Europa është me shumë mundësi në prag të një vale tjetër të COVID-19, sipas OBSH dhe ECDC

Një valë tjetër e infektimeve me COVID-19 mund të ketë nisur në Europë, pasi numri i rasteve ka filluar të rritet në të gjithë rajonin. Kështu deklaruan të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

“Edhe pse nuk jemi në të njëjtën situatë ku ishim një vit më parë, është e qartë se pandemia e COVID-19 nuk ka përfunduar ende”, thanë në një deklaratë të përbashkët drejtori i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, dhe drejtori i ECDC, Andrea Ammon.

“Fatkeqësisht, ne po vëmë re se treguesit po rriten sërish në Europë, duke treguar që një valë tjetër e infektimeve ka filluar”.

Të dhënat rajonale nga OBSH tregojnë se Europa ka regjistruar një shtim të rasteve me COVID-19 në javën që u mbyll më 2 tetor, duke shënuar një rritje prej 8% nga java e kaluar.

Ekspertët e shëndetit publik kanë paralajmëruar se rënia e imunitetit të fituar nga vaksinat dhe konfuzioni lidhur me vaksinat e disponueshme, kanë të ngjarë të kufizojnë marrjen e dozave përforcuesve në rajon.

Miliona njerëz në të gjithë Europën mbeten të pavaksinuar kundër COVID-19, theksuan OBSH dhe ECDC.

Këto dy organizata u kërkuan vendeve europiane që të aplikojnë edhe vaksinat kundër gripit, edhe vaksinat COVID-19, përpara rritjes së pritshme të rasteve si pasojë e gripit sezonal.

“Nuk ka kohë për të humbur”, thanë OBSH dhe ECDC, duke shtuar se grupet vulnerabël, ku përfshihen njerëzit mbi 60 vjeç, gratë shtatzëna dhe të gjithë personat me sëmundje shoqëruese, duhet të vaksinohen kundër gripit dhe COVID-19./ Reuters

Postime të ngjashme

Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe
Trump thyen rekordet, 22 specialistë marrin pjesë në kontrollin e tij mjekësor
Dy fëmijë humbin jetën nga fruthi! Rriten rastet e infektimit në Britaninë e Madhe, ndërsa shkalla e vaksinimit bie
Projekti i shëndetësisë, Banka Botërore bën bilancin: Nga “rrëzimi” i reformës së financimit te digjitalizimi
Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras
Ndikimi i dezinformimit në vaksinimin e fëmijëve
Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar
10 ushqimet më hidratuese