Na bashkoi universi dhe të dielën e 23 qershorit në të “Diela Shqiptare” shkojmë në altar. Ky është shtegtimi kozmik i dashurisë së koreografit të njohur Albi Nakos me balerinën e talentuar Klaudia Pepën, “prima dona” e spektaklit të fundjavës në TV Klan.
Përmes një rrëfimi të sinqertë, por edhe komunikativ, Albi ka treguar detajet e jetës së tij personale dhe profesionale, raportet me ushqimin, doktorin, sportin dhe çdo gjë tjetër. Teksa i merr gjërat me pozitivitet, mjeshtri i baletit thotë se “duhet gjithmonë një shkak në jetë gjë që të bën të ndryshosh kurs dhe stilin e jetesës”.
Së fundi, Albi dhe Klaudia kanë nisur meditimin dhe është një rrugë e pafund me energji, kreativitet dhe dashuri që është hapur, për të cilën ata thonë se kanë gjetur qetësinë dhe kanë fituar shumë gjëra të tjera. Fundi i qershorit dhe javët në vijim shënojnë momentet e kurorëzimit të një “gjetjeje kozmike” mes Albi Nakos dhe Klaudia Pepës”.
“Universi na bashkoi dhe më 23 qershor të këtij viti na çon në altar tek e “Diela Shqiptare” duke kurorëzuar lishjen tonë”, – thotë Albin në intervistën me “Shëndet +”.
Në këtë moment të veçantë të jetës së tyre dhe për hir të emisioneve të pafundme që na kanë përcjellë këta artistë edhe ne, si shikues gjatë gjithë këtyre viteve, ju përcjellim edhe ne urimet më të mira Klaudias dhe Albit, për një jetë në harmoni, dashuri dhe suksese, të mbështetur në një vetëdije kozmike të përhershme.
Çfarë vendi zë ushqimi në përditshmërinë tuaj? Mbani dietë? Keni ndonjë preferencë; për shembull, jeni vegjetarianë, preferoni produktet e detit, frutat apo…?
Duke marrë parasysh dinamikën dhe intensitetin që ka dita jonë, nuk mund të themi që e lëmë pas dore edhe ushqimin, sepse fundja, u desh shumë kohë, pas shumë e shumë informacioneve edhe situatave të ndryshme, që të sensibilizohemi dhe të themi që “neve jemi ata çka hamë dhe ajo që mendojmë”.
Sa herë që bie fjala për dietë, njerëzit janë të keqinformuar, sepse mendojnë që dieta është të hash pak ose pothuajse të mos hash fare.
Përkundrazi, ne nuk mbajmë dietë të mirëfilltë, por mundohemi të ushqehemi shëndetshëm dhe me cilësi. Mund të them pa frikë dhe pa drojë që në momentin e punëve të mia intensive, përpara shumë vitesh nuk ushqehesha mirë, dhe jo për faktin se nuk kishim mundësi financiare, por kokëfortësia ime dhe mosdëgjimi i këshillave që më jepnin prindërit, bënte që unë, si çdo adoleshent tjetër, të isha i prirur pas ushqimeve ambulante, gjërave të skuqura, produkteve me sheqer industrial, dhe është e tmerrshme kur e mendoj dhe e kujtoj.
Pyetja juaj shtrohet që: A jemi vegjetarianë, ndërsa unë po ju them që nuk jemi vegjetarianë, por u bëmë vegjetarianë pasi informacionet që kemi marrë dhe situatat që kemi parë në të ushqyer; që do të thotë se në mëngjes e nisin ditën me një kokërr vezë të zier pak dhe e shoqëruar me vaj ulliri, me pak rigon e djathë.
Pas kësaj, përdorim tërshërë të zier me qumësht, duke e përzier me banane, arra, kivi dhe luleshtrydhe. Dhe pas kësaj, për mbyllje, një kafe ekspres, dhe, si mos ta nisësh ditën mbarë dhe me energji pas gjithë kësaj….
Padyshim që gjatë ditës jemi të shoqëruar nga fruta të ndryshme të stinës dhe hamë një drekë të lehtë dhe për efekt të provave të vazhdueshme dhe pa përjashtuar një darkë ku nuk mungojnë asnjëherë supërat e sallaturinat e ndryshme që më së fundmi i kemi dëgjuar shpesh të thuhet që janë inteligjenca e natyrës dhe që unë i besoj me patjetër se përndryshe nuk do të thoni 200 kuaj fuqi, por 200 luanë fuqi. Peshku është një nga produktet e preferuara që ne kemi dhe që nuk mungon në menunë tonë, të paktën dy herë në javë.
A mendoni ndonjëherë për kaloritë e tepërta që merrni gjatë ushqimit? Si e mbani veten nën kontroll, nëse?
Për kaloritë nuk është se nuk mendoj, por edhe kur mendoj, mendoj se nuk është problem sepse ne nuk bëjmë jetë sedentare, sepse kemi një profesion që jo vetëm të djeg kaloritë, por nuk përjashtohet mundësia të djegë edhe jetën, sepse është shumë i lodhshëm (baleti).
A ju kanë shqetësuar ndonjëherë kilet e tepërta? Si keni vepruar në ato momente? A keni ndonjë gjë që mund të ndani me lexuesit tanë?
Për të qenë i sinqertë me jetën time ka pasur momente që kam qenë jo vetëm i shëndoshë, por goxha mbipeshë, dhe siç thashë më lart, nga kequshqyerja, por nuk përjashtoj edhe që mund të ketë qenë edhe ndonjë periudhë stresi që të kap me situata kur ushqehesh kot e më kot, duke konsumuar gjëra të thata e ëmbëlsira pa fund dhe pse jo, edhe rrjedhojë e stërvitjes josistematike.
Ka qenë një moment para 10 vitesh kur motra ime erdhi për vizitë nga SHBA dhe unë dola në aeroport për ta pritur, dhe ajo nuk më njohu… Eh, sa e trishtueshme ishte momenti kur ajo më pa dhe pasi më njohu, nuk më takoi të më përqafonte si vëllanë e vet, por filloi të më kritikonte dhe me një lloj zhgënjimi në mënyrën se si isha transformuar.
Të them të drejtën që nga ai moment ju futa stërvitjes fort dhe duke kontrolluar ushqimin dhe për një kohë të shkurtër rashë gati 15 kile që më transformoi më keq në aspektin e kundërt; por për një kohë të shkurtër e mora veten, duke u freskuar si në fytyrë dhe duke u bonifikuar edhe në trup.
Stresi është konsideruar sot si shkaktar i të gjitha sëmundjeve. Është sëmundja moderne. Çfarë bëni tjetër që të mbani veten çdo moment larg stresit?
Padyshim që shprehja “çdo gjë që ndodh, ndodh për mirë” është një shprehje që në aspektin e parë që e dëgjon të duket mëse e thjeshtë; për të mos të thënë gati naive: Por, e vërteta është që duhet gjithmonë një shkak në jetë gjë që të bën të ndryshosh kurs dhe stilin e jetesës. Padyshim, që mund të them që jam një person shumë i ndjeshëm dhe i bluaj pak gjërat brenda meje dhe që jam shumë koshient që nuk është gjë e mirë.
U desh që një aksident me makinë që pësuam vjet në muajin gusht që bëri që të tronditesha jo pak, por me vullnet dhe besim tek vetja dhe me mbështetjen e familjes dhe Klaudias ia dola që të rimëkëmbja besimin dhe forcat tek vetja ime.
Por nuk mbaron këtu, sepse u desh shkëmbimi i një mesazhi në “Facebook” me z.Ramadani që ai të më orientonte tek Qendra e Meditimit Transhendental “HI CLASSIC” këtu në Tiranë. Mund t’ju them lexuesve pa dyshimin më të vogël që pas 3 muajsh meditimi, unë jo vetëm po gjej qetësinë dhe vetëdijen e plotë por kam zhdukur vese dhe paranoja që më kanë shoqëruar pothuaj gjatë gjithë jetës.
Si ndikon kërcimi në aspektin tuaj fiziologjik; në gjendjen tuaj fizike dhe shëndetsore?
Kërcimi, për mos të thënë baleti klasik, është një lloj meditimi në vetvete sepse në momentin kur ti kërcen dhe përjeton çdo lëvizje, çdo frymëmarrje,çdo emocion, çdo tingull, si një Manter, je futur në një brendësi të thellë brenda teje, aq sa duhet një kohë e gjatë të dalësh jashtë saj. Por këtë gjë jo të gjthë balerinët e provojnë sepse jo të gjithë dinë edhe të editojnë siç duhet…
Si i keni marrëdhëniet me doktorin? A keni doktor personal?
Në jetën time kontaktet me doktorin kanë qënë të pakta përveç faktit të vjetshëm ku unë bëra një kontroll total dhe dola më së miri, falë universit. Unë mendoj se po të jemi njerëz të ushqyer siç duhet; dhe, po të jemi njerëz të medituar dhe të rrezatojmë harmoni më veten, familjen dhe natyrën që na rrethon, nuk kemi nevojë për doktor personal sepse vetvetishmi bëhemi doktor të vetvetes…
Po raportet tuaja me sëmundjen? A ju ka ndodhur të kaloni momente të vështira ndonjëherë? Nëse mund të ndani ndonjë gjë me lexuesit tanë, sesi sillet Albi kur nuk është mirë me shëndet?
Nuk kam kaluar momente sëmundjesh në jetë përveç faktit të aksidentit që ju thshë por që fatmirësisht ishte pa pasoja fizike, por vetëm me pak pasoja emocionale që kaluan shpejt.
Cili është mesazhi juaj për lexuesit e “Shëndet +” dhe për të gjithë shqiptarët në aspektin e përkujdesjes dhe edukatës shëndetësore?
Unë them që i vetmi mesazh që kam është që shqiptarët duhet vetëm të meditojnë sepse jemi një popull shumë i streuar gjë që e ndeshim jo pak si në familje, në rrugë, në adminitratë, dhe pa përjashtuar edhe politikën që e ka indoktrinuar çdo shqiptar dhe çdo familje, duke medituar njerëzit do të rrisin vetëdijen e tyre dhe duke jetuar të vetëdijshëm do e meritojmë këtë planet të mrekullueshëm që po e shkatërrojmë për ditë nga pak…
Ju shohim kudo bashkë; në skenë, në bare, në MT. Në çdo vend. Çfarë fshihet pas kësaj shfaqjeje thuajse të përhershme?
Ajo që mund të them me pak fjalë është se unë kam lindur për Klaudian dhe Klaudia për mua. Universi na bashkoi dhe me 23 qershor të këtij viti (2013) na çon në altar tek e “Diela Shqiptare” duke kurorëzuar lidhjen tonë.


