A respektohet Kodi i Punës në Call Center?!

Përgatitën:

Ilma Lamçe, Koordinatore Projekti
Denisa Canameti, Gazetare investigative
Andi Muratej, Ekspert ligjor
Blertina Koka, Redaktore

Përmirësimi i performancës së tregut të punës, sa i takon sektorit Call Center, fillon me një vlerësim të qartë të pikave të forta dhe dobësive të sistemit ekzistues për krijimin, rregullimin dhe mirëfunksionimin e marrëveshjeve të punës. Aktualisht, kemi një kuadër të plotë ligjor që rregullon tregun e punës, duke kontribuar në vendosjen e rregullave të qarta sa i takon të drejtave dhe detyrimeve mes palëve (punëdhënës – punëmarrës). Kodi i Punës është ligji themelor që rregullon marrëdhëniet e punës dhe të partneritetit social në Republikën e Shqipërisë, i cili mbështetet në Kushtetutë dhe në Konventat Ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar. Ky dokument është rishikuar dhe përmirësuar disa herë, duke ndërhyrë dhe trajtuar çështje të cilat kanë lindur si rezultat i ritmit me të cilin shoqëria shqiptare zhvillon dhe përcakton faktorë që lidhen me zbatimin në praktikë të tij. Aktet nënligjore të dala në zbatim të tij bëjnë rregullimin e situatave specifike të punësimit, të cilat kanë një rrjedhë të punës të ndryshme nga rrjedha e zakonshme ( Monitorimi i zbatimit të të Drejtave të Punës në Sektorin Call Center, Together for life 2017). Përmes aktiviteteve (diskutime të hapura, trajnime) që shoqata “Together for life“ ka bërë në vazhdim me punonjës të Call Center, në kuadër të projektit “Mobilizimi social për të drejtat e punës në sektorin Call Center”, rezulton se punonjësit nuk i njohin specifikat e Kodit të Punës, përveç rasteve kur u është dashur të përballen me një problem konkret. Kjo situatë ka sjellë në disa raste përballje të tyre me punëdhënësit, të cilët (duke përfituar nga padija e punëmarrësit) kanë gjetur forma, të tilla si: “Vërejtje“ të njëpasnjëshme; për t’i hequr më pas nga puna. Lisandër. D: Nuk e di çfarë kishte rregullorja e brendshme, sepse nuk e kam lexuar kurrë. Nuk ishte e afishuar, as nuk e kisha lexuar asnjëherë. I kam firmosur të pesë vërejtjet. Më kanë dhënë 5 vërejtje për 4 vite. Të gjitha vërejtjet kishin të njëjtin objekt. Interpretimi ligjor: Rregullorja e brendshme Çfarë është rregullorja e brendshme? Kodi i Punës, përcakton që të drejtat dhe detyrimet lidhur me marrëdhënien e punës rregullohen në mënyrë përparësie nga këto burime: a) Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë b) Konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë c) Ky Kod dhe aktet e tij nënligjore d) Kontrata kolektive e punës e) Kontrata individuale e punës f) Rregullorja e brendshme g) Zakonet lokale dhe profesionale. Siç shihet, sipas përparësisë duke filluar nga Kushtetuta, të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga marrëdhëniet e punës mund të përcaktohen edhe nga rregullorja e brendshme. Si rregull, ky akt miratohet nga organi vendim-marrës apo më i lartë i punëmarrësit (asamble e anëtarëve, bord drejtues, drejtor ekzekutiv, etj).

Por, Kodi i Punës kujdeset që, aktet nënligjore, sikurse është rregullorja e brendshme, dalin në plotësim dhe zbatim të dispozitave të parashikuara nga ky Kod. Ato mund të përcaktojnë kushte pune më pak të favorshme për punëmarrësit, sesa ato të parashikuara nga ky Kod, vetëm kur kjo parashikohet shprehimisht në këtë të fundit. Çdo dispozitë që përmban rregullorja e brendshme, që shkel një dispozitë ligjore të një shkalle më të lartë (p.sh të Kodit të Punës), është e pavlefshme. Megjithatë, janë të vlefshme, vetëm ato dispozita që përmirësojnë pozitën e punëmarrësit. Sipas Kodit të Punës, punëmarrësi respekton urdhrat dhe udhëzimet e përgjithshme dhe të veçanta të punëdhënësit. Punëmarrësi nuk është i detyruar të zbatojë urdhrat dhe udhëzimet e përgjithshme dhe të veçanta të punëdhënësit, që ndryshojnë kushtet e kontratës së punës. Ndryshimi i kontratës bëhet me marrëveshje ndërmjet palëve. Punëmarrësi nuk është i detyruar të zbatojë urdhrat dhe udhëzimet e përgjithshme dhe të veçanta të punëdhënësit, që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tij. Si i komunikohet punonjësit? Kodi i Punës parashikon shprehimisht se, punëdhënësi duhet të vërë në dispozicion të punëmarrësve, në çdo ndërmarrje, Kodin e Punës, si dhe çdo ligj tjetër që rregullon detyrimet dhe të drejtat midis punëmarrësve dhe punëdhënësve. Rregullorja e Brendshme është një akt nënligjor. Duke qenë se ligji nuk e pengon, ajo mund të vihet në dispozicion të punëmarrësve të kompanisë duke u afishuar në ambientet e brendshme apo duke u pajisur me kopje të saj. Në këtë formë mund të konsiderohet njohja dhe komunikimi i punëmarrësve me rregulloren e brendshme. Kodi i Punës përcakton që vetëm kontrata individuale e punës, e lidhur në kushtet e mësipërme, nënshkruhet nga palët.

A është në kontratë?

Parashikimi i zbatimit të rregullores së brendshme, si mjet për rregullimin e marrëdhënies së punës në kontratën individuale të punës, është në diskrecion të vullnetit të dy palëve, punëmarrësit dhe punëdhënësit. Rregullorja e brendshme mund të mos parashikohet në kontratë, por me rëndësi është që kjo rregullore të mos ketë tejkalim të kufijve të të drejtave dhe detyrimeve të dyanshme, të parashikuar në Kodin e Punës.

ISHPSHSH: Ankesa për mosrespektim të ditëve të festave zyrtare

Pranë Inspektoriatit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për sektorin Call Center janë adresuar një numër i konsiderueshëm ankesash/denoncimesh për të gjetur zgjidhje.

Ky sektor nuk bën përjashtim nga aktivitetet e tjera, të cilat në situata, kohë apo sezone të ndryshme mund të shfaqin problematika të ndryshme. Problematika që ka shoqëruar sektorin Call Center lidhet kryesisht me dy aspekte:

– Vonesat e pagave të punëmarrësve. Pas trajtimit të rasteve të ardhura, ka rezultuar se vonesat vijnë si rezultat i mospagimit në kohë për shërbimin nga kontraktuesit, që në shumicën e rasteve janë të huaj.

– Mosrespektim të kontratës individuale të punës mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Nga verifikimet e kryera, na rezulton se, edhe pse ky dokument është lidhur sipas Kodit të Punës në Republikën e Shqipërisë, kemi mosrespektim të të drejtave të punëmarrësve për kompensim me pushim ose me pagesë së punës së kryer në turnin e dytë, në ditët e festave zyrtare etj ( Monitorimi i zbatimit të të Drejtave të Punës në Sektorin Call Center, Together for life 2017).

Shoqata Together for life i është drejtuar përmes një shkrese Inspektoriatit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për sektorin Call Center, lidhur me numrin e ankesave dhe objektin e tyre. “Për periudhën Janar – Gusht 2018, pranë institucionit tonë janë depozituar 32 ankesa, nga punonjës të sektorit Call Center, përkatësisht në qarqet Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Tipologjia e ankesave të depozituara ka qenë kryesisht në lidhje me cenimin e marrëdhënieve të punës, ku përfshihen: ankesat për vonesa të pagave, moslidhje kontrate pune, mosrespektim i orëve të punës, mospagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore (jo mosdeklarim i tyre në organet tatimore), kohëzgjatja e pushimeve vjetore si dhe për punë të kryer në ditët e festave zyrtare dhe jo të kompensuara sipas legjislacionit.

Janë sanksionuar 4 subjekte, në 85% të rasteve për shkelje të Legjislacionit të Punës në lidhje me marrëdhëniet e punës, ku përfshihen moszbatim i dispozitave ligjore për orët e punës, ditët e pushimit javor dhe për punën e kryer në ditët e festave zyrtare, dhe 15% të rasteve për kushte pune të pasigurta“, thuhet në shkresë.

E drejta për organizata profesionale (Neni 176, Kodi i Punës)

Është e nevojshme rritja e ndërgjegjësimit të punonjësve të sektorit Call Center për të drejtat e punës, konceptet e punës së denjë dhe lirisë sindikale. Shumë e rëndësishme gjithashtu është që në të gjitha proceset e informimit të theksohen njëkohësisht të drejtat dhe detyrimet që palët e lidhur në marrëveshje individuale/kolektive (punëdhënës – punëmarrës/organizim sindikal) kanë mes tyre (Rekomandime; Monitorimi i zbatimit të të Drejtave të Punës në Sektorin Call Center, Together for life 2017). Sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve janë organizata profesionale.

Organizatat profesionale të punëmarrësve dhe të punëdhënësve janë organizata shoqërore, të pavarura, që krijohen si bashkime vullnetare të punëmarrësve ose punëdhënësve, qëllimi i të cilave është përfaqësimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave ekonomikë, profesionalë dhe shoqërorë të anëtarëve të tyre. Organizatat e punëmarrësve dhe të punëdhënësve kanë të drejtë të krijojnë federata e konfederata dhe të anëtarësohen në to. Federata krijohet nga bashkimi vullnetar i dy ose më shumë organizatave profesionale. Konfederata krijohet nga bashkimi vullnetar i dy ose më shumë federatave. Çdo organizatë, federatë ose konfederatë ka të drejtë të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare punëmarrësish ose punëdhënësish. Në kuptim të kësaj dispozite, pensionistët dhe të papunët mund të anëtarësohen në organizatat e punëmarrësve.

Liritë sindikale

  • Neni 181 – Parimet (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)
  1. Organizata sindikale organizon lirisht administrimin dhe veprimtarinë e saj; ajo harton lirisht programin e saj.
  2. Çdo organizatë sindikale duhet të zhvillojë veprimtarinë e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  3. Ndalohet diskriminimi ndaj përfaqësuesve të sindikatës.
  4. Zgjidhja nga punëdhënësi e kontratës së punës për përfaqësuesit e organizatës së punëmarrësve, pa pëlqimin e kësaj organizate, është e pavlefshme, me përjashtim të rasteve kur punëmarrësi shkel ligjin, kontratën kolektive të punës, kontratën individuale të punës ose nëse punëdhënësi provon që zgjidhja e kontratës është e domosdoshme për veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjes.
  5. Ndryshimi i kushteve të kontratës së punës të përfaqësuesve të organizatës së punëmarrësve mund të bëhet vetëm me pëlqimin e punëmarrësit dhe të kësaj organizate. Punëdhënësi nuk mund të ndryshojë vendin e punës së përfaqësuesve të organizatës së punëmarrësve, edhe nëse ky ndryshim është parashikuar nga kontrata e punës, pa pëlqimin e punëmarrësit dhe të kësaj organizate, me përjashtim të rasteve kur ndryshimi është i domosdoshëm për veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjes.
  6. Nëse përfaqësuesit e organizatave të punëmarrësve, që veprojnë në shkallë kombëtare, gjatë mandatit të tyre punojnë dhe paguhen nga këto organizata, kontrata e tyre e punës me punëdhënësin pezullohet. Në përfundim të mandatit pezullimi mbaron dhe kontrata e punës rihyn në fuqi. Që nga ky çast, palët kanë të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga kontrata e punës.
  7. Punëdhënësi duhet të krijojë kushte dhe lehtësitë e nevojshme për përfaqësuesit e zgjedhur të organizatave të punëmarrësve për ushtrimin normalisht të funksioneve të tyre, të cilat përcaktohen në kontratën kolektive të punës. Për këtë qëllim, punëdhënësi duhet: a) të lejojë hyrjen e tyre në mjediset e punës; b) të lejojë shpërndarjen e njoftimeve, broshurave, publikimeve dhe dokumenteve të tjera të organizatës së punëmarrësve; c) t’u japë kohën e nevojshme për të marrë pjesë në veprimtaritë e këtyre organizatave brenda dhe jashtë vendit; ç) të lejojë dhe t’u krijojë lehtësi në mjediset e punës për grumbullimin e kuotizacioneve të organizatës, si dhe për organizimin e mbledhjeve dhe të takimeve.

Neni 182 – Mbrojtja e të drejtave të anëtarëve në gjykatë (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996) Çdo organizatë punëmarrësish e njohur si person juridik mund t’i drejtohet gjykatës për mbrojtjen e interesave të secilit prej anëtarëve të saj, për të arritur zbatimin nga punëdhënësi të dispozitave të ligjit, kontratës kolektive ose individuale të punës.

Neni 183 – Burimet 1. Burimet e organizatave sindikale përbëhen nga kuotizacionet, dhurimet, të ardhurat e veprimtarive shoqërore, ekonomike ose kulturore. 2. Të ardhurat e siguruara nga organizatat sindikale përjashtohen nga taksat për aq sa parashikohet në ligjin fiskal.

Lisandër. D: Nuk e njihja kodin e punës, derisa fillova të kërkoj çfarë më takonte

Kam punuar në disa kompani Call Center. Punën e kam nisur para 8 vitesh. Kam mbaruar gjimnazin. Para se të nisja punë, nuk kam patur shumë njohuri për Kodin e Punës. Besoj se askush nuk ka njohuri për Kodin e Punës derisa hyn në marrëdhënie pune. Për shkak të disa nevojave familjare, lindi nevoja për një kredi urgjente. Mirëpo, që të merrja atë kredi, më duhej një vërtetim pune. Pra, një dokument që vërtetonte që isha në punë. E kërkoj te kompania që po punoja dhe nuk po ma jepnin. Hyj dhe lexoj, shikoj që kishte një Inspektoriat Pune, që kishte për detyrë të më ndihmonte në këto raste. Shkoj te Inspektoriati, takoj inspektorin përgjegjës që ishte aty dhe bëj ankesë, verbale. Në praninë time, inspektori mori në telefon një përfaqësues të kompanisë ku unë punoja dhe të nesërmen e mora vërtetimin. Që nga ai moment në kompani fillova të shihesha si “delja e zezë”. Sepse më shikonin si një model të keq për pjesën tjetër. Përgjegjësi i sallës më urdhëroi të ulesha larg nga grupi, duke më veçuar nga të tjerët. Më uli në cep të sallës, në një pozicion ku përballë shkrimores kam patur vetëm murin. Ndihesha i dhunuar dhe i frustruar nga kjo sjellje ndaj meje. Kërkova të ulem pranë grupit. Por, eprori i sallës më urdhëroi përsëri që të ulesha në cep ose nëse nuk pranoja, duhet të largohesha nga vendi i punës. Pra, të tjerët tashmë e dinin që ekzistonte një Inspektoriat Pune ku mund të ankoheshin. Në atë kompani kam punuar 4 vite Që prej kohës kur bëra ankesën për vërtetimin e punës, filluan vërejtjet. Më kërkonin të firmosja vërejtje për përdorim celulari. Pra, sipas tyre unë përdorja celular në orar të punës. Unë nuk kam marrë kurrë kopje të vërejtjes. Vetëm kam firmosur dhe kaq. Interpretimi ligjor: Vërejtjet në punë Kur bëhet vërejtje në punë? Kodi i Punës parashikon se, gjatë një marrëdhënie pune, për shkaqe që lidhen me kryerjen e detyrës, punëdhënësi mund t’i japë punëmarrësit masë disiplinore, por nuk i parashikon shprehimisht llojet e masave disiplinore. Në çdo rast kontrata individuale duhet t’i referohet akteve përkatëse, lidhur me masat disiplinore. Në praktikë, masat disiplinore specifikohen në Kontratën individuale të Punës. Si rregull, kontrata përmban nga masat me të lehta deri tek masa më e rëndë që është largimi nga detyra. Për të njëjtën shkelje nuk mund të jepen dy masa disiplinore. Por, për të njëjtën shkelje, të përsëritur, mund të jepet një masë më e rëndë se masa e dhënë herën e parë. Kodi i Punës përcakton që, procedura e shqyrtimit të masës disiplinore nga punëdhënësi duhet të garantojë të drejtën e punëmarrësit për t’u dëgjuar, mbrojtur, parashtruar fakte dhe prova, brenda një afati të arsyeshëm. Këto janë garanci të një procesi të rregullt ligjor që e mbrojnë punëmarrësin. Sa e bëjnë vërejtjet më të lehta, zgjidhjen e kontratës së punës? Masa disiplinore, nga masa më e lehtë deri tek masa më e rëndë, jepet në përputhje me rëndësinë e shkeljes së detyrës të konsumuar nga punëmarrësi. Masa e fundit dhe më e rëndë për punëmarrësin është largimi nga detyra dhe zgjidhja e kontratës së punës. Shkelja e përsëritur e detyrës apo kryerja e shkeljeve të rënda rëndojnë pozitën e punëmarrësit dhe mund të shpien, në mënyrë progresive, në marrjen e masës së largimit nga detyra nga ana e punëdhënësit.

A duhet të marrin punëmarrësit kopje të vërejtjes?

Kodi i Punës nuk e parashikon qartësisht këtë gjë, por kjo e drejtë rezulton nga dispozita përkatëse që rregullon afatin e parashkrimit për masën disiplinore. Në këtë dispozitë përcaktohet që, afati i parashkrimit për masën disiplinore është një vit, nga momenti i marrjes së masës disiplinore, njoftuar me shkrim punëmarrësit. Procedura e njoftimit me shkrim të masës disiplinore nënkupton edhe vënien në dispozicion i një kopje origjinale të masës disiplinore punëmarrësit. Vërejtje për përdorim celulari A ishte mospërdorimi i celularit, kusht i përcaktuar në rregulloren e brendshme?

Pushime sipas Kodit të Punës Italian

Lisandër. D: Nuk bëjmë pushime në ditët e festave shqiptare, por në ditët e festave italiane.
Kërkova pushim gjatë festave tona zyrtare. Në Itali më duket se janë vetëm 9 festa zyrtare, ndërkohë që ne kemi më shumë. Për ta, ishte më mirë që të bënim pushim festat e tyre.
Edhe për këtë i jam drejtuar Inspektoriatit. Inpektoriati erdhi në kontroll. Ankesa që bëra ndikoi në rishikimin e kontratës, dhe bërjen e një shtojce.

Interpretimi ligjor: Festat zyrtare Si duhet të funksionojë?
Kodi i Punës përcakton kriteret ligjore se çfarë janë ditët e festave zyrtare. Sipas këtij Kodi, puna në ditët e festave zyrtare, si rregull, ndalohet. Punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare. Kur dita e festës zyrtare bie në ditët e pushimit javor, pushimi shtyhet ditën e hënë. Përjashtimet për kategori të caktuara të punëmarrësve për të punuar në ditët e festave zyrtare përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave ose në kontratën kolektive. Puna e kryer në ditën e pushimit javor kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25 për qind, ose me një pushim të pagueshëm, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një pushim shtesë, jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune. Puna e kryer në ditët e festave zyrtare, kur ato bien ditë pune, kompensohet me një shtesë mbi pagë, jo më pak se 25 për qind dhe me një pushim të pagueshëm, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer në ditët e
festave zyrtare. Pushimi merret një javë para ose pas kryerjes së punës.
Kur dita e festës zyrtare bie ditën e pushimit javor, atëherë pushimi shtyhet për ditën pasardhëse të punës. Mënyra dhe masa e kompensimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, kontratën kolektive ose kontratën individuale të
punës.

Në cilat raste mund të festohen festat e një vendi tjetër, në vendin tonë?

Në Kodin e Punës përcaktohet se, kontrata e punës rregullohet nga ligji i shtetit, ku punëmarrësi kryen zakonisht punën e vet, edhe nëse ai dërgohet nga punëdhënësi të punojë përkohësisht në një shtet tjetër,
Megjithatë, Kodi i Punës parashikon se, palët me marrëveshje (p.sh. përmes kontratës individuale të punës) mund të zgjedhin zbatimin e një ligji tjetër, ndryshe
nga sa më sipër. Kjo zgjedhje nuk mund ta privojë punëmarrësin nga mbrojtja që i sigurojnë atij dispozitat urdhëruese të ligjit, që do të jetë i zbatueshëm në mungesë të zgjedhjes.
Në këtë kuptim, quhen urdhëruese të gjitha dispozitat që, në bazë të ligjit, nuk duhet të cenohen me kontratë në dëm të punëmarrësit.

*Shënim: Çështjet e ngritura nga punonjësi Lisandër.D përfaqësojnë problemet kryesore të punonjësve të sektorit call center. Këto problematika konfirmohen edhe nga Inspektoriati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore përmes komunikimeve zyrtare (shkresore) me shoqatën Together for life.

Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Mobilizimi Social për të drejtat në Punë në sektorin Call Center” i mbështetur nga Olof Palme Center, me fonde të
qeverisë suedeze. Opinionet, gjetjet, konkluzionet janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qeverisë Suedeze.

 

Postime të ngjashme

“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj