Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Blertina Koka
Gjalpi nuk është i rrezikshëm për shëndetin dhe nuk rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ka zbuluar një studim i ri. Shkencëtarët kanë zbuluar se një lugë gjelle gjalpë në ditë ka ndikim të ulët tek vdekshmëria, dhe nuk ka asnjë lidhje me sëmundjet kardiovaskulare dhe goditjet në tru. Madje ai mund të ulë edhe rrezikun për prekjen nga diabeti.
Në studimin më të fundit, shkencëtarët nga Universiteti Tufts në Boston analizuan rezultatet e nëntë studimeve të publikuara që nga viti 2005 nga 15 shtete, përfshirë këtu Amerikën, Britaninë dhe Evropën. Rezultatet u bazuan tek rreth 640 mijë të rritur të moshës nga 44-71 vjeç. Studimet në total kanë përfshirë 28 mijë vdekje, gati 10 mijë raste me sëmundje kardiovaskulare dhe 24 mijë raste me diabet.
Pasi analizuan të gjitha rezultatet e studimeve, hulumtuesit shkencorë dolën në përfundimin se një racion me gjalpë në ditë, 14 g ose gati një lugë gjelle, lidhet me një rrezik prej 1% të lartë të vdekjes. Konsumimi i gjalpit nuk kishte asnjë “lidhje të dukshme” me asnjë sëmundje kardiovaskulare, si sëmundjet koronare të zemrës dhe goditjet në tru.
Studimi tregon gjithashtu se personat që konsumojnë çdo ditë gjalpë janë 4% më pak të rrezikuar të vuajnë nga diabeti i tipit 2.
Megjithatë, këto rezultate nuk tregojnë se ju duhet ta teproni me gjalpin.
“Edhe pse rezultatet e këtij studimi tregojnë një lidhje të vogël dhe neutrale mes konsumimit të gjalpit dhe rritjes së rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, nuk na jep dritën jeshile që duhet të fillojmë të konsumojmë më shumë gjalpë”, shprehet dr. Tracy Parker, nga Fondacioni Britanik i Zemrës.
“Nevojiten më shumë studime për efektet e yndyrave të pangopura”, shpjegon ajo.
“Ajo që dimë është se yndyra është vetëm një element i dietës tonë. Ka shumë faktorë të tjerë që shkaktojnë sëmundje kardiovaskulare dhe asnjë ushqim apo lëndë ushqyese nuk është i vetmi përgjegjës për këtë”.
“Për të mbrojtur shëndetin e zemrës, ne do t’ju rekomandonim një dietë të balancuar të stilit mesdhetar, të pasur me fruta, perime dhe bishtajore”, përfundon dr. Parker.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


