Aknea ndodh më së shpeshti gjatë adoleshencës dhe afërsisht preken 80-90% e të rinjve. Për shumicën e njerëzve, aknet zvogëlohen me kalimin e kohës dhe tentojnë të zhduken
Denisa Cenanmeti
Aknet janë një ndër sëmundjet e lëkurës që shpeshherë bëhen problem për estetikën e fytyrës së femrave. Puçrrat në fytyrë janë karakteristikë e moshës së pubertetit, si dhe kanë prirjen të shfaqen ditët e para të ciklit, si dhe në fillim të menopauzës te gratë. Efektet kryesore të saj janë psikologjike.
Mjekja dermatologe Blerta Gjoni, e pyetur nga gazeta “Shëndet+”, thotë se zhvillimi i akneve kalon nëpër disa etapa, ku kemi shfaqjen e pikave të zeza, të cilat pengojnë daljen jashtë të sekrecioneve duke shkaktuar aknet.
Në fazën e dytë kemi krijimin e një inflamacioni lokal dhe në fazën e tretë shfaqen nodule të cilat janë më të vështira se puçrrat, më problematike duke lënë edhe shenja të pariparueshme në fytyrë.
Aknet e para fillojnë të shfaqen gjatë moshës 13-14 vjeçe. Në këtë periudhë duhet bërë një vizitë te mjeku dermatolog për të kuptuar nëse këto puçrra janë të moshës apo kemi të bëjmë me probleme të lëkurës.
Dermatologët vënë theksin tek higjiena, veçanërisht tek duart e papastra, si dhe ndërhyrja e vetë individëve për t’i shtypur. Këto të fundit shkaktojnë probleme të mëdha. Aknea e rëndë është inflamatore, por aknet mund të manifestohen edhe në forma joinflamatore. Sipas dermatologes Gjoni, në çdo stad personat duhet të konsultohen me specialistin për të marrë mjekimin më të përshtatshëm për ta.
Çfarë është akne vulgare?
Akne vulgaris (ose thjesht puçrra fytyre) është një sëmundje e zakonshme e lëkurës, e karakterizuar nga lëkurë me luspa të kuqe, puçrra me kokë të zezë ose të bardhë, papula kokëgjilpërë, papula të mëdha dhe nganjëherë lënë edhe shenja. Përveç shenjave, efektet kryesore të saj janë psikologjike, të tilla si nënvlerësim i vetes, stres dhe në raste shumë ekstreme, depresion.
Në cilat mosha haset më shpesh kjo sëmundje?
Në adoleshencë aknet zakonisht shkaktohen nga një rritje e androgeneve të tillë si testosterone, gjatë pubertetit dhe pavarësisht nga gjinia. Aknet më shpesh prekin zonat e lëkurës me një numër më të madh të gjendrrave të yndyrës; këto zona përfshijnë fytyrën, pjesën e sipërme të gjoksit dhe kurrizin. Aknea e rëndë është inflamatore, por aknet mund të manifestohen edhe në forma joinflamatore gjë që në çdo stad që shfaqet, duhet që të konsultohen pranë specialistit për të marrë mjekimin më përshtatshëm për çdo pacient.
Si trajtohen aknet?
Ekzistojnë shumë terapi mjekësore të ndryshme. Medikamentet për aknet në fytyrë mund të jenë me përbërje të tilla, si: benzil peroksidi, antibiotikët, retinoidet, etj. Trajtimi i hershëm dhe intensiv përkrahet nga disa për të pakësuar ndikimin e përgjithshëm dhe afatgjatë tek individët.



