Të drejtat e pacientëve në sistemin shëndetësor: Çdo shërbim merret i gjysmuar

Elona Tereziu

Siguria e medikamenteve, mungesa e pajisjeve mjekësore, sorollatjet dhe burokracitë në sistemin shëndetësor ishin disa nga shqetësimet kryesore që ngritën sot pacientët me sëmundje kronike, në vazhdën e sesioneve informuese që shoqata “Together For Life” po zhvillon për fuqizimin, mbrojtjen dhe të drejtat ligjore të pacientëve në sistemin shëndetësor.

“Nëse drejtohesh në sistemin shëndetësor publik për një x shërbim, do e marrësh gjithmonë gjysmak. Ose mungon shërbimi (pajisjet) ose mungon personeli. Analizat nuk bëhen asnjëherë të gjitha dhe detyrohesh të shkosh në privat. Aktualisht në Elbasan ka vetëm një skaner funksional dhe takimi duhet të lihet një muaj para. Në rastin më të mirë, do të duhet të paguash që të hysh pa radhë ose të presësh 1 deri në 2 muaj, tjetra të shkosh tek privati’’, kështu shprehet Kujtimi, të cilin “fati” e ka përplasur jo pak herë nëpër dyert e institucioneve shëndetësore.

Ndërkohë që Xhevahire Muça, e cila vuan nga zemra prej vitesh, përtej kalvarit të gjithë sorollatjeve, kërkon siguri për efektshmërinë e medikamenteve që përdor.

“Unë kam tri vite që marr ilaçe për zemrën e nuk kam parë asnjë përmirësim. Janë të gjitha të skaduara?! Madje mjekët të tregojnë dhe rrugën se tek cila farmaci t’i marrësh, se janë të lidhur me njëri-tjetrin. Shkoj në shtet për të bërë në analizë e nuk e bëj dot, detyrohem e shkoj në privat. Po ajo analizë bën 30 mijë lekë të vjetra, llogarit këtu dhe ilaçet, çfarë më ngelet mua nga pensioni?!

Ndërsa Eraldo tregon eksperiencën e babait të tij.

“Babai bëri check up-in në shtet dhe rezultatet dolën shumë keq. Kur i përsëritëm analizat në privat, gjendja e babait doli normale, e njëjta situatë dhe më nënën. As nuk i jepnim shpjegim, por as nuk dinim ku të ankoheshim”.

Duke e përshëndetur këtë takim, vetë pacientët pranuan se ishin të painformuar mbi të drejtat e tyre dhe se nuk kanë ditur se ku t’i adresojnë këto çështje, ndërkohë që nga ana e saj, TFL premtoi mbështetje ligjore për çdo rast i cili pretendon se u janë mohuar/ shkelur dhe cenuar të drejtat që ligji garanton.

Ky sesion informues u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i pacientëve: Luftë kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor përmes fuqizimit të pacientëve dhe institucioneve të pavarura“, pjesë e projektit “Transparenca në sistemin shëndetësor”, financuar nga USAID/Albania.

 

 

Postime të ngjashme

Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Rreth 16 milionë kg mish derri nga Brazili, BE e ndaloi, Shqipëria vazhdon të importojë me shumicë
Anulohet tenderi prej 50 milionë eurosh për hemodializën