Enkel Demi: Shëndetësia falas? Fëmijët nuk paguajnë!

Njeriu lufton gjithë jetën për të vënë pasuri. Harron veten, shëndetin dhe përpiqet ethshëm. Pasi vë katandi, jep pasurinë e vet për pak shëndet dhe jetën që po i fiket

Bisedoi: Denisa Canameti

Quiz foto 3“Jam mirë me shëndet, por nëse më mban ende në telefon, nuk i dihet, pasi po ngas makinën”. Kjo është përgjigjja gazmore e Enkel Demit në momentin që i thua se po i telefonon nga gazeta “Shëndet+”. Pas shumë vitesh në media, ai vazhdon të thumbojë sa herë përgjigjet, sepse, siç thotë edhe vetë, një prezantues që ka vetëm paraqitje dhe s’ka batutë, i bën njerëzit ta ndërrojnë kanalin e televizorit. Tek e pyet për shëndetin, nuk ngurron të thotë se në shtëpinë e tij shëndetësia është falas: fëmijët nuk paguajnë. Për më gjatë lexoni intervistën e mëposhtme.

A jeni dakord me shprehjen “shëndeti mbi të gjitha”?

Jam krejtësisht me këtë thënie. Njeriu lufton gjithë jetën për të vënë pasuri. Harron veten, shëndetin dhe përpiqet ethshëm. Pasi vë katandi, jep pasurinë e vet për pak shëndet dhe jetën që po i fiket. Nëse ka gjë pa kthim, është dëmtimi i shëndetit. Gjithsesi në radhë të parë është shëndeti i fëmijëve, pastaj imi.

Çfarë do të thotë, sipas jush, të jesh doktor i vetes?

Të jetosh shëndetshëm. Vaj ulliri, zarzavate, pemë, mishra të bardha, më pak mish të kuq, jo vese. Formula dihet, por këto gjërat e ndaluara sa shumë shijojnë.

Keli te Milioneri 6A keni sakrifikuar ndonjëherë për të qenë në formë?

Pa dyshim. Para do vjetësh kur shkoja në palestër që në mëngjes, më qëllonte të stërvitesha me një zotëri që pëlqente të kthente ndonjë gotë, por në të njëjtën kohë ishte kulturist. Ai më thoshte një herë: “Po pse, mër Kel, thonë që palestra të heq stresin, të shplodh? Ku ka lodhje më të madhe se palestra?! Po na del bretku!” Natyrisht që qeshnim.

Sa i respekton vaktet?

Ha tre herë në ditë. Mëngjes sa hap sytë. Është vakti që ha më me shumë uri dhe, po më lanë, ha shumë. Drekën dhe në darkë mundohem të ha sa më lehtë. Pi kafe, përdor ndonjë frut, por këtë historinë e pesë vakteve nuk e bëj dot.

Në cilin vakt mblidhet familja Demi?

Zakonisht në drekë, por edhe në mbrëmje. Vetëm se këtë vakt mundohem ta shmang, se po u lëshova, pendohem dhe fle keq. Luftë e madhe është të përmbahesh.

Çfarë diskutoni gjatë kësaj kohe? Apo respektoni parimin “kur hahet, nuk flitet”?

Jo, jo. Flasim. Punët e ditës, punët e fëmijëve dhe normal ndonjë gjë politike apo të punës. Biseda që, ma merr mendja, i bëjnë të tërë rreth tryezës.

Keli me Basstub 2Sa shpesh i çoni fëmijët te mjeku?

Shpesh. Bëhen analiza. Shkojnë te dentisti. Gjithsesi departamentin e shëndetësisë në shtëpinë time e drejton Sila. Ajo ka njohuri mjekësore të mëdha dhe lexon shumë për këtë. Unë jam pak më indiferent. Gjithsesi në shtëpinë time shëndetësia është falas: fëmijët nuk paguajnë.

Në dyert e cilit mjek trokisni më shpesh?

Të babit të Silës. Ai është mjek i vjetër. Ai ndjek fëmijët e mi, por edhe ne fillimisht shkojmë tek ai, pastaj vazhdojmë pas fillit të duhur të vizitave.

Nëse vajza juaj vendos të braktisë shkollën për t’u bërë modele, si do ndiheshit?

Kjo nuk do të ndodhë. Vajza nuk e braktis shkollën dhe nuk ka aspirata të ngjashme. Por, dhe po i shkoi në mendje, baba dhe mama dinë si t’ia ndërrojnë mendjen.

Ju dhe Mesila jeni persona publikë dhe me shumë angazhime, kush gatuan në shtëpinë tuaj?

Gjatë javës gatuan mama ime. Të shtunën dhe të dielën apo ditët e pushimit gatuajmë ne të dy. Kemi njëfarë njohurie jo të vogël në këtë fushë. Dalim rrallë në restorante. Hamë në shtëpi pothuaj përherë dhe miqtë i presim në shumicën e rasteve në shtëpi.

Ushqimi i preferuar dhe ai më pak i preferuari?

Kam shumë. Më pëlqejnë shumë makaronat, por mundohem t’i shmang. Nuk di të kem ndonjë ushqim që nuk e pëlqej. Nuk më pëlqejnë gjellët e bëra me mish me dhjamë dhe nuk më pëlqejnë aromat e pastërmasë së qingjit.

Keni nostalgji për ndonjë gatim të mamasë suaj?

Më pëlqen shumë pjekja që i bën gjelit të detit dhe shoqërimi i tij me një përshesh çam. Por më pëlqen edhe një tavë që bëhet me mish e hudhër ose plënc dhe hudhër që çamët e quajnë paça dhe mamaja ime e qan. Vetëm se për kalori, janë ding.

Për një prezantues televiziv ka më tepër rëndësi estetika e jashtme (dukja) apo “estetika e brendshme” (zgjuarsia)?

Si pyetje fejese qenka kjo… Ka shumë rëndësi si dukesh në televizor, sepse kilet e tepërta e bëjnë kostumin ose veshjen jo të rehatshme dhe elegante. Ka rrudha te këmisha, xhaketa rri ngjitur. Por edhe sikur të dukesh shik, po nuk the ndonjë gjë me mend apo ndonjë batutë me kripë, ta ndërruan kanalin dhe merr fund. Ndaj ka rëndësi një kombinim mes të dyjave.

Zakonisht, a hani pas kuintave?

Jo, nuk ha kurrë. Madje, nëse ka transmetime të gjata ha pak ose aspak. Nuk mundem. Vetëm pi ujë.

(Intervista e plotë u botua në numrin e 1 gushtit 2014 të gazetës “Shëndet+”)

 

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!