Akademia e Notit “Te Stela” triumfon në Berlin mes 1000 notarëve

te-stela-berlin-2016-2

Bisedoi: Elona Tereziu, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online

Në Gjermani nuk mund të fitojnë të gjithë, por kampionët e Stelës bëjnë përjashtim. Bëhet fjalë për mitingun ndërkombëtar të notit për fëmijë të mbajtur për të shtatin vit radhazi në Berlin, përgjatë datave 17 dhe 18 dhjetor 2016. Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 1000 garues nga klube të shteteve të ndryshme, ndërkohë që Akademia e Notit “Te Stela” ishte i vetmi ekip përfaqësues për Shqipërinë.

Me gjithë me numrin më të paktë të notarëve, 12 kampionët e Stelës u kthyen me 11 medalje në Shqipëri, duke dëshmuar bindshëm edhe një herë se kjo akademi rrit vetëm notarë podiumesh.

Mario Koxhaku, trajner i Akademisë së Notit “Te Stela” rrëfen përvojën në Berlin, duke e konsideruar një sukses faktin që ekipi i tij, ndonëse i vogël në numër, arriti të rrëmbejë 11 medalje mes 1000 garuesve pjesëmarrës.

Ndërkohë, pjesëmarrja e Akademisë së Notit “Te Stela” në këto gara mund të konsiderohet edhe si një histori suksesi për notin shqiptar, i cili tashmë arrin të konkurrojë edhe vende si Gjermania, Franca e Austria, megjithëse kushtet teknike dhe mbështetja federale për klubet shqiptare mbetet ende shumë larg.

Akademia e Notit “Te Stela” në Berlin.  Si ishte pjesëmarrja në këto gara?

Ky ishte një nga aktivitetet më të rëndësishme ku Akademia e Notit “Te Stela” ka marrë pjesë, nisur këtu nga numri i lartë i notarëve pjesëmarrës, mbi 1000, ndërkohë që ne evenimentet e tjera ku kemi marrë pjesë ky numër nuk ka qenë asnjëherë më tepër se 500.

Aktiviteti bëhej në rang klubesh dhe pjesëmarrja ishte me dëshirë, pra, mund të shkonte kushdo. Nga Shqipëria ne ishim i vetmi klub pjesëmarrës.

Me sa notarë u përfaqësua “Te Stela”?

Akademia e Notit “Te Stela” u përfaqësua në këto gara me 12 notarë, nga të cilët 8 ishin djem dhe katër vajza. Mund të përmendim këtu: Endi Kolën, Devi Bardhin, Gresi Koxhakun, Hubert Çurçinë, Sonja Kapedanin etj, të ndarë në kategoritë përkatëse të moshave.

Mbi çfarë kriteresh u përzgjodhën notarët pjesëmarrës?

Mbi bazë të eksperiencës dhe normave. Duhet të kishe të paktën dy vjet eksperiencë si notar profesionist, pa llogaritur pjesën fillestare ku thjesht mësohet noti, dhe sigurisht të ishte notar cilësor. Megjithatë, duke qenë se pjesa e shpenzimeve në gara të tilla mbulohet nga vetë notarët, pati dhe nga ata që, pavarësisht se notarë medaljesh, fatkeqësisht nuk mundën të vinin.

Sa çmime u fituan nga notarët e Stelës?

Për moshën 10 vjeç notari Gresi Koxhaku mori 1 medalje ari në 200m shpinë dhe 1 medalje argjendi në 50m shpinë, si dhe 1 medalje bronzi në 50m stil i lirë.

Për moshën 11 vjeç, notari Devi Bardhi mori 2 medalje ari në 50m stil i lirë dhe 50 flutur, 1 medalje argjendi në 100m stil i lirë.

Për moshën 10 vjeç, Endi Kola mori dy medalje argjendi në 50m dhe 100 m bretkosë, 2 medalje bronzi 100m stil i lirë dhe 100 flutur.

Për moshën 14 vjeç, Ergi Veli mori për 200m bretkosë, një medalje bronzi.

te-stela-berlin-2016-1Megjithëse konkurruat vetëm me 12 notarë, u kthyet me 11 medalje. Sa e vështirë ishte kjo?

Është e vërtetë. U kthyem me 11 medalje, prej të cilave 4 ishin medalje ari, 4 argjendi dhe 3 bronzi. Sigurisht që nuk ishte e lehtë, pasi ekipet e tjera pjesëmarrëse konkurronin me nga 50-100 notarë, megjithatë ky është thjesht shpërblimi i punës së palodhur me këta fëmijë.

Sa rekorde u thyen?

Sonja Kapedani /100 bretkosë  1.24.39 (kategoria B ferma)

Endi Kola/ 50 bretkosë 42.77 (kategoria C meshkuj)

Endi Kola / 100 bretkosë  1.31.87 (kategoria C meshkuj)

Gresi Koxhaku / 50 shpinë  36.80 (kategoria C meshkuj)

Gresi Koxhaku / 200 shpinë 2.48.23 (kategoria C meshkuj)

Gresi Koxhaku / 50 delfin  35.09 (kategoria  C meshkuj)

Endi Kola/ 100 delfin  1.20.80 (kategoria C meshkuj)

Devi  Bardhi/ 50 s.lirë 28.92 (kategoria B meshkuj)

Devi Bardhi/ 100 s.lirë 1.04.40 (kategoria B meshkuj)

Hubert Çurçia/  200 s.lirë 2.23.00 (kategoria B meshkuj)

Devi Bardhi/ 50 delfin  23.12 (kategoria B meshkuj)

Hubert Çurçia/  100 delfin 1.10.98 (kategoria B meshkuj)

Ared Ruçi/ 200 shpinë 2. 27. 94 (kategoria A meshkuj)

Pse ishte e rëndësishme pjesëmarrja juaj në këto gara?

Ishte një aktivitet madhor, me një konkurrencë shumë të madhe dhe ndoshta në këtë rast më tepër se gjithçka pjesëmarrja atje na vlejti për të testuar veten ku jemi.

Ne kemi marrë pjesë dhe në shumë aktivitete të tjera ndërkombëtare, por me një konkurrencë të tillë dhe notarë nga shtete të fuqishme, si: Gjermania, Franca, Austria etj, të cilët duhet pranuar i kanë të gjitha kushtet përsa i përket sportit të notit (vetëm në kompleksin ku u zhvilluan këto gara ishin 18 pisha të mbyllura, ndërkohë që tek ne, tre pishina kemi në të gjithë Tiranën), nuk është e lehtë të kthehesh me medalje, megjithatë ne u kthyem me plot 11.

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU