Agjencia Europiane e Barnave miraton trajtime të reja për COVID

Agjencia Europiane e Barnave (AEB) ka autorizuar barnat Xevudy dhe Kineret, si dhe ka dhënë dritën jeshile për përdorimin e pilulës COVID-19 të Pfizer në raste emergjencash.

Komisioni Europian do të vendosë për miratimin përfundimtar për këto tre trajtime.

Çfarë dimë deri tani për ilaçet e COVID?

Ilaçi i antitrupave monoklonal Xevudy (sotrovimab), i cili është zhvilluar nga bashkëpunimi i gjigantit farmaceutik në Mbretërinë e Bashkuar, GlaxoSmithKline, me firmën amerikane Vir Biotechnology, “ul ndjeshëm mundësinë e shtrimit në spital dhe të humbjes së jetës te pacientët me një sëmundje dytësore”, tha AEB në një deklaratë, duke cituar studimin e saj.

Trajtimet me antitrupa monoklnal përbëhen nga proteina të krijuara në laborator që imitojnë reagimin e trupit ndaj infeksioneve. Xevudy është ilaçi i tretë i antitrupave monoklonal i miratuar nga AEB.

Kineret (anakinra), i cili prodhohet nga kompania suedeze Orphan Biovitrum me bazë në Stokholm, mund të “ulë dëmtimin e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, duke parandaluar zhvillimin e problemeve të rënda të frymëmarrjes”, deklaroi agjencia në një njoftim të veçantë për shtyp.

Rregullatori kryesor i barnave të BE-së autorizoi gjithashtu pilulën COVID-19 të Pfizer për përdorim në raste emergjencash, duke thënë se ilaçi “mund të përdoret për të trajtuar të rriturit me COVID-19 të cilët nuk kanë nevojë për oksigjen shtesë dhe që kanë rrezik të shtuar për të përparuar në stade të rënda të sëmundjes”.

Kjo pilulë, e njohur si Paxlovid, mbetet ende për t’u rishikuar plotësisht nga AEB.

“Paxlovid duhet të administrohet sa më shpejt që të jetë e mundur pas diagnostikimit të COVID-19 dhe brenda pesë ditëve nga fillimi i simptomave”, tha agjencia për këtë pilulë.

Miratimi përfundimtar për tre barnat varet nga Komisionit Europian. BE-ja ka autorizuar deri më tani gjashtë trajtime për COVID.

Dhënia e autorizimeve vjen në mes të shqetësimeve për Omicron

Këto autorizime vijnë në një kohë kur BE-ja përgatitet për një rritje të mundshme të rasteve nga varianti i sapozbuluar i virusit, Omicron. Sipas studimeve, Xevudy ka rezultuar të jetë efektiv kundër të gjitha mutacioneve të Omicron, së bashku me Paxlovid i cili gjithashtu pritet që të jetë në gjendje ta përballojë variantin e ri.

Franca të enjten kufizoi udhëtimet nga Mbretëria e Bashkuar dhe forcoi kontrollet e udhëtimeve nga shtetet e tjera të BE-së për shkak të shqetësimeve për Omicron.

Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha në fillim të kësaj jave se nevojiten “veprime të forta” për të përballuar përhapjen e variantit Omicron, si dhe pretendoi se vetëm vaksinat nuk janë të mjaftueshme për të frenuar një valë tjetër. /DW

Postime të ngjashme

Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet
Raporti i TFL: Probleme me kostifikimin e shërbimeve dhe raportimin e efektivitetit të shpenzimeve