Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bëri një bilanc sot në Kuvendin e Shqipërisë për situatën e krijuar prej pandemisë globale të COVID-19.
“Sot Shqipëria numëron 518 të prekur nga COVID-19 ose 10.7% të rasteve që kanë rezultuar pozitive në më shumë se 4800 testime të kryera. Një raport i pranuar ky nga OBSH për testimin, gjurmimin e rasteve të dyshuara. Personeli shëndetësor është testuar pa ndërprerje si grup risku. Mbi 800 testime janë kryer, për fat të mirë më pak se 9% e personelit të testuar rezultojnë të prekur dhe mbi gjysma e tyre janë të shëruar. Do të vijojmë të mbrojmë mjekët duke garantuar testim dhe mbrojtje për ta. Në dy spitalet COVID-1 dhe COVID-2 në Tiranë, aktualisht vetëm 14% e kapacitetit janë të zëna. 12 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre me frymëmarrje të drejtuar. Nuk kemi patur asnjë mungesë sa i takon materialeve të mbrojtjes personale apo aparaturave siç janë respiratorët. Sfida pas javës së gjatë të kësaj pandemie ështa faza e dytë e strategjisë për rihapjen e kujdesshme, hapat e së cilës do të varen edhe nga të dhënat e kurbës epidemiologjike, por edhe nga kapacitetet tona monitoruese, por edhe ato të sistemit shëndetësor”, tha Manastirliu.
Sipas saj, vendimet e marra në kohën e duhur kanë shmangur kolapsin shëndetësor. Manastirliu shprehu mirënjohje për heronjtë -siç i cilësoi ajo- që po përballen në vijën e parë të zjarrit me COVID-19.
“Heronjtë tanë, ata në vijën e parë të kësaj përballje janë mjekët, infemierët, epidemiologët, punonjësit e Urgjencës Kombëtare, që me sakrificë e vetëmohim janë aty çdo minutë të ditës dhe çdo ditë të javës që me sakrificë dhe vetmohim po përballen në vijën e parë të zjarrit, gjej serish rastin t’i falenderoj”, tha Manastirliu.
Manastirliu shtoi se ndryshimet ligjore të propozuara e vendosin Shqipërinë në një linjë me vendet e tjera që po luftojnë COVID-19.
“Ndryshimet që po propozojmë në Ligjin e Sëmundjeve Infektive, e në ndryshimet në Kodin Penal e që lidhen me situatën e epidemive, jo vetëm që na vendosin në një linjë me vendet e tjera, që këto dispozita i kanë patur të parashikuara, por mbi të gjitha nëse duam të kalojmë në fazën e tranzicionit të bashkëjetuarit më këtë virus, do të duhet të kemi të gjitha armët për ta luftuar atë. Ndaj rritja e përgjegjësisë individuale, e ndërgjegjjes qytetare është esenciale me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit publik. Sipas dëmit duhet të jetë dhe ndëshkimi, për këdo që cënon lirinë dhe jetën”, tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.


