A do ta ngadalësojnë koronavirusin temperaturat e ngrohta të pranverës?

Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati

Sezoni i gripit zakonisht qetësohet nga prilli apo marsi, por a do të ndodhë kjo edhe me koronavirusin?

Nëse koronavirusi që po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën do të ndjekë sezonin e gripit dhe të fillojë të largohet me ardhjen e pranverës nuk dihet akoma, dhe shumë studiues thonë që është shumë shpejt për ta ditur se si do të sillet virusi i rrezikshëm në temperatura më të ngrohta.

Në familjen e koronaviruseve ka me dhjetra viruse, por vetëm shtatë mund të prekin dhe njerëzit. Katër prej tyre shkaktojnë ftohje të lehta, ndërsa të tjerët janë më misteriozë, vdekjeprurës dhe mendohet se transmetohen nga kafshë si lakuriqët e natës apo devetë.

Viruset që shkaktojnë gripin (influenza) apo të ftohurat e lehta nga koronaviruset, kanë tendencë të largohen në muajt më të ngrohtë sepse këta lloj virusesh kanë atë që shkencëtarët e quajnë “sezon”. Por është shumë e pasigurt nëse koronavirusi i ri SARS-CoV-2 do të sillet në të njëjtën mënyrë. Ata që po e studiojnë aktualisht sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi i ri shprehen se është shumë herët që të parashikohet nëse virusi do t’i përgjigjet ndryshimit të motit.

“Shpresoj se do të shfaqë ‘sezonalitet’, por është e vështirë të thuhet ,” tha Stuart Weston, studiues në Universitetin e Maryland, ku virusi po studiohet në mënyrë të pandërprerë.

Edhe pse si koronavirusi, ashtu edhe gripi janë infeksione respiratore, nuk dihet mjaftueshëm për SARS-CoV-2, në mënyrë që të parashikohet nëse do të ketë të njëjtin sezonalitet.

Në mënyrë që ta kuptojnë më mirë këtë shpërthim, shkencëtarët po analizojnë shpërthime të ngjashme si SARS apo MERS. SARS, që filloi të përhapet nga fund ii vitit 2002, ka ADN 90% të ngjashme me koronavirusin e tanishëm. Shpërthimi i SARS filloi në nëntor dhe zgjati deri në korrik, gjë që mund të ketë ardhur si pasojë e një sezonaliteti të mundshmë të virusit por edhe nga ndërhyrja e hershme. Me fjalë të tjera, a u zhduk me ngrohjen e temperaturave apo për shkak të trajtimit dhe mënyrave të përdorura të parandalimit.

MERS filloi në shtator 2012 në Arabinë Saudite, ku temperaturat janë zakonisht të larta. Ndryshe nga SARS, nuk u zhduk asnjëherë, dhe ndodh që me raste të raportohen dhe raste të reja. Kështu, nuk ka shumë prova për një sezonalitet të mundshëm të MERS.

Por është akoma e paqartë nëse SARS dhe MERS ishin me të vërtetë sezonalë, apo nëse koronavirusi i ri do të imitojë SARS. Weston thotë se laboratori i tyre është i fokusuar në zhvillimine trajtimeve dhe vaksinave për virusin, gjë që ai paralajmëron se me shumë mundësi nuk do të jenë të gatshme për të paktën një vit, në mos më shumë.

Cili është hapi i radhës?

Epidemiologu Marc Lipsitch, nga Harvardi nuk mendon se ndryshimet në mot do të bëjnë një ndryshim të madh në mënyrën se si përhapet virusi. COVID – 19 tashmë është raportuar në vende të ndryshme të botës. Nëse virusi është i ngjashëm me virusin e gripit të zakonshëm, mund të përkeqësohet në hemisferën jugore, me ndryshimin e stinëve.

David Heymann nga Shkolla e Londrës e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale, thotë se nuk dihet mjaftueshëm për virusin e ri për të parashikuar se si do të ndryshojë me ndryshimine kushteve të motit.

“Rreziku i bërjes së parashikimeve pa pasur prova, mund të na japë një siguri të rreme. Përpjekjet më të mëdha duhet të vazhdojnë të jenë rreth kontrollit dhe eleminimit të virusit nëse është e mundur ,” u shpreh ai.

Në mënyrë që të parandaloni infektimin nga çdo virus, jo vetëm nga koronavirusi i ri, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon larjen e shpeshtë të duarve, shmangien e kontaktit të afërt me persona që kanë simptoma si kolla apo tështitja, dhe kërkimin e menjëhershëm të trajtimit nëse jeni të sëmurë.

Burimi: National Geographic

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore