjafton që fëmija të mbushë barkun në kopsht, ka ardhur koha që të shqetësoheni për çfarë ha fëmija juaj.
Në meny janë vendosur të gjitha ushqimet që çdo shqiptar konsumon ose duhet të konsumojë në shtëpi.
Tërshëra është i vetmi ushqim i ri, dhe është vendosur si një nga ushqimet më të çmuara për njeriun në dekadën e fundit. Ka ardhur koha të informohen disa se tërshëra nuk është ushqim vetëm për kafshët.
Dhe e fundit, përse nuk u ngritët kur fëmija juaj hante miell orizi 365 ditë të vitit, i cili është hequr prej disa vitesh në botë për shkak të arsenikut? Përse nuk u ankuat për çokokremin që përmban yndyra dhe sheqerna që lidhen me sëmundshmëri? Përse nuk u ankuat për tonelatat e sheqerit dhe miellit të bardhë? Përse nuk u ankuat për sasinë e gjalpit që asnjeri nuk e dallon dot nëse është margarinë me vaj palme?
Dhe e fundit fare, këtë punë, e cila më mori plot 4 javë përkushtim, studim, hulumtim dhe llogaritje, e kam bërë VULLNETARISHT, pa asnjë përfitim, përveçse për të mirën e fëmijëve që në atë moshë vendosin të ardhmen e shëndetit.
Ju faleminderit!

Postime të ngjashme

3 rregulla të thjeshta për të humbur peshë shpejt
Shqipëria, drejt “superplakjes” raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje
8 mënyra të thjeshta për të shmangur sëmundjet
Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë