Kryefaqja Aktualitet Aborti selektiv me bazë gjinore në Shqipëri! TFL: 33 mijë vajza të...

Aborti selektiv me bazë gjinore në Shqipëri! TFL: 33 mijë vajza të munguara që prej vitit 1990

0
Shpërndaje

Në Shqipëri trarët e shtëpisë ende qajnë kur lindin vajza.

Studimi i fundit i realizuar nga shoqata Together for Life tregon se prej vitit 1990 mbi 33 mijë vajza i mungojnë Shqipërisë. Ato nuk patën kurrë mundësinë që të lindnin, pasi u abortuan.

Shoqata “Together for Life”, në kuadër të projektit «Forcimi i demokracisë në sistemin shëndetësor përmes respektimit të të drejtave të njeriut», i mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, realizoi studimin “Aborti selektiv me bazë gjinore në Shqipëri”.

Ky studim synon të japë një panoramë të abortit selektiv në Shqipëri, shkaqet e këtij fenomeni, si dhe të japë rekomandime për ndryshime në nivel ligjor, por edhe në ngritjen e strukturave përkatëse për ta luftuar këtë fenomen.

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Exclusive” u tregua me zë dhe me figurë
se si në vendin tonë “vrasja e vajzave” ende ekziston. Rastet e nënave shqiptare që detyrohen të kryejnë abort vetëm sepse në bark mbajnë vajzë janë të shumta, ku sipas studimit të kryer nga shoqata Together for Life, në Ballkan Shqipëria mban vendin e parë për abortin selektiv, duke u renditur pas Maqedonisë.

“Që nga viti 1990 e deri më sot, në Shqipëri janë 33 mijë vajza të munguara”, thotë Eglantina Bardhi, nga “Together For Life”.

“Ne mbajmë vendin e parë në Europë”, pranon fatkeqësisht mjekja Rubena Moisiu, ish-drejtoreshë materniteti.

“Kryesisht këto aborte kryhen në tremujorin e dytë të shtatzënisë, sepse atëherë dallohet më mirë gjinia e fëmijës. Është një vendim familjar sigurisht,” tregon Rubena Moisiu, mjeke gjinekologe në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Abortet selektive kryesisht kryhen fshehurazi nëpër klinika private, por edhe në spitale shtetërore në rastet kur nënat sigurojnë në rrugë të jashtëligjshme raporte mjekësore në të cilat paraqiten me sëmundje të rënda.

“Aborti u bë atëherë kur u konstatua gjinia, që ishte vajzë. Në mos gaboj isha katër muajshe, e kam hequr me dhunë. Të heqësh një fëmijë, është të rrezikosh jetën tënde në radhë të parë. U detyrova të rregulloja një raport mjekësor që të hiqja fëmijën. Nëpërmjet një mjeku të përcaktohet diagnoza që je me problem në zemër, je me probleme të tjera, nuk ta mban mitra, ndërkohë që unë nuk kisha asnjë nga këto. Sajova një gënjeshtër. Burri (gjatë kësaj kohe) u largua, u ftoh nga unë se unë i thosha nuk dua ta heq ai…por u detyrova, u detyrova dhe i lutesha zotit të ma falte,” rrëfen një grua.

“Shkuam e kontrolluam e pamë që ishte vajzë dhe vendosëm me burrin që ta hiqnim, meqë ishte katërta vajzë…Tani jam bërë pishman, sepse jam shumë krenare për vajzat që kam,” tregon një tjetër nënë që ka abortuar vajzën.

Tirana mban numrin më të lartë të aborteve në vendin tonë referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Por në këto të dhëna aborti selektiv nuk është i regjistruar asgjëkundi duke qenë se në rastet e abortit gjinia e bebes nuk shkruhet në kartelën mjekësore. Ndërkohë çekuilibri i raportit gjinor që po krijohet si pasojë e këtij fenomeni të frikshëm mund të çojë në një rritje të madhe të numrit të djemve dhe kjo referuar rasteve të vendeve si India apo Kina mund të sjellë dhunë gjinore, trakim e të tjera plagë në shoqëri.

Pra, në vendin tonë ka ende çifte që përpara se të pyesin për shëndetin e bebes së tyre pyesin për gjininë dhe janë gati të vrasin foshnjën e tyre, në mos qoftë djalë.

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here