Aleksandër Furrxhiu: Humori bën mirë për shëndetin

 

Denisa Canameti

E kush mund ta mendojë që moderatorit Aleksandër Furrxhi, jashtë kamerave, humori i pëlqen më shumë se të qenët serioz. Për më tepër, nuk ka asnjë argument kundër dietave, nuk shkon rregullisht te mjeku dhe ëndërron të sakrifikojë një herë për t’u dukur në formë.

aleksander furrxhiEdhe pse është mësuar të jetë në rolin e intervistuesit, Furrxhi nuk e pati aspak të vështirë ta vërë veten në rolin e të intervistuarit dhe të flasë për shëndetin.

Një shprehje e vjetër thotë “Stomaku është qendra e të gjitha sëmundjeve”, si e kuptoni dhe sa qëndron kjo shprehje për ju?

Për herë të parë po e dëgjoj që paska një shprehje të tillë. Nuk mendoj se qëndron, por sigurisht që stomaku është ena e domosdoshme që na lejon të kemi aftësinë për të shijuar ushqimet dhe pijet, dy elemente jetësore jo vetëm për të mbajtur frymën gjallë, por edhe për të shijuar kënaqësitë e jetës që “trafikohen” përmes stomakut.

Çfarë do të thotë “të jetosh shëndetshëm”?

Të mos kesh sëmundje, të mos jesh mbipeshë, të mos vuash nga anoreksia, të bësh sport, të udhëtosh sa më shumë, të flesh mirë, të japësh e të marrësh dashuri, të bësh dashuri, të jetosh në harmoni me familjen, shoqërinë dhe mjedisin tënd fizik dhe njerëzor.

Sa të rregullta janë vaktet e një gazetari?

Varet se çfarë lloj gazetari je. Reporteri në luftë nuk e ka luksin të ushqehet si një prezantues I lajmeve i cili e di paraprakisht me saktësi se kur duhet të jetë përpara kamerave, çdo ditë. Reporteri sportiv nuk e ka luksin të hajë darkë  në ditët që duhet të jetë në stadium pikërisht në orën e darkës. Gazetari i programeve të mëngjesit në radio e merr kafen apo çajin me vete në studio  dhe mund të gjerbë gllënkat, bie fjala, vetëm gjatë pauzave muzikore.

Cili është vakti që hani me familjen?

Zakonisht kafja e mëngjesit dhe darka relativisht e hershme.

Ju dhe Mirela jeni persona publikë dhe me shumë angazhime, kush gatuan në shtëpinë tuaj?

Kush të mundet, kush të jetë më i shkathti dhe më i shpejti (qesh) dhe më i zoti për pjatën e ditës (qesh). Të gjithë, edhe fëmijët e rritur tashmë.

Si arrini ta menaxhoni marrëdhënien punë –familje?

Mendoj së është një nga kënaqësitë dhe sfidat e bukura të jetës të mbash orientimin në këtë marrëdhënie. Imagjinoj se është shumë më e vështirë  dhe drobitëse kur nuk ke se çfarë të menaxhosh. Një jetë që kalohet vetëm me punë apo vetëm me familje, duhet të jete më e mërzitshme se një jetë ku kombinohen njëra dhe tjetra në raporte të balancuara.

Nëse dy fëmijët tuaj do t’u vinin me “shpatulla pas murit”, me argumentin se nuk u kushtoni kohën që duhet, do ta sakrifikonit karrierën tuaj për disa vite apo do zgjidhnit që sakrificën ta bënte Mirela?

Pyetja është interesante dhe sfiduese. Por më bëhet disi me vonesë apo, le të themi, në kohë të papërshtatshme. Fëmijët e kanë kaluar moshën kur mund ta kishin të nevojshëm një “kurban” të tillë. Ata janë të rritur, janë si të thuash shokë me prindërit e tyre.

aleksander furrxhi1Sa shpesh shkoni te mjeku?

Nuk shkoj te mjeku. Jo se jam trim, por sepse për fat nuk kam pasur nevojë deri më sot. E vërteta është se një herë në vit bëj analizat e plota të gjakut. Këtë e bëj sepse një mik i mirë ma kujton rregullisht  se një herë në vit nuk është ndonjë sakrificë e madhe ta ndërmarrësh këtë hap.

A keni sakrifikuar ndonjëherë për të qenë në formë?

E ëndërroj shpesh këtë. Por ëndrra përfundon gjithnjë shpejt. Nuk arrij dot deri te sakrifica kur jam në shoqëri të mirë dhe përpara një tryeze cilësore të dominuar nga peshku.

Si ju duket kjo tendencë e të rinjve për të mbajtur dieta drastike, për të qenë të palestruar etj. duke i kthyer këto aktivitete në përparësi?

Nuk kam ndonjë argument bindës kundër dietave apo kujdesit në ushqim. Shyqyr që ia kemi arritur kësaj dite. Në komunizëm ishim kolektivisht  në dietë të detyruar, mjafton të shohësh fotot e njerëzve, nofullat e dala, zgavrat e syve  dhe veshjet për të ardhur keq që mbulonin keq trupat e kequshqyer.

Mirëpo i quaj qesharake dietat drastike dhe transformimet radikale të trupit dhe shëndetit. Populli besoj se ka të drejtë kur thotë: çdo gjë me karar!

Në vitin 2004, depresioni ishte shkaktari i tretë kryesor i barrës globale të sëmundjeve në botë dhe në vitin 2030 pritet që ai të jetë kontribuesi kryesor i barrës së sëmundjeve (OBSH, 2008). Çfarë e stimulon stresin, depresionin duke iu referuar veçanërisht vendit tonë?

Shqipëria është prej vitesh një vend në zhvillim (pra, jo i pazhvilluar) e gradualisht  do të shkojë drejt familjes së vendeve të zhvilluara. Edhe pse kjo ditë mund të duket ende larg, stresi dhe depresioni i përhapur në ditët tona vjen nga dukuritë dhe mjedisi social dhe ekonomik i një vendi tipik në zhvillim. Papunësia është në krye të listës së shkaqeve. Mungesa e sigurisë  te e ardhmja, frika nga perspektiva e paqartë e ekonomisë individuale apo familjare, janë zëra  që renditen lart në listën e këtyre shkaqeve. Secila prej tyre mjafton për të ushqyer stresin në përmasa serioze.

aleksander furrxhi2Nëpërmjet ushqimit përhapen më shumë se 200 sëmundje (OBSH) . Si e vlerësoni sigurinë ushqimore në vendin tonë, apo në këtë drejtim shumë shpejt do të flasim për sëmundjen e 201-të?

Nuk jam ekspert i ushqimit e as mund t’ia lejoj vetes vlerësimet mbi sëmundshmërinë. Siguria ushqimore është e krahasueshme  me vendet  e rajonit apo me vendet me zhvillim të ngjashëm. Jemi në një klasë besoj me Kosovën, Maqedoninë, Bosnjën, Moldavinë. Por  nuk i afrohemi dot as Norvegjisë e as Estonisë, për shembull.

Sipas statistikave në vitin 2012, alkooli ka shkaktuar vdekjen e 3.3 milion banorëve në botë e cila përbën 5.9% të vdekjeve globale, a mendoni se duhet të nisë një fushatë anti-alkool (nëse mund të quhet kështu) e ngjashme me fushatën antiduhan?

Jo, nuk mendoj ashtu. Alkooli me karar bën mirë për shëndetin. Njerëzit që nga lashtësia kanë pirë alkool dhe e kanë rritur cilësinë e jetës dhe shëndetit edhe duke konsumuar alkool. Por me moderacion, gjithnjë me masë. Edhe ushqimi pa masë e karar është shkaktar i vdekjeve. Por nuk besoj se mund të na shkojë mendja për fushatë anti-ushqim.

Jemi mësuar të shohim një gazetar serioz, të qetë, të drejtpërdrejtë. Si jeni jashtë kamerave?

Duhet të pyesni ata që më njohin. Por sikur thonë që në mjedise familjare e miqësore sikur nuk jam dhe aq serioz (qesh). Në të vërtetë, më pëlqen të dëgjoj dhe tregoj histori me humor: sepse në fund të fundit, humori dihet që bën mirë për shëndetin, meqë po flasim për një gazetë shëndeti.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!