Si parandalohet dëmtimi i veshkave te pacientët me diabet?

Cila do ishte mënyra më e mirë për të parandaluar prekjen e dëmtimin progresiv të veshkave  në pacientët diabetikë?

Alketa Koroshi, mjek nefrolog

Mendoj se gjëja e parë që duhet bërë është personalizimi i trajtimit dhe vendosja e disa kritereve e qëllimeve për çdo pacient në veçanti në varësi të moshës, të veshkat-dhimbjetipit të diabetit dhe të vjetërsisë së diabetit. Duke pasur parasysh që: një diabet prej shumë vitesh, një kontroll dhe normalizim jo i mirë i glicemisë (sheqerit në gjak), prania e albuminës në urinë, dhe gjetja e hipertensionit arterial, të gjithë këta janë faktorë risku të rëndësishëm për dëmtimin e veshkave e progresionin e nefropatisë.  Për rrjedhojë, kërkohet një qasje e shumëfishtë që normalizon të gjithë këta faktorë risku.

Së pari, duhet luftuar që të normalizohet me çdo kusht e për një kohë të gjatë glicemia. Glicemia kronike është shkaku kryesor i komplikacioneve vaskulare duke përfshirë edhe dëmtimin e veshkave. Prandaj kontrolli i mirë i glicemisë është thelbësor për të parandaluar fillimin dhe progresionin e dëmtimit të veshkave. Kjo arrihet me anë të përdorimit të ilaçeve antidiabetike nga goja ose me anë të insulinës. Doza dhe kombinimi i tyre bëhet sipas shkallës së diabetit.  Kontrolli i glicemisë bëhet jo vetëm duke matur gliceminë esëll, por ka rëndësi në radhë të parë që hemoglobina e glukozuar (HbA1C)  të mos kalojë nivelin 7.0%.

Duhet pasur kujdes se edhe mjekimi shumë intensiv me doza të mëdha ilaçesh mund ta shpjerë të sëmurin në të kundërtën domethënë në hipoglicemi që përbën rrezik për jetën e të sëmurit. Prandaj duhet të shmanget hipoglicemia dhe duhen zgjedhur ilaçet antidiabetike, sipas nivelit të dëmtimit të funksionit renal.

Mjekimi i tensionit të lartë të gjakut duhet të synojë që tensioni të mos jetë më shumë se 140/80 mmHg, madje në ata me albuminuri të lartë të jetë nën 130/80 mmHg. Mirë është që të përdoren kombinime të disa ilaçeve anti hipertensive, por duhet preferuar që ndër ilaçet e kombinuara të jetë një inhibitor enzimës konvertuese ose një bllokues i receptorëve të angiotensines, sepse këto preparate jo vetëm ulin tensionin e gjakut, por ato edhe pakësojnë albuminën në urinë (enalapril ose losartan). Veç asaj, efekt të mirë kanë edhe ilaçet që frenojnë aldosteronin, i cili luan një rol mbrojtës kundër dëmtimit të veshkave. Si i tillë përdoret spironolaktoni.

Një efekt shumë të mirë në trajtimin e hipertensionit arterial në këta të sëmurë, por edhe për mbrojtjen e veshkave ka edhe përdorimi i diuretikëve, si hidroklortiazidi, si edhe i kalcium-bllokuesve, si psh amlodipina.

Një tjetër objektiv që duhet pasur parasysh në këta pacientë, është trajtimi i çrregullimeve të yndyrnave në gjak. Çrregullimet e yndyrnave janë faktor risku për aterosklerozën e sëmundjet kardiovaskulare të cilat përbëjnë një shkak madhor të vdekshmërisë tek pacientët me diabet e dëmtime të funksionit të veshkave. Përdorimi i statinave (psh atorvastatina) është efikas në uljen e komplikacioneve kardiovaskulare, por edhe në pakësimin e albuminurisë.

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore