BRITANI – Videoja e pushimeve të Kerri Daierit nis pak a shumë si çdo video tjetër. Me syzet e diellit mbi kokë, pak e nxirë, 23-vjeçarja sheh kamerën teksa filmon veten duke u sjellë rotull në një apartament me qira në Greqi.
Megjithatë, në pak sekonda, xhirimi merr një tjetër kthesë.
“Menduam se do të kalonim pushime pa fëmijë, – thotë ajo para kamerës, duke iu referuar faktit që ajo dhe i fejuari 26-vjeçar e kanë lënë vajzën e tyre dy vjeçe, Sienën, tek gjyshërit. – Por shikoni këtu!” Ajo që ndodh më pas është se Kerri hap një test shtatzënie dhe fut një nga shkopinjtë në një gotë me urinën e saj. Vijat blu tregojnë se ajo është shtatzënë.
Kerri bërtet e lumtur, ndërsa thotë se fëmija do të vijë në jetë në mars 2015 dhe e hedh videon në YouTube që ta shohin të gjithë.
Një ekzagjerim? Sigurisht, madje ndoshta edhe keqkëshillim. Në fund të fund, ka një arsye të vlefshme pse gratë presin rreth 12 javë për t’u treguar familjes dhe miqve se janë shtatzënë, e jo më ta bëjnë publike atë për mijëra të huaj që s’i njohin.
Por Kerri është vetëm një nga qindra gratë që i publikojnë në internet momentet e tyre intime.
Po të kërkosh në YouTube me “teste shtatzënie” (anglisht: pregnancy test results”, do t’ju rreshtohen mbi 18000 video, disa prej të cilave janë parë miliona herë. Madje kjo tendencë ka dhe nofkën e vet – WombTube (shqip: MitërTube) dhe gjuhën e vet, si TTC (të përpiqesh të ngelësh shtatzënë).
Por pse e bëjnë gratë një gjë të tillë?
“Si një grimiere unë kam publikuar shumë video për bukurinë, derisa kuptova se videot për jetën time familjare ishin më tërheqëse”, thotë Kerri.
“Kur isha adoleshente më thanë se kisha vetëm 3% mundësi që të ngelja shtatzënë normalisht, pasi kisha vezore polikistike, kështu që dy vjet më parë, kur ngela shtatzënë me Sienën, as që e mendoja ta filmoja, pasi s’mendoja se testi do dilte pozitiv.
“Tani jam pishman që s’e kam filmuar. Kështu që këtë herë, kur isha 99% e sigurt se isha shtatzënënë, e filmova. Sigurisht, në fillim i thashë bashkëshortit dhe familjes. Por kur e hodha në internet, mesazhet e ardhura nga ndjekësit e mi ishin shumë të bukura. Ata e dinin se kisha pasur dy dështime më parë dhe ishin shumë mbështetës. Ndjeva se këtë herë gjithçka do të shkonte mirë”.
Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Kerri e humbi fëmijën në javën e 15-të.
Ndjekësit e saj në YouTube nuk e kishin idenë se ç’kishte ndodhur dhe vazhdonin t’i shkruanin për përditësime. Kështu, a u bë pishman Kerri që e bëri publike shtatzëninë e saj?
“Aspak, – thotë ajo. – Më pak se një javë nga vdekja e Rokos, hodha një video në YouTubë dhe thashë: Fatkeqësisht foshnja jonë nuk priti 9 muaj për të ardhur në këtë botë, por erdhi pas 15 javësh kur nuk kishte rrahje zemre.
U lumturova nga komentet e mira që mora nga gra që kishin pasur një përvojë të ngjashme. Para se të më ndodhte një gjë e tillë, gjithnjë pyesja veten se pse njerëzit s’e harronin dot lehtë një lindje të parakohshme. Por që nga lindja e Rokos, e kuptoj se sa e dhimbshme është dhe mendoj se edhe të tjerët duhet të edukohen lidhur me lindjet e parakoshme.
“Ndaj po e bëj këtë, që të ndihmoj mamatë e tjera”.
Çifti ka vendosur që të mos ketë një fëmijë tjetër për njëfarë kohe, por Kerri sërish thotë se do të vazhdojë të postojë testet e saj.
***
Mbështetja nga gratë e tjera e bën 23-vjeçaren Korin Haunslou që të vazhdojë të postojë teste shtatzënie pa fund.
Korin, e cila ka një fëmijë 3 vjeç me bashkëshortin e saj, Matin, u ndesh me WombTube ndërsa po kërkonte këshilla për infertilitetin vjet. Tani ajo është bërë si e fiksuar.
“Në fillim u shokova, – thotë ajo. – Në fund të fundit, testet e shtatzënisë janë diçka private. Por ndërsa shikoja videot, e kuptova se unë s’isha e vetmja që kërkoja të mbesja shtatzënë. Ka mijëra gra si unë. Disa ia dalin mbanë, të tjera jo, megjithatë ato i ndanin historitë e tyre me të tjerët dhe kjo më bëri të ndihesha mirë”.
Korin hodhi në internet rezultatin e parë të testit të saj të shtatzënisë, i cili doli negativ, më 31 dhjetor 2014. “Gratë filluan të lidheshin me mua dhe të tregonin historitë e tyre. U ndjeva mirë që mund të ndaja frikërat e shqetësimet e mia. Sigurisht që unë mbështetem tek im shoq kur kam nevojë, por burrat nuk e kuptojnë sa duhet zhgënjimin e një testi negativ. Shpenzoj 30 paund çdo muaj thjesht me testet që bëj, pasi bëj më shumë se një test në ditë. Im shoq thjesht shfryn kur sheh pakot që më vijnë me postë. Por unë i blej këto teste lirë në internet, domethenë 5 paund për 30 copë. Kur mendoj se mund të kem ngelur shtatzënë, blej një më të shtrenjtë që është 12 paund një copë.
Nëse s’e bëj testin e shtatzënisë, më kap ankthi dhe mërzitem. Nuk i tregoj tim shoqi për çdo test negativ, ai s’ka nevojë ta dijë. Por u tregoj ndjekësve të mi në YouTube. Komuniteti TTC mbështet njëri-tjetrin dhe e di gjithnjë ç’të thotë.
Ashtu si Kerri, edhe Korin e humbi fëmijën e saj pasi postoi një test pozitiv në internet.
Sipas psikologut Graham Xhons, është ndjenja e mbështetjes shoqërore që udhëheq një trend të tillë. “50 vjet më parë jetonim në një botë kur trajtimet e fertilitetit nuk ishin të mundura, ndaj nëse një grua s’mund të mbetej shtatzënë, sjellja e përgjithshme ishte “ky ishte fati yt” dhe njerëzit ishin më të kuptueshëm. Por në ditët e sotme, ideja e përgjithshme është se çdo njeri mund të ketë fëmijë, edhe pse kjo s’është e vërtetë”.
Këto gra kërkojnë mbështetje nga të tjerët në një mënyrë që brezat e mëparshëm ua kërkonin mamave, motrave apo hallave që jetonin në të njëjtën lagje. YouTube po zëvendëson mbështetjen sociale fizike.
“Kjo nuk nënkupton që duhet të zëvendësojë një përqafim nga nëna apo motra, por është një mënyrë kopjimi”.
Ai thotë se sidoqoftë këto gra mund të jenë duke i ulur mundësitë e tyre për të mbetur shtatzënë. “Ashtu siç ka komente pozitive, ka edhe komente negative”, thotë psikologu. “Këto të fundit mund të ndikojnë në qetësinë mendore të grave, duke i bërë të mendojnë se s’do të ngelin kurrë shtatzënë dhe kjo do të thotë që ato kanë më pak mundësi për të mbetur shtatzënë”.
Shumë ekspertë të fertilitetit thonë se qetësia e mendjes dhe fertiliteti janë të lidhura dhe nëse stresi rritet për shkak të internetit, atëherë lind një problem i madh./ Arlinda Gjypi





