Zerina Sheme, pediatre
Reaksionet anësore ndaj ushqimeve konsistojnë në një çrregullim organizmi që ndahen në dy grupe:
1-Intoleranca (mostolerimi) ndaj disa ushqimeve
2-Alergjitë ushqimore
6% e fëmijëve në botë përjetojnë alergji ushqimore në 3 vitet e para të jetës. Kryesisht ushqime të tilla janë veza, qumështi i bagëtive, prodhimet e detit (peshk, midhje ,karkaleca), frutat e thata.
Intoleranca ndaj ushqimeve shkaktohet nga deficite enzimatike të lindura. Vlen të theksohet fakti se sot në botë vuajnë nga ky çrregullim 15% e popullatës. Por pjesa më e madhe e tyre as nuk e dinë që vuajnë nga këto deficite enzimatike.
Sot njihen në botë me qindra deficite të tilla që shfaqen me shenja si më poshtë:
1-probleme me tretjen, fryrjen e stomakut, shtrëngime në bark, rreth 1 orë pas marrjes se ushqimit, diarre që pasohet me kapsllëk të zgjatur.
2-dhimbje e gjysmës së kokës (migrena), marrje mendsh
3-dhimbje kyçesh, çrregullime të tiroides
4-probleme me lëkurën: lëkurë e thatë, atopike, ekzema, psoriasis ose lëkurë edematoze.
5-mpirje të gjymtyrëve, ndjesi shpimesh në lëkurë, lodhje muskulare, nervozizëm.
Çdo njeri mund ta pyesë veten: a vuaj unë nga intoleranca ushqimore? Mënyra më e mirë është që të kontrolloni veten pasi konsumoni ushqime të ndryshme.
P.sh. intoleranca ndaj glutenit lidhet me disa drithëra që përmbajnë gluten, si: thekra, orizi, elbi. Nëse keni shenjat që cilësuam më lart në mënyrë kronike, ia vlen të këshilloheni me një mjek për të përcaktuar një dietë më të balancuar. Përndryshe organizmi juaj nuk do të përpunojë mirë ushqimet që ju konsumoni dhe kjo sjell pasojë dëmtime organike të mëlçisë ,stomakut, zorrëve, sistemit nervor etj.
Alergjitë nga proteinat ushqimore: mund të shkaktojnë të vjella 1 orë pas ushqyerjes, sidomos tek fëmijët e vegjël 0-3 vjeç, diarre e zgjatur ose shtim të pakët në peshë.
Urtikaria është shenjë e zakonshme në 1\3 e rasteve. Edhe bllokimi i hundëve, teshtima, rrjedhje e hundës mund të lidhen me një alergji ushqimore në 25% të rasteve. Vlen të theksohet për ata fëmijë që vuajne nga adenoidet (mish i huaj në hunde) të konsultohen tek mjeku për të bërë ekzaminimet përkatëse për një alergji ushqimore të mundshme. Nëse nuk shmanget shkaktari që e provokon këtë sëmundje, fëmija mund të përfundojë në astmë bronkiale ose gjendje lipotimie, marrje mendsh herë pas here.
Fillimisht në persona të tillë rekomandohet dieta eliminuese për ushqimet e dyshuara. Pas 1-2 muajsh bëhet rivlerësimi i situatës. Mjekimi më i mirë është shmangia e ushqimeve alergjike. Kur nuk është e mundur, trajtimi mjekësor bëhet me ilaçe që qetësojnë shenjat përkohësisht.


