Rasti i pacientit në Durrës: Një alarm për aksesin e barabartë në shërbimet shëndetësore dhe dinjitetin e pacientit

Ka ngjarje që në rrjetet sociale zgjasin vetëm pak minuta dhe pastaj harrohen si të mos kishin ndodhur kurrë. Por ka edhe të tilla që kanë jehonë të gjatë dhe marrin edhe reagimin e institucioneve. Rasti i pacientit 52-vjeçar në Durrës është njëri prej tyre.

Pamjet e një burri të sëmurë, që sipas informacioneve të para ishte transportuar me ambulancë nga Spitali i Durrësit për t’u braktisur në ‘rrugë’, tronditën opinionin publik. Reagime të shumta pasuan, versione kontradiktore dhe deklarata institucionale. Fillimisht u raportua se pacienti kishte ndërruar jetë, por më pas Spitali Rajonal i Durrësit sqaroi se ai ishte gjallë dhe ndodhej sërish nën kujdes mjekësor, ndërsa dy ditë pas ngjarjes Ministria e Shëndetësisë urdhëroi nisjen e një hetimi administrativ.

Megjithatë, edhe pas reagimeve zyrtare, ende shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje.

Nëse pacienti ishte në gjendje të stabilizuar dhe trajtimi spitalor kishte përfunduar, si ka mundësi që vetëm pak orë më vonë ai u rikthye në spital dhe iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale, e cila përfundoi me amputimin e njërës këmbë? Nëse, përkundrazi, gjendja e tij kërkonte ende monitorim dhe ndërhyrje, përse u largua nga spitali?

Këto janë pyetje që lidhen drejtpërdrejt me standardet e kujdesit shëndetësor publik në Shqipëri.

Po aq e rëndësishme është që institucionet të sqarojnë se si ka funksionuar zinxhiri i vendimmarrjes në këtë rast. Kush e mori vendimin për daljen nga spitali të pacientit të sëmurë? Cilat ishin kriteret mjekësore që u ndoqën nga vemdimarrësit për rastin? A patën dhe a duhet të kishin rol shërbimet sociale në një kohë që prej vitesh po trumbetohet nga institucionet ngritja e shërbimeve multidisiplinare, ku përfshihen shërbimet shëndetësore dhe sociale? Dhe, a ekziston dokumentacioni që provon se pacienti iu dorëzua vërtetë një familjari, siç deklaron spitali?

Nga ana tjetër, edhe deklarata e Spitalit Rajonal të Durrësit ngre të tjera pyetje. Institucioni pohon se pacienti nuk kishte vend ku të qëndronte, se u njoftuan shërbimet sociale dhe Policia e Shtetit dhe se një familjar pranoi ta merrte në banesë. Megjithatë, deri më sot nuk është ofruar asnjë informacion që të sqarojë se kush ishte familjari (sigurisht jo të dhënat personale të tij), ku ndodhej banesa apo nëse pacienti qëndroi realisht aty. Përkundrazi, persona që deklarojnë se e njihnin pacientin kanë pohuar publikisht se ai nuk kishte asnjë familjar që të kujdesej për të dhe as një banesë ku të strehohej. Ndaj, në këtë rast hetimi nuk mund të kufizohet vetëm tek ndjekja e procedurave dhe protokolleve mjekësore. Hetimit duhet t’i nënshtrohen të gjitha hallkat e mekanizmave mbrojtës, përfshi ato sociale.

Rasti i pacientit nga Durrësi rikthen në vëmendje një problem që Together for Life e ka ngritur prej vitesh: qasjen e pabarabartë në shërbimet shëndetësore për pacientët më vulnerabël. Nëse do t’i referohemi dokumentave strategjike, legjislacionit dhe deklaratave publike të drejtuesve të shëndetësisë sistemi publik garanton kujdes shëndetësor të barabartë dhe të aksesueshëm për të gjithë. Megjithatë, në shumë raste, përfshi edhe këtë të fundit, pacientët që klasifikohet tek grupet me të cënueshme si ata nga familje të varfra, të braktisurit, personat me probleme të shëndetit mendor apo që jetojnë në kushte të rënda social-ekonomike përballen shpesh me barriera të mëdha që ua bëjnë të vështirë, madje të pamundur marrjen e trajtimit shëndetësor për të cilin kanë nevojë.

Nëse statusi social i një pacienti ndikon në mënyrën se si ai trajtohet nga institucionet, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me një problem administrativ. Kemi të bëjmë me cënimin e parimit të barazisë në aksesin ndaj shërbimeve publike.

Fakti që Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar një hetim administrativ dhe se Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka nisur një procedurë hetimore kryesisht, është për t’u vlerësuar, por ende jo i mjaftueshëm. Përtej hetimit administrativ të nisur nga dy institucionet e mësipërme, ky rast ngre edhe një tjetër çështje me rëndësi publike: mbrojtjen e të dhënave personale të pacientit. Publikimi nga institucioni spitalor i identitetit, diagnozës, historisë klinike dhe informacioneve tepër sensitive, si statusi HIV dhe përdorimi i substancave narkotike, shtrojnë pyetjen nëse janë respektuar detyrimet ligjore për konfidencialitetin e të dhënave shëndetësore. Edhe nëse synimi ishte mbrojtja e institucionit nga akuzat publike, kjo nuk mund të justifikojë ekspozimin e të dhënave që mbrohen nga legjislacioni shqiptar, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Rregullorja Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe parimet universale të etikës mjekësore. Konfidencialiteti nuk është një formalitet administrativ, është element shumë i rëndësishëm për të garantuar dinjitetin e pacientit.

Ndaj kjo ngjarje nuk duhet të reduktohet vetëm në debatin nëse pacienti u “braktis” apo jo. Kjo është vetëm një pjesë e historisë. Pyetja më e rëndësishme në këtë rast është nëse sistemi funksionoi ashtu siç duhet për një qytetar në nevojë. Nëse u respektuan standardet profesionale. Nëse institucionet bashkëpunuan siç duhet. Nëse të drejtat e pacientit u mbrojtën. Dhe nëse, përtej përgjegjësive individuale, ky rast nxjerr në pah mangësi strukturore që kërkojnë reagim të menjëherësh.

Sepse një sistem shëndetësor nuk matet vetëm me buxhetin e alokuar nga fondet publike, që për hir të së vërtetës vazhdojnë të jenë më të ultat në Rajon, por, mbi të gjitha, matet me mënyrën si i trajton pacientët, veçanërisht më të pambrojturit dhe të rrezikuarit.

REAGIMET E INSTITUCIONEVE

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale – Lidhur me trajtimin e rastit të pacientit 52-vjeçar A.A., nga qyteti i Durrësit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka urdhëruar nisjen e një hetimi të thelluar administrativ, i cili do të shqyrtojë në mënyrë të plotë jo vetëm procedurat dhe masat e marra nga struktura spitalore, por edhe veprimet dhe përgjegjësitë e strukturave të shërbimit social të përfshira në këtë rast.

Në kuadër të këtij procesi, drejtuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të Shërbimit Social Shtetëror janë në terren për të kryer verifikime të drejtpërdrejta dhe për të mbikëqyrur procesin e hetimit administrativ të strukturave në qytetin e Durrësit.

Ndërkohë, pacienti ndodhet nën kujdesin e strukturave shëndetësore në spitalin rajonal të Durrësit.

Gjithashtu, po verifikohet i gjithë dokumentacioni shëndetësor dhe administrativ, si edhe përgjegjësia e personave të përfshirë në menaxhimin dhe transportimin e pacientit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mbetet e angazhuar për të garantuar transparencë të plotë, zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe marrjen e çdo mase administrative apo ligjore që do të rezultojë e nevojshme.

Komisioneri për Mbrojtjen nga DiskriminimiKomisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nis hetimin kryesisht për rastin e bërë publik në Spitalin Rajonal të Durrësit

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nis hetimin “ex-officio” të çështjes në lidhje me trajtimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe shoqëror ndaj shtetasit të identifikuar si A.A, 52 vjeç, nga qyteti i Durrësit.

Pas informacioneve të bëra publike në media, Komisioneri ka vendosur fillimin e procedurës administrative kryesisht, në zbatim të Ligjit nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” si dhe dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative, për të verifikuar nëse në rastin konkret janë respektuar parimet e trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe shoqërore.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mbetet i angazhuar në garantimin e së drejtës së çdo individi për trajtim të barabartë dhe akses pa diskriminim në shërbimet publike dhe private, duke ndërhyrë në çdo rast kur ka indicie se këto të drejta mund të jenë cënuar.

Spitali Rajonal i DurrësitNë lidhje me lajmin e publikuar në media, sipas të cilit një pacient i trajtuar më parë në Spitalin Rajonal Durrës ka ndërruar jetë, sqarojmë se ky informacion nuk është i vërtetë.

Pacienti është paraqitur sërish ditën e djeshme në Shërbimin e Urgjencës të Spitalit Rajonal Durrës, ku vijon të qëndrojë nën kujdesin dhe vlerësimin e personelit mjekësor.

Për informimin e plotë të opinionit publik bëjmë me dije se pacienti ishte trajtuar më parë në QSUT, ku i ishte kryer një ndërhyrje nga mjekët kirurgë vaskularë në enët e gjakut të këmbës së majtë. Pas komunikimit ndërmjet mjekëve, ai u shtrua në Spitalin Rajonal Durrës, ku qëndroi dhe u trajtua për disa javë, duke marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor në përputhje me gjendjen e tij shëndetësore.

Pas stabilizimit të parametrave klinikë dhe përfundimit të trajtimit spitalor, pacientit iu përgatit epikriza dhe iu komunikua dalja nga spitali. Duke qenë se ai deklaroi se nuk kishte një vend ku të qëndronte, strukturat e spitalit njoftuan shërbimin social dhe organet e Policisë së Shtetit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të sigurt sociale dhe familjare.

Pas komunikimeve të kryera nga strukturat përkatëse, një familjar deklaroi se do ta merrte pranë banesës së tij. Pacienti u transportua me autoambulancë deri në destinacion, i shoqëruar nga punonjës të Policisë së Shtetit, dhe iu dorëzua familjarit.

Për rrjedhojë, sqarojmë se pacienti nuk është nxjerrë apo braktisur në rrugë nga Spitali Rajonal Durrës, siç pretendohet në publikim. Dalja e tij nga spitali është kryer pas përfundimit të trajtimit, me dokumentacionin përkatës mjekësor dhe pas koordinimit me strukturat sociale, policore dhe familjare.

Spitali Rajonal Durrës u bën thirrje mediave që, veçanërisht në raste kaq të ndjeshme, informacioni të verifikohet pranë institucioneve përkatëse përpara publikimit.

Institucioni ynë mbetet i angazhuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe për bashkëpunimin me çdo autoritet kompetent, duke respektuar konfidencialitetin e të dhënave shëndetësore dhe dinjitetin e pacientit.

Postime të ngjashme

Lirohet nga burgu ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj
Çfarë duhet të bëni nëse sytë tuaj thahen nga kondicioneri?
Ministrja Sala: Do të ngrihet Instituti Kombëtar i Tumoreve! Dializa dhe check up i kalojnë shtetit
Pse na rrudhen gishtat kur i mbajmë në ujë për një kohë të gjatë?
Rasti i pacientit në Durrës, MSHMS urdhëron nisjen e hetimeve
Dietologët zbulojnë ushqimin nr. 1 që mund të rrisë menjëherë sheqerin në gjak
Shpërthimi i sëmundjes së Legjionarëve në New York, 6 viktima dhe 90 raste të konfirmuara
Ministrja e Shëndetësisë: Nga shtatori, Check-Up mund ta bëjë çdo qytetar mbi moshën 35 vjeç