Spitalet partizane dhe “Mea Culpa” e Mehmet Shehut

Organizatorët e luftës, duke parë edhe rritjen e intensitetit të lëvizjes së armatosur dhe shtimit të radhëve të luftëtarëve, urdhëruan me një shkresë të veçantë krijimin e Spitaleve Partizane

Mark Brunga

transportimi i te plagosurve 1

Transportimi i të plagosurve

Shqipëria është vendi që luftoi më shumë nga popujt e vegjël gjatë Luftës II Botërore dhe që arriti të çlirohet tërësisht me trupat e saj partizane, si forcë goditëse përkrah aletëve të mëdhenj sovjeto-anglo-amerikanë. Kostoja njerëzore dhe materiale qe e madhe për një popull 800 mijë banorësh. Saç ishte në atë periudhë shteti shqiptar.

Gjatë luftës për çlirim dhanë jetën 28 140 patriotë, që mbushën radhët partizane në luftë kundër pushtuesit nazi-fashist. Duke u bazuar në statistikat zyrtare të shtetit, krahas këtyre të rënëve, ka pasur edhe rreth 12 600 të plagosur, të cilët janë mjekuar e strehuar me kujdes e dashuri nga populli. Por pjesa më e madhe e tyre është trajtuar në spitalet partizane.

Për ta bërë sa më efikas këtë shërbim, organizatorët e luftës, duke parë edhe rritjen e intensitetit të lëvizjes së armatosur dhe shtimit të radhëve të luftëtarëve, urdhëruan me një shkresë të veçantë krijimin e Spitaleve Partizane. Në këtë udhër të nënshkruar nga Komisari Politik Enver Hoxha dhe Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm Spiro Moisiu theksohet:

“Gjatë luftës që po zhvillojmë, kemi mjaft të sëmurë dhe të plagosur, për të cilët, duhet të kemi kujdesin më të madh me i shërue, që kështu të mundin të zënë përsëri vëndin në radhët e luftës. Prandaj urdhërojmë që çdo grup duhet të krijojë një spital ku të shtrohen vetëm të plagosurit dhe të sëmurët rëndë. Ky spital të drejtohet mundësisht prej një doktori ose infermieri të stërvitur”.

Spital partizan

Në spitalin partizan

Lidhur me kurimin e të sëmurëve dhe personelin e shërbimit  që duhej t’u shërbenin të plagosurve dhe të sëmurëve, Urdhri thekson: “ Të sëmurët lehtë të çohen në shtëpi miqsh ose në ndonjë ambulancë për shërim të shpejtë. Për shërbim në spital duhet t’u bëhet apel vullnetarëve, gra të qyteteve ose të fshatrave, të cilat duhet të kryejnë punën e infermiereve”.

Ngritja e spitalit partizan në fshatin Vlushë

Nga historiku i fshatit Vlushë të Skraparit shkëpusim një detaj që konkretizon faktin se përse u ngritën spitalet mes emergjencës së betejave që zhvilloheshin dhe se si funksionuan ato.

Nga ngjarjet e Luftës II  Botërore vlen të përmenden tre ngjarje kryesore:

Gjatë operacionit të dimrit më 14 janar të vitit 1944, një detashment ndëshkimi gjerman, me porosi të eksponentëve të Ballit Kombëtar, bënë një masakër duke vrarë 22 burra dhe djem të pafajshëm të fshatit. Ata janë shpallur të gjithë dëshmorë të atdheut. Në mes të fshatit Vlushe është ngritur një përmendore në kujtim të këtyre martirëve.

Në Vlushë me 17 Mars 1944 u formua Brigada VII Sulmuese e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Edhe për këtë ngjarje është ngritur lapidari në pllakatën e të cilit janë gdhendur emrat e të gjithë dëshmorëve të kësaj brigade partizane që luftoi kundër nazistëve gjermane deri në Vishegrad të Jugosllavisë së asaj periudhe.

Po në Vlushë ka funksionuar spitali partizan në shtëpinë e Hysen Mançes. Në këtë spital janë mjekuar edhe Heroi i Popullit Zylyftar Veleshnja dhe ushtaraku Skënder Malindi, si dhe shumë partizanë e partizane, bij të popullit të ngritur në luftë për liri.

Spitali partizan ka funksionuar nga muaji prill deri në qershor 1944. Numri i Spitaleve Partizane që funksionuan përkohësisht në të gjithë territorin e vendit është shumë i madh.

Shtëpia që shërbeu si spital

Shtëpia që shërbeu si spital

Spitali ku u kurua Mehmet Shehu

Gjatë luftës edhe një nga komandantët e njohur të formacioneve partizane është kuruar në fshatin Malind të Skraparit. Sipas një dëshmie të Ilir Malindit, Mehmet Shehu, komandanti i Brigadës I Sulmuese është ftohur me bronko-pneomoni dhe është kuruar në banesën e gjyshit të tij Karafil Malindi, banesa e të cilit shërbente njëkohësisht edhe si vend komandë e shtabit. Atje, sipas tij, është bërë kthimi i menjehershëm i banesës, pasi mbas betejës së Tendes së Qypit janë plagosur mbi 100 partizanë dhe luftëtare të çetave territoriale.

Shtëpia kishte rreth 18 dhoma dhe pas kësaj ngjarjeje 6 prej tyre u vunë në dispozicion të të plagosurve, dhe në pjesën tjetër të kullës, në dhomat e tjera u instalua shtabi i brigadës. Ndërsa të plagosurit e tjerë u shpërndanë në spitale të zonës. Ndërkohë mësohet se edhe Mehmeti është sëmurë rëndë. Malindi tregon se për atë u kujdes gjyshja e tij dhe një infermier italian, i cili u çudit pa se si ushtaraku madhor i luftës po kurohej përveç ilaçeve, edhe me hedhje kupash nga e moshuara. Ai kishte besim te kjo lloj kure dhe e kërkoi vetë, pasi e dinte se kështu kurohej shumica e banorëve të zonave të thella.

Në një beteje tjetër, atë të Qafës së Gjarprit, përsëri ka pasur shumë të plagosur. Spitalet u mbrojtën kur armiku sulej drejt tyre ose transferoheshin me transport kafshësh ose me barrela. Kështu u mbrojt edhe Spitali i Ujanikut, në lartësitë e malit të Tomorrit, ku shërbenin mjekë dhe infermierë amerikanë. I gjithë personeli ndërkohë u transportua gjatë natës…

Pushkatimi i doktorëve italianë

Malindi sjell edhe një detaj interesant. Në Cepan janë pushkatuar 2 mjekë italianë, të cilët nuk pranuan që të marrin pjesë në formacionet partizane. Sipas tij në Brigadën I Sulmuese nuk kishte kirurgë, por vetëm 2-3 infermierë italianë. Pas kapitullimit të Italisë, në afërsi të fshatit u grupuan rreth 400 ushtarë dhe oficerë italianë të cilëve iu bë thirrje që të merrnin pjesë në radhët partizane. Mes tyre ishin edhe 2 kirurgë që kishin marrë pjesë në betejat me ushtrinë greke dhe kishin kuruar në front me qindra të plagosur. Si dhe banorë vendas.

“U thirrën te shtëpia jonë për të biseduar, – tregon Malindi. – Mjekët nuk pranuan të vazhdonin të ishin pjesë e luftës partizane dhe Mehmeti urdhëroi që të ekzekutohen si fashistë. Ka qenë ndërhyrja energjike e gjyshit Karafilit, i cili ishte mik i vjetër i Ismail Shehut, që nuk lejoi të pushkatohen.

Por pas disa ditësh, në fshatin Cepan, u dëgjuan disa të shtëna. Ishin ekzekutuar”

Pas një beteje ku pati shumë të plagosur, Mehmeti duke qenë se nuk kishte kirurgë profesionistë, tregoi se qe penduar, pasi foli nën zë se sa shumë kishte gabuar që i kishte pushkatuar. Dhe sa herë që shkonte në Skrapar më vonë në përvjetore, ai e përsëriste këtë “Mea Culpa”.

Postime të ngjashme

Pajisjet mjekësore të bazuara në substanca - Një kategori e re produktesh terapeutike
Përfitimet e lëngut të Aloe Verës për shëndetin: Çfarë thotë shkenca
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm
Inxhinierët mjekësorë zhvillojnë stimuluesin kardiak aq të vogël sa mund të injektohet përmes një shiringe
Njerëzit kanë një set të tretë dhëmbësh dhe mjekësia e re mund t'i ndihmojë të dalin
Robotë shtatzënë? Shpikja e radhës e Inteligjencës Artificiale, që sfidon kufijtë e njerëzores
Jeni të shëndoshë dhe keni vështirësi për të humbur peshë? Shkencëtarët mendojnë se e dinë pse.
Studimi amerikan zbulon tetë zakone që ju zgjasin jetën deri në 24 vjet