Kryefaqja Lajm kryesor Aksidentet në punë, inspektoratit i mungojnë kapacitetet monitoruese

Aksidentet në punë, inspektoratit i mungojnë kapacitetet monitoruese

0
Shpërndaje

Punoi: Denisa Canameti

Mund të cilësohet si një nga ngjarjet më të rënda të muajit gusht, aksidenti i 5 punonjësve të një kompanie ndërtimi, 2 prej të cilëve humbën jetën. Shkak për ngjarjen ka qenë shkëputja e menjëhershme e strukturës, ndërsa të 5 personat kanë rënë nga lartësia. Pas ndërhyrjes së parë në zonë kanë mbërritur dhe inspektorët e punës, të cilët kanë mbledhur provat mbi zbatimin e rregullores prej kompanisë ndërtuese. Pas marrjes së njoftimit, policia ka shoqëruar administratorin e punimeve si dhe ka nisur hetimet për rregullat e sigurimit teknik në punë.

Shembja e skelës që shkaktoi shkaktoi vdekjen e 2 punëtorëve nuk është rasti i vetëm i viktimave nga aksidentet në punë. Kryeinspektori Arben Seferaj tha se në 6 muajt e parë të këtij viti nga aksidentet në punë kanë humbur jetën 25 persona. ”Kemi 99 raste aksidentesh të ndodhura në punë, me 88 punëmarrës të aksidentuar nga të cilët 25 me pasojë vdekjen janë regjistruar pranë Inspektorati Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore”. Në lidhje me ngjarjen e rëndë, Seferaj tha se ndaj firmës, nuk ishte kryer asnjë inspektim që prej vitit 2016, pasi Inspektorati i Punës nuk ka mjaftueshëm staf. ”Inspektorati i Punës me burimet njerëzore që ka deri më sot mbulon me inspektime jo më shumë se 6% të bizneseve aktive në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet pse subjekti nuk është inspektuar nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Punës”. Ai tha se Inspektorati i Punës do të propozojë një paketë të re ligjore për ashpërsimin e masave ndaj subjekteve që nuk zbatojnë ligjin, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Për këtë ngjarje kaq të rëndë ka reaguar edhe Qendra për të Drejtat në Punë CLR, duke u shprehur se “kjo ngjarje me pasoja tragjike, nxjerr edhe një herë në pah një problematikë shumë të mprehtë, atë të mungesës së zbatimit të rregullave të sigurimit teknik në punë, sidomos në sektorët e vështirë të ekonomisë, ku përfshihet edhe sektori i ndërtimit. Pavarësisht përgjegjësisë parësore të Institucioneve ligjzbatuese, është koha që të kalojmë përtej thirrjes “i kërkojmë institucioneve të nxjerrin përgjegjësit për këtë ngjarje tragjike” duke u bërë të gjithë bashkë për të dhënë kontributin tonë sipas angazhimit të gjithsecilit dhe alternativa konkrete zgjidhje për këtë problematikë të mprehtë, për të cilën nuk duhet të kujtohemi vetëm kur ndodhin ngjarje të tilla tragjike. “CLR është duke ndjekur me vëmendje rastet e deritanishme të aksidenteve fatale në vendin e punës, sa është nxjerrë përgjegjësia dhe çfarë ka ndodhur me përgjegjësitë e personave përgjegjës dhe cilat janë mënyrat më të mira të organizimit të punonjësve në aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë. Shumë shpejt  do të dalim me propozime dhe veprime konkrete për sa na takon!” përmbyll deklaratën e saj Qendra për të Drejtat në Punë, CLR.

Aksident në punë ose për shkak të punës

Përmes këtij materiali, gazeta Shëndet plus, mbështetur në informacionet e publikuara nga Inspektorati Shtetëror i Punës, sjell në vëmendje se çfarë konsiderohet aksident në punë apo për shkak të punës, dhe cilat janë mënyrat e njoftimit, në rast të një aksidenti në punë. “Aksident në punë ose për shkak të punës” është çdo ngjarje e papritur, që shkakton dëmtimin e menjëhershëm trupor, që ndodh gjatë kryerjes së punës apo të një shërbimi lidhur me të, si dhe çdo dëmtim tjetër i shëndetit, që nuk rrjedh nga sëmundje e përgjithshme, por që sjell paaftësi të përkohshme ose të përhershme në punë ose vdekje.

Në rast të një aksidenti në punë ose për shkak të punës, me pasojë vdekje apo dëmtime të rënda masive, punëdhënësi ose Aksidenti në punë ose për shkak të punës vërtetohet me proces verbalin e mbajtur në vendin e ngjarjes personi përgjegjës, i ngarkuar prej tij, pas dhënies së ndihmës së parë, duhet të ruajë provat materiale, për analizën e këtij aksidenti, dhe të lajmërojë, menjëherë, organet e prokurorisë, Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Sa janë afatet e plotësimit të proces verbalit të aksidentit në punë?

Aksidenti në punë ose për shkak të punës vërtetohet me proces verbalin e mbajtur në vendin e ngjarjes dhe duhet të nënshkruhet nga punëdhënësi ose personi përgjegjës, i ngarkuar prej tij, si dhe nga inspektori i punës, brenda 3 ditëve nga ndodhja e aksidentit. Fletët e proces verbalit merren te inspektori që mbulon aksidentet në punë në Drejtorinë Rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

A duhet të njoftohet Inspektorati i Punës, nëse ndodh një aksident i lehtë?

Punëdhënësi është i detyruar që sipas nenit 22 pika 1 të ligjit Nr. 9634, datë 30.10.2006 ”Për inspektimin e punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës”, të njoftojë menjëherë Inspektoratin për të gjitha aksidentet në punë, që shoqërohen me vdekje ose jo, si dhe për sëmundjet profesionale.

Aksidenti vlerësohet se ka ndodhur në punë ose për shkak të punës, kur punëmarrësi dëmtohet gjatë:

  • kryerjes së punës, sipas përshkrimit të saj;
  • kryerjes së një pune tjetër, pa urdhër të punëdhënësit, por për arsye madhore, në interes të punës;
  • kryerjes së një pune tjetër me porosi të punëdhënësit;
  • kohës së pushimit në vendin e përcaktuar nga punëdhënësi, ose për vënien në rregull të makinerive, veglave të punës, veshmbathjeve, para ose pas mbarimit të punës;
  • rrugës në linjën e drejtpërdrejtë, nga banesa për në punë dhe anasjelltas, në rastet kur transporti është i organizuar nga punëdhënësi apo individualisht nga punëmarrësi;
  • kryerjes së kurseve të formimit profesional;
  • dhënies së ndihmës së parë, për motive të kryerjes së detyrës, në rastet e fatkeqësive natyrore. Aksidentet në punë, bazuar në pasojat dhe numrin e personave të dëmtuar, klasifikohen si më poshtë:
  • aksidente që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 3 ditë kalendarike;
  • aksidente që shkaktojnë invaliditet të përkohshëm ose të përhershëm; • aksidente me vdekje;
  • aksidente masive, ku të paktën dy apo më shumë persona dëmtohen në të njëjtën kohë dhe për shkak të së njëjtës arsye.

Njoftimi i aksidentit në punë vjen nga:

Punëdhënës (që është dhe detyrim ligjor)

Punëmarrës

Qendër spitalore

Media

Individ Etj

Mënyra e njoftimit mund të jetë:

  • Telefon
  • Elektronikisht
  • Shkresor

Burimi: Gazeta Shëndet +

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here