OBSH bën sërish thirrje për shpërndarje të drejtë të vaksinave

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të dielën se nëse vendet nuk përdorin mjetet ekzistuese në luftën kundër pandemisë në mënyrë efektive, fundi i saj nuk do të jetë i afërt.

“Pandemia do të përfundojë kur bota të zgjedhë t’i japë fund asaj,” tha zoti Tedros duke folur në takimin e Lartë Botëror të Shëndetit, një forum global i mbajtur në Gjermani.

“Ne i kemi të gjitha mjetet që na duhen, por bota nuk i ka përdorur siç duhet ato,” tha zoti Tedros, duke iu drejtuar përfaqësuesve nga 100 vende që morën pjesë virtualisht.

Pengesat për përmbushjen e qëllimit të OBSH-së për të vaksinuar 40% të popullsisë të çdo vendi kundër koronavirusit kanë lidhje me “politikën dhe fitimet”, tha shefi i OBSH-së, “jo me prodhimin”.

“Vendet që kanë arritur tashmë objektivin prej 40%, përfshirë të gjitha vendet e G-20, duhet t’u lënë radhën për marrjen e vaksinave COVAX-it dhe Trustit Afrikan për Blerjen e Vaksinave,” tha zoti Tedros.

Zyrtari i OBSH-së u kërkoi gjithashtu prodhuesve të vaksinave që të bëhen “shumë më transparentë” lidhur me procesin e shpërndarjes së tyre.

Ai u kërkoi atyre “të ndajnë njohuritë, teknologjinë dhe liçencat dhe të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale.”

“Ne nuk po kërkojmë bamirësi,” tha Tedros, “ne po bëjmë thirrje për një investim të arsyeshëm në rimëkëmbjen globale.”

Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, deri të hënën janë regjistruar 243.7 milionë infeksione dhe gati 5 milionë vdekje në botë nga COVID-i; dhe deri tani janë bërë pothuajse 7 miliardë vaksina./VOA

Postime të ngjashme

Plagosja në Poliklinikën në Shkodër, reagon KMD: Dhuna në ambiente publike po cenon sigurinë e qytetarëve dhe besimin tek institucionet
Plagosje me thikë brenda Poliklinikës në Shkodër, i lënduari i nënshtrohet operacionit
97 mijë të punësuar në profesionet e rregulluara, mjekët dhe stomatologët më të paguarit
Allmuça: Mekanizmat e Koordinuar të Referimit janë ngritur në 61 bashki, por nuk funksionojnë njësoj në të gjitha
"Babai im vdiq nga melanoma", Analisti: Nga diagnoza e gabuar te trajtimi që i kushtoi jetën
Shqipëria, ndër vendet e Europës që ka më pak shtretër në spitale, pavarësisht popullsisë në rënie
Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë