Një “presje shëndetësore” për lexuesit e “Shëndet+”

Arlinda Gjypi, kryeredaktore e gazetës “Shëndet+”

“Kini kujdes me lajmet e shëndetit, një presje mund t’ju shkaktojë vdekjen”. Është kjo shprehje me të cilën ngacmojmë jo rrallë njëri-tjetrin, por që vërtet, kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e materialit shëndetësor, e harrojmë.

Një mikesha ime më tha një ditë: “Nuk i lexoj gazetat shëndetësore, sepse më duket sikur sëmurem”.

Dhe ka shumë njerëz të tillë. Të parët që nuk tregohen të kujdesshëm në përzgjedhje, të dytët që mendojnë se mungesa e informacionit i ruan më shumë nga sëmundjet.

Në fakt, të gjithë ata që kanë një lloj moshe, sidomos lexuesit e rregullt të gazetave, janë të vetëdijshëm se njohuria është pushtet, një pushtet që të lejon të dish si të veprosh në situata të ndryshme të jetës.

Gazeta “Shëndet+” u krijua dy vjet më parë nga dy njerëz që kishin kaluar dekadën në gazetari dhe fusha e shëndetësisë ishte ajo ku ishin dedikuar. Më tej ky pasion solli një vit më parë faqen “Shëndeti Online”, një faqe në bashkëpunim me programin e USAID-it “Mbështetje Reformës në Shëndetësi”, e pasqyruar rregullisht në gazetën “Shëndet+” për ndryshimet që solli në spitale të ndryshme shqiptare.

E monitoruar vazhdimisht nga të huajt, kjo gazetë ka pasur presionin e gjithhershëm për të dhënë një informacion të saktë, serioz, të detajuar, për të sjellë pranë lexuesit mjekët dhe pacientët e për t’i vënë ata përballë njëri-tjetrit, por edhe përballë shtetit.

Përgjatë gjithë kësaj kohe në gazetën “Shëndet+” kanë folur qindra mjekë e qindra pacientë. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një urë lidhëse midis tyre duke u ndihmuar. U kemi dhënë zë pacientëve që rrinë pas dere, atyre që rrinë shtrirë shkallëve të spitalit, atyre që nuk marrin dot shërbim, siç u kemi dhënë hapësirë mjekëve të spitaleve, mjekëve të familjes dhe mjekëve që punojnë në zona të largëta, atje ku shumë të tjerë nuk pranojnë të shkojnë.

E kush tha se nuk ka mjekë të mirë? Personalisht, në detyrën time si kryeredaktore e “Shëndet+” nuk mund të harroj fjalët e doktor Isuf Kalos kur i thashë se na kanë ardhur pyetje nga lexuesit që kishin probleme me diabetin: “Kam tre numra telefoni, janë të tre të hapur 24 orë. Mund të më marrin kur të duan në telefon për çdo problem që kanë”.

Dhe vërtet, doktor Isufi është përgjigjur në çdo moment. Po ashtu edhe doktor Nestor Thereska, edhe doktor Ilir Kajo, edhe doktor Alketa Koroshi, edhe pediatri Polikron Çelo, edhe doktoreshë Anila Godo, edhe reumatologu Argjend Tafaj, edhe doktor Elton Peci, edhe doktoresha Kozeta Mustafaraj, edhe kryeinfermierja Vera Ndoja, edhe fizioterapisti Petrit Drini, edhe doktoresha Violeta Dajçi, edhe neurologia Jera Kruja, ortopedi Artan Bano, shefi i shërbimit të sëmundjeve infektive Dhimitër Kraja, mjeku Myftar Barbullushi, urologët Rezar Rusi dhe Edip Bezhani, pneumologu Ilirjan Mino, prof.ass.Arben Baboçi, doktor Bardhyl Popa, doktoreshë Rubena Moisiu, doktoresha Mimoza Keta, mjeku Viktor Qereshniku, mjeku Endrit Mone, ortopedi Ledian Fezollari, mjekja Ardiana Sinani, hepatologia Valdete Malaj, kardiologet Manjola Liko e Daniela Teferiçi, infeksionistja Imelda Zeqo, endokrinologu Dashamir Gjergji, kirurgu Esat Bardhoshi, neurologia Entela Basha… Nuk ka munguar as profesor Mentor Petrela, një ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë.

Mund të rreshtojmë pa fund emra mjekësh të cilëve për çdo pyetje të mbërritur në redaksi, na është dashur thjesht t’u bëjmë një telefonatë apo t’u trokasim në zyrë për të marrë përgjigje (sigurisht kërkojmë ndjesë për gjithë emrat e papërmendur, por për të cilët vlerësimi është i pafund).

Mjekët kanë qenë saktësia jonë në tre vjet. Pacientët kanë qenë ata që shpresojmë dhe besojmë se i kemi ndihmuar deri diku, jo vetëm duke ngritur problemet me të cilat ndeshen, por edhe duke u dhënë përgjigje pyetjeve të tyre lidhur me çështjet shëndetësore që i prekin dhe nuk dinë ku të drejtohen.

Deri këtë vit “Shëndet+” ka qenë e vetmja gazetë shëndetësore në treg. Gjatë verës, tre gazeta të tjera janë shtuar për publikun e gjerë.

Në një sistem të lirë, sigurisht gjithkush është i lirë të zotërojë një gazetë. Ne besojmë se cilësia do të vazhdojë të bëjë ndryshimin e gazetës “Shëndet+” me gazetat e tjera, duke ditur që kemi një lexues të cilin e respektojmë në çdo gërmë që hedhim për botim. Pas pothuajse tre vjetësh, mund të themi se kjo gazetë vazhdon t’i japë ende vlerë “presjes shëndetësore”!

 

Postime të ngjashme

Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës