Epidemiologu Alimehmeti shpjegon sa mund të shtyhet marrja e dozës së dytë të vaksinës kundër Covid-19

Shqipëria po përparon në vaksinimin e popullsisë duke arritur të injektojë rreth 800 mijë doza në një popullsi që INSTAT vlerëson të jetë jo më shumë se 2.8 milionë banorë.

Një pjesë e qytetarëve janë marrë të dyja dozat kurse qindra mijë të tjerë, vetëm të parën. Por tek këta, javët e fundit ka pasur vonesa në dhënien e dozës së dytë, pasi furnizimet janë reduktuar shumë.

Lind pyetja, deri në sa kohë mund të shtyhet marrja e dozës së dytë të vaksinës pa e dëmtuar këtë proces dhe pa rrezikuar të jetë joefikas.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, thotë se tejkalimi me një javë i afatit për marrjen e dozës së dytë të vaksinës kundër Covid -19, nuk krijon probleme.

Por edhe kjo mbetet një hipotezë për sa kohë nuk ka rezultate studimore që të provojnë se sa duhet të jetë intervali kohor mes dy dozave.

“Pak ditë s’ka pse të ketë ndonnjë efekt, nëse shkon disa javë e sipër nuk mund ta themi dot, se nuk e ka studiuar njëri. Një vonesë e vogël pak ditore, edhe për arsye administrative mund të ndodhë. Pak ditë, deri në një javë, besoj se nuk ka problem”, thotë Dr. Alimehmeti, anëtar i Akademisë së Shkencave.

Pyetja duket se duhet bërë tek prodhuesit, por as ata nuk janë të qartë.

“Më shumë duhet pyetur prodhuesi dhe testuesi që, ku jemi dhe sa kjo vlen dhe sa është e sigurtë”, – thotë Alimehmeti.

E rëndësishme, sipas tij, është që njerëzit të marrin të dyja dozat.

“Me një dozë nuk mund ta ndjejmë veten të sigurtë. Vlen një më mirë se hiç, nëse doza është e një vaksine me efikasitet të lartë me një dozë”, thotë ai duke veçuar se vetëm Pfizer BioNTech dhe Astrazeneca janë më efikase edhe me një dozë.

Por në kushtet kur vaksinimi masiv këtu po bëhet vetëm me vaksinën turke Corona Suspension me formulën e CoronaVac nga kinezja Sinovac, asgjë nuk duket të jetë e sigurt, ndaj zgjidhja më e mirë shihet të jetë mostejkalimi i marrjes së dozës së dytë për më shumë se disa ditë

Postime të ngjashme

Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Rreth 16 milionë kg mish derri nga Brazili, BE e ndaloi, Shqipëria vazhdon të importojë me shumicë
Anulohet tenderi prej 50 milionë eurosh për hemodializën
A do ta shërojë AI kancerin? Ja çfarë thotë shkenca