Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete ACT – për barazinë gjinore në Shqipëri

ACT – për barazinë gjinore në Shqipëri

0
Shpërndaje

Arti ka fuqinë e papërsëritshme që të flasë me gjuhën e secilit. Arti informon, frymëzon dhe bashkon njerëz nga e gjithë bota.

ACT – Artistët Krijojnë së Bashku, një projekt i zhvilluar në 5 shtete të ndryshme, vjen edhe në Shqipëri, për të frymëzuar të rinjtë përmes artit dhe kulturës.

Përmes formave të ndryshme të artit, muzikës, historive frymëzuese, muraleve, artistë model dhe të rinj shqiptarë arritën të përçonin mesazhe dhe vlera brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në përmbyllje të projektit, të mbështetur nga Ministria e Jashtme Holandeze, Qendra Act for Society, implementuese e projektit për Shqipërinë, organizoi një konferencë virtuale, ku kontribuuesit e projektit ndanë me pjesëmarrësit eksperiencat e këtij rrugëtimi të veçantë, gjatë të cilit ndezën skenat, pikturuan murale, organizuan takime për dhe me të rinjtë, duke tërhequr interesin e të rinjve, por jo vetëm. Act for Society prej vitesh trajton çështjet rinore dhe të drejtat e njeriut dhe është pjesë e Rrjetit Masterpiece Global, një ndër rrjetet më të mëdha të organizatave që promovojnë të drejtat e njeriut dhe paqes, nëpërmjet artit dhe dialogut.

 

 

“Projekti ka si qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve rreth 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, nëpërmjet artit dhe kulturës”, theksoi Xhoi Bare, menaxher i këtij projekti.

Në hapjen konferencës, drejtuesi i rrjetit të organizatave Masteripece Global dhe drejtori i projektit ACT, Aart Bos ndau me miqtë virtualë objektivat e projektit që arriti të bashkojë njerëz nga e gjithë bota me fuqinë e artit dhe kulturës.

“ACT konsiston në 4 shtylla të rëndësishme: Artistë model që frymëzojnë të rinjtë, ku përmes një performance të jashtëzakonshme, këngëtarja shqiptare Olta Boka dhe artisti holandez Roel Van Velsen bënë thirrje për paqe dhe dialog. Storytelling – 800 vajza nga 5 shtete të ndryshme ndanë historitë e tyre frymëzuese, treguan për pritshmëritë dhe frikërat e tyre, si dhe ëndrrat për një të ardhme më të sigurt. Walls of connections – fuqia e vizualizimit përmes muraleve, për të shprehur ëndrrat e të rinjve brenda një komuniteti. Janë krijuar 40 murale në 5 shtete të ndryshme që vizualizojnë ëndrrat për një të ardhme më të mirë. Si dhe janë zhvilluar samite, konferenca dhe workshope me të rinjtë për të diskutuar mbi krijimin e një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë”, theksoi drejtuesi i projektit ACT, Aart Bos.

“Projekti si tematikë kishte barazinë gjinore dhe nuk u përqendrua vetëm në organizimin e disa workshop-eve me të rinjtë, por janë ndërthurur me artin dhe kulturën, duke promovuar barazinë gjinore përmes artit vizual dhe muzikor”, tregon Armela Pengili, drejtore ekzekutive e Qendrës Act for Society.

Pandemia COVID-19 dhe izolimi shoqëror krijoi një realitet të ri, me të cilën të gjithë duhet të përshtateshim. Të njëjtën sfidë patën edhe zbatuesit e projektit ACT, të cilët u deshën t’i organizonin aktivitetet nën masa të rrepta sigurie për parandalimin e përhapjes së virusit, por pa e humbur aspak rëndësinë dhe vlerën e aktivitetit.

“Kur projekti ACT nisi 2 vite më parë, nuk do e imagjinonim që implementimi do të ndryshonte krejtësisht për shkak të COVID-19. Në fund të kësaj eksperience sfiduese dhe njëkohësisht frymëzuese, ku kultura dhe kreativiteti janë përdorur për të nxitur kohezionin social, duke parë të gjitha rezultatet, historitë frymëzuese, murale, koncerte dhe forma të tjera të artit, mund të themi që arti ndryshoi perceptimin tonë mbi realitetin, si dhe ishte një mjet edukimi efikas për tema të rëndësishme si të drejtat e  njeriut, diversiteti dhe gjithëpërfshirja”, u shpreh ambasadorja e Holandës në Shqipëri, shkëlqesia e saj znj. Guusje Korthals ALTES.

Projekti gjeti mbështetjen edhe të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, Bashkisë Tiranë, Bashkisë Pogradec, Qendrave Rinore në Tiranë dhe Pogradec, si dhe të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë.

“Është shumë e rëndësishme për UNFPA të mbështesë të rinjtë dhe organizatat rinore, të cilët me artin dhe talentin e tyre, angazhohen të promovojnë 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, sidomos në zhdukjen e pabarazive dhe promovimin dhe arritjen e barazisë gjinore, duke fuqizuar vajzat dhe gratë dhe duke i dhënë fund dhunës me bazë gjinore, një çështje kjo urgjente për t’u adresuar edhe në Shqipëri”, u shpreh Elida Nuri, analiste e komunikimit pranë Zyrës së UNFPA në Shqipëri.

Arti ka fuqinë të thyejë çdo kufi dhe pengesë mes vendeve, por edhe brenda një shoqërie, duke i bashkuar të gjithë në angazhimin për të eliminuar paragjykimin dhe pabarazitë, për krijimin e shoqërive që garantojnë të drejtat dhe liritë për të gjithë dhe cilindo.

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here