Gjashtë persona janë shëruar dhe gjithsej nëntëmbëdhjetë raste të reja me koronavirus janë regjistruar të marten në Kosovë, në tre turne testimi, duke e ngritur në 184 totalin e te infektuarve.
Kjo është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, përmes një njoftimi.
Në njoftimin e IKSHPK-së shkruan se rastet pozitive janë raste kontakti: shtatë me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri, tre nga Prishtina, dy nga Seniku-Malishevë dhe nga një rast nga vendbanimet në Llashkadrenovc-Malishevë, Sazli-Ferizaj, Ujmir-Klinë, Gjakovë, Gjilan, Topanicë- Kamenicë dhe Vushtrri.
IKSHPK-ja po ashtu ka bërë të ditur se të marten janë shëruar edhe gjashtë pacientë tjerë, duke bërë që numri i të shëruarve deri më sot të shkojë në 30.
“Sot më 07 prill 2020, janë shëruar edhe gjashtë (6) pacientë, derisa numri i përgjithshshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej tridhjetë (30). Nga data 08 shkurt deri më 07 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.352 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 184 me 5 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese (rasti i fundit nga Klinika Infektive me sëmundje shoqëruese infiltrim pulmonar, diabet tip 2, nefropati diabetike, tumor i gjëndrrës mbiveshkore të majtë, hipertension arterial dhe obezitet)”.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 3.589 kontakte të rasteve.
Me shifrat e fundit, sipas IKPSHK-së, numri i të infektuarve në Kosovë shkon në 184, ndërsa i viktimave është pesë.


