Akreditimi i institucioneve shëndetësore, hapat konkrete

Isuf KaloRruga dhe procedura që duhet të ndjekin institucionet e shërbimit parësor. Baza ligjore dhe rregullative për kohën, tarifat dhe vendimi për certifikim

Prof. Dr. Isuf Kalo

Edhe institucionet e shërbimit parësor duhet t’i nënshtrohen procedurës së akreditimit sipas ligjit. Për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të këtyre institucioneve, suplementi “Poliklinika dhe qytetari” sjell për lexuesit hapat konkrete që kalon i gjithë akreditimi. Materiali është përgatitur nga drejtuesi i QKCSA-së,  Prof. Dr. Isuf Kalo. Në ankesë keni edhe standardet që duhet të plotësojnë qendrat shëndetësore të shërbimit parësor.

Regjistrimi në procedurë

Institucionet shëndetësore regjistrohen në procedurën e akreditimit brenda dy vitesh nga momenti i hyrjes në fuqi të VKM Nr. 315, datë 23.03.2011. Aplikimi bëhet sipas një forme të posaçme e shpallur nga QKCSA online.

Nëse një institucion shëndetësor nuk ka aplikuar për t’u regjistruar atëherë është QKCSA-ISH që i kujton me shkrim obligimin për regjistrimin. Nëse dy vite pas kësaj kujtese, nuk kryhet regjistrimi, vihet në dijeni ISKSH për ta pasur parasysh në procesin e kontraktimit.

Marrja në shqyrtim e kërkesës

Kërkesa, bashkë me dokumentacionin shoqërues shqyrtohet nga QKCSA-ISH dhe nëse ato janë në përputhje me rregullat dhe, sipas planit kohor të QKCSA-ISH, institucioni regjistrohet në procesin e akreditimit dhe caktohen hapat e mëtejshëm.

Fillimi i Procesit të vetëvlerësimit

QKCSA-ISH kontakton institucionin shëndetësor dhe i jep standardet e shkruara e të publikuara, si dhe dokumentacionin bashkëshoqërues ndihmës për vetëvlerësim. Institucioni fillon përgatitjet e akreditimit. Drejtori cakton koordinatorin lokal të cilësisë ose 2-3 persona nga stafi i institucionit që të njihen me standardet lidhur me kërkesat, interpretimin dhe vlerësimin e tyre. Vetëvlerësimi është komponent mjaft i rëndësishëm i procesit të akreditimit prej të cilit varet shumë fati i mëtejshëm i suksesit.

QKCSA-ISH asiston në procesin e vetëvlerësimit

Aplikanti mund të kërkojë ndihmë apo sqarime lidhur me vetëvlerësimin dhe stafi i QKCSA-ISH, sipas mundësive dhe asiston në vend për problemet që ka. Problemet lidhen në radhë të parë me interpretimin e standardeve, por edhe me planin e veprimit që duhet bërë pasi të identifikohen mangësitë të cilat duhen korrigjuar dhe përmirësuar.

Vetëvlerësimi i standardeve

Institucioni me anë të një grupi të brendshëm pune, vlerëson vetveten përkundrejt standardeve të akreditimit, si dhe identifikon arritjet dhe mangësitë, si dhe drejtimet apo fushat për përmirësim të mëtejshëm.

Veprimtaria për të përmirësuar situatën që zbulon vetëvlerësimi i standardeve është ana më e dobishme e procesit të akreditimit, sepse stafi i institucionit ndërgjegjësohet për boshllëqet që ka dhe vetëvepron për t’u përmirësuar.

Kjo fazë mund të quhet e vlerësimit të brendshëm dhe e përmirësimit të brendshëm. QKCSA–ISH ka përgatitur një manual të posaçëm në dispozicion të personave që do kryejnë vetëvlerësimin. Procesi i vetëvlerësimit dhe i vetëpërmirësimit vazhdon për aq kohë sa institucioni gjykon se është gati t’i nënshtrohet vlerësimit të jashtëm.

Kohëzgjatja e vetëvlerësimit dhe e vetëpërmirësimit deri në kërkesën nga ana e tyre për vizitë akredituese të jashtme nuk duhet të kalojë 2 vjet. Në përfundim të vetëvlerësimit të rezultateve hidhen në programin e akreditimit nga institucioni aplikues.

Kërkesa për vlerësim të jashtëm akreditues

Çdo institucion, në zbatim të ligjit, detyrohet që të aplikojë për akreditim. Aplikimi sipas formularit përkatës i drejtohet QKCSA-ISH.

Faza para vizitës akredituese të vlerësuesve të jashtëm:

Institucioni Shëndetësor (ISH), pasi ka mbaruar edhe procedurën e vetë-vlerësimit, aplikon për vlerësimin e jashtëm (vizitën akredituese). QKCSA-ISH planifikon datën e vizitës akredituese dhe brenda 2 javëve ia komunikon ISH duke përfshirë numrin dhe përbërjen grupit të vlerësuesve të jashtëm dhe kryetarin e tij. Drejtori i institucionit mund të kërkojë të ndërrohet kryetari ose ndonjëri nga vlerësuesit e jashtëm nëse ka argumente për konflikt interesi ose mosekspertizën profesionale të tyre.

Vizita akredituese ose vlerësimi i jashtëm

QKCSA-ISH harton programin e vizitës akredituese dhe njofton paraprakisht titullarin e institucionit për programin që do të ndjekë ekipi i vlerësuesve të jashtëm dhe përbërjen e tij. Njëri nga anëtarët e ekipit caktohet si drejtues. Numri dhe përbërja e grupit në rrethanat tona varion në 2-5 persona sipas madhësisë dhe specifikës së institucionit.

QKCSA-ISH bën ndryshime në ekip në rast ankesash apo sugjerimesh të argumentuara nga institucioni që do akreditohet lidhur me ndonjë konflikt të mundshëm interesi me ndonjë prej tyre.

Vizita akredituese kryhet në datat e paracaktuara nga QKCSA-ISH dhe Institucioni Shëndetësor nga ana e grupit të vlerësuesve të jashtëm të QKCSA-ISH. Kohëzgjatja e vlerësimit të jashtëm është nën varësi të madhësisë dhe specifikës së institucionit, zakonisht nga 1-4 ditë.

Ekipi i vlerësuesve të jashtëm takohen me titullarin e institucionit shëndetësor ku kryhet vizita akredituese dhe bashkarisht hartojnë planin e vizitës akredituese.

Drejtoria e institucionit njofton personelin e institucionit për vizitën akredituese dhe qëllimet e saj dhe është e detyruar të verë në dispozicion të ekipit dokumentacionin, mjediset dhe mjetet e nevojshme, si dhe leje me shkrim për akses në çdo hallkë, për të takuar dhe bërë vlerësime me personelin, pacientët, etj. Institucioni duhet t’i ofrojë ekipit kushte optimale pune, pavarësi, mbrojtje dhe mbështetje nga çdo ndikim.

QKCSA-ISH ka përgatitur një manual të posaçëm në ndihmë të vlerësuesve të jashtëm me të gjitha hollësitë e nevojshme për të.

Hartimi i draft raportit të Vizitës Akredituese:

Grupi i vlerësuesve të jashtëm harton brenda 2 javësh draft-raportin e Vizitës Akredituese lidhur me përputhjen me standardet, dhe ja paraqet drejtorisë së institucionit dhe grupit të vetëvlerësimit për komente dhe sugjerime të mundshme.

Një model strukturor i raportit me elementët e tij është përgatitur nga QKCSA–ISH në dispozicion të kryetarëve të grupit vlerësues të jashtëm.

Vlerësuesit e Jashtëm, takimi

Takimi i Grupit të vlerësuesve të jashtëm me drejtorin e institucionit dhe grupin e Vetëvlerësimit.

Grupi i vlerësuesve të jashtëm mund të marrë parasysh ose jo vërejtjet e drejtorisë dhe grupit të vetëvlerësimit dhe brenda një jave nga ky takim, dorëzon raportin final të Vizitës Akredituese, të firmosur nga të gjithë anëtarët e ekipit, pranë QKCSA-ISH dhe një kopje i jepet drejtorisë së institucionit.

Drejtoria e institucionit, në rast pakënaqësish ndaj këtij raporti, ka të drejtë të paraqesë ankesa në QKCSA-ISH, brenda 2 javësh.

Përgatitja nga QKCSA-ISH e dokumentacionit të plotë për Këshillin e Akreditimit (KA).

Pas marrjes në dorëzim të raportit final nga grupi i vlerësuesve të jashtëm, QKCSA-ISH përgatit për mbledhjen e ardhshme të KA, dosjen e plotë që përmban:

Aplikimin e ISH për akreditim, përbërjen e Grupit të Vlerësimit të Jashtëm, raportin final të vlerësuesve të jashtëm, ankesat e mundshme nga ana e institucionit, dokumentacione specifike shtesë.

Vlerësimi nga Këshilli i Akreditimit

KA merr në shqyrtim dokumentacionin përkatës të dosjes të sipërpërmendur të përgatitur nga QKCSA–ISH për të verifikuar nëse procedura e vlerësimit të jashtëm është kryer në mënyrë korrekte në përputhje me rregulloren dhe manualin përkatës dhe jep në mënyrë konsensuale ose me votë, rekomandime përkatëse për Ministrinë e Shëndetësisë.

Spital brendaVariantet e rekomandimit:

Rekomandimi për Ministrin mund të jetë si më poshtë:

(a) nëse spitali apo institucioni nuk ka qenë i akredituar ndonjëherë:

• të rekomandojë që të jepet statusi i akreditimit,

• akreditim të pjesshëm, ose

• të mos i jepet akreditimi

(b) nëse spitali apo institucioni ka qenë i akredituara më parë:

• t’i rijepet statusi akreditimit,

• t’i jepet akreditim i pjesshëm,

• t’i hiqet akreditimi, ose

• të pezullohet me kusht ose afat kohor,

• t’i rijepet ose t’i vazhdojë akreditimi pas pezullimit.

QKCSA-ISH i dërgon rekomandimin e KA, Ministrit të Shëndetësisë dhe në rastet e rekomandimit pozitiv ose të përkohshëm, të shoqëruar me certifikatën përkatëse të akreditimit.

E drejta e ankimimit ose apelimit

Institucionet që kërkojnë të akreditohen kanë të drejtë të ankohen brenda dy javësh nga momenti i dorëzimit të raportit final të vlerësimit të jashtëm pranë QKCSA-ISH. Ankesat paraqiten me shkrim dhe shoqërohen me të dhëna e argumente përkatëse. QKCSA-ISH ja paraqet ankesat KA së bashku me dosjen e institucionit për akreditim.

Kur e ndjen të nevojshme, KA thërret përfaqësues të institucionit ankimues dhe del me rekomandimin lidhur me akreditimin.

Konfliktet e interesit

Konflikt Interesi është kur një individ është në rrethana që i krijojnë mundësi të ndikojë subjektivisht në vlerësimin jo të saktë dhe jo të drejtë të procesit të akreditimit.

Zgjidhja e konfliktit personal të interesit

Anëtari i Këshillit të Akreditimit dhe vlerësuesi i jashtëm duhet të deklarojë me shkrim se nuk ka konflikt interesi në institucionin që akreditohet. Në rast refuzimi përjashtohet nga ky funksion.

Vendimi i Ministrit të Shëndetësisë

Bazuar në rekomandimet e KA, Ministri i Shëndetësisë miraton dhe firmos ose jo brenda një afati kohor 30-ditor, certifikatën e akreditimit e cila i dërgohet QKCSA-ISH. Jashtë këtij afati kohor, rekomandimi i KA hyn automatikisht në fuqi. Vendimi i ministrit është i paapelueshëm.

Periudha kohore e vlefshmërisë së akreditimit

Akreditimi bëhet në mënyrë të detyrueshme dhe periodike çdo pesë vjet.

Certifikata dhe Emblema e Akreditimit

Institucioni shëndetësor i akredituar pajiset me një certifikatë akreditimi të firmosur nga ministri dhe një Emblemë të posaçme, të cilat vendosen në institucion në një vend të dukshëm për publikun. Ato duhet të hiqen prej andej vetëm nëse statusi i akreditimit i ndërpritet, pezullohet apo i ka kaluar afati. Certifikata dhe Emblema mbajnë si logo, në të majtë stemën e Republikës dhe në të djathtë logon e QKCSA-ISH.

Shpallja dhe botimi i rezultateve të vlerësimit

QKCSA –ISH, në rast akreditimi pozitiv, ia dorëzon certifikatën përkatëse së bashku me emblemën e akreditimit institucionit shëndetësor, i cili ka të drejtë ti afishojë në një vend të dukshëm për publikun.

Riaplikimi për akreditim

Në rastet kur në vendimin e Ministrit, institucionit nuk i është dhënë akreditimi ose i është hequr apo pezulluar, atëherë institucioni mund të riaplikojë, por jo më përpara se 6 muaj nga data e këtij vendimi.

Leja para bërjes publike të informacionit

QKCSA-ISH mund të bëjë publike raporte të bazuara në informacione që ajo ka në dispozicion lidhur me akreditimin.

E drejta e autorit (Copyright)

QKCSA- ISH ruan të drejtën e autorësisë për çdo raport, botim apo produkt të saj lidhur me akreditimin.

Financimi i akreditimit

Institucionit shëndetësor i kërkohet të paguajë QKCSA-ISH një kontribut financiar përkundrejt akreditimit që kërkohet. Kontributi dhe mënyrat procedurale përcaktohen me vendim të Ministrit të Shëndetësisë në bashkërendim me ISKSH.

Të dy këto kritere varen nga madhësia e institucionit shëndetësor (numri i shtretërve), si dhe gama e aktiviteteve klinike/institucionale. Mesatarisht numri maksimal i ditëve të nevojshme për të kryer një vizite akreditues për një spital me 100 shtretër, është maksimumi 4 ditë. (Sipas Shaw Ch., në botimin e Eurogrup Consulting, 2007, Project 2007-22-HRS, f. 33).

Kontributi financiar total që do të paguhet nga institucioni shëndetësor përcaktohet në kontratën e akreditimit pasi institucioni ka aplikuar dhe është regjistruar në procesin e akreditimit.

Afatet ligjore të pagesës së kontributit financiar

Aktet ligjore dhe rregullatore përcaktojnë afatet kohore për pagesën e kontributit financiar të institucionit shëndetësor që ka aplikuar dhe është regjistruar në procesin e akreditimit. Buxheti i propozuar për procesin e akreditimit miratohet nga Ministria e Shëndetësisë.

HAPAT E KRIJIMIT TË STANDARDEVE

Krijimi i grupeve të veçanta të punës

Përpilimi i një drafti të parë paraprak

Rishikimi, Pilotimi dhe monitorimi në terren

Miratimi, Publikimi dhe shpërndarja  e standardeve

Zbatimi dhe monitorizimi

Përmirësimi i vazhdueshëm

SHËRBIMI PARËSOR – KRITERET E AKREDITIMIT

Për të vlerësuar cilësinë dhe akredituar qendrat e kujdesit parësor në vendin tonë janë zgjedhur vetëm 10 fusha si më poshtë:

A. Infrastruktura

B. Stafi/personeli

C. Dokumentacioni dhe Menaxhimi Informacionit

D. Financa dhe buxheti

E. Siguria

F. Të drejtat e pacientit

G. Kujdesi për pacientin

H. Shërbimet mbështetëse

J. Komiteti dhe koordinatori i Cilësisë

K. Objektivat e Mjekësisë Familjare

STANDARDET

Këto 10 fusha vlerësohen me gjithsej 70 standarde nga të cilat:

– Standardet minimale – janë 13 standarde të cilat janë të domosdoshme për licencim.

– Standardet optimale – janë 44 standarde, të cilat shërbejnë bashkë me ato të së ardhmes për akreditimin e qendrës.

– Standardet e së ardhmes – janë 13 standarde që do të shërbejnë në të ardhmen.

Postime të ngjashme

Përfitimet e lëngut të Aloe Verës për shëndetin: Çfarë thotë shkenca
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm
Shumica prej nesh e bëjmë këtë gabim pa e ditur – dhe po rrezikojmë shëndetin
Treguesi delikat në syrin tuaj që mund të nënkuptojë se do të keni demencë në moshën 45-vjeçare
Kombinimi i barnave mund të parandalojë mijëra sulme në zemër
Shkencëtarët tregojnë ndryshimin e stilit të jetesës, që mund të vonojë demencën për vite të tëra
Shkencëtarët zbulojnë se vuajtja nga migrena rrit me 70% shanset për goditje vdekjeprurëse
Dy zakone që po shkatërrojnë trurin dhe trupin tuaj