Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Elona Tereziu
Pickimet nga insektet janë jo pak të shpeshta, sidomos gjatë sezonit të verës dhe pranverës. Shumica prej tyre shkaktojnë vetëm një reagim lokal duke përfshirë këtu skuqje, enjtje, dhimbje dhe të kruara, por megjithatë jo të gjithë njerëzit reagojnë njëlloj.
Në disa persona pickimi/thumbimi nga insektet mund të shoqërohet edhe me reaksione të lehta ose të forta alergjike. Mira Xhixha, mjeke alergologe pranë Poliklinikës së Specialisteteve nr.3 në kryeqytet, tregon për gazetën “Shëndet+” se reaksione të tilla në mjaft raste mund të bëhen tepër të rrezikshme, ku në bazë të reagimit, një person mund ta kalojë lehtë, ndërsa në reaksione të forta mund të përfundojnë edhe në urgjencë.
Cilat janë simptomat e zakonshme të alergjive nga insektet?
Alergjia nga insektet nuk është si alergjia nga pluhurat apo poleni, që të zënë hundët. Kur shfaqet kjo lloj alergjie, mund të bëhet e rrezikshme edhe kërcënuese për jetën. Ka raste ku mund të kalojnë thjesht me një pomadë, por ka dhe raste që përfundojnë në urgjencë. Kjo varet gjithmonë nga shkalla e alergjisë, ku në bazë të reagimit i ndajmë në alergji të një shkalle të lehtë, alergji të moderuar dhe alergji të fortë (shpejt/akute).
Një reagim i lehtë mund të konsiderohet atëherë kur njolla e kuqe nga pickimi i një insekti nuk është më e madhe se 5-10 cm dhe personi ka vetëm enjtje e kruarje rreth e përqark vendit të pickuar. Në këtë rast nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, mjafton lyerja me një pomadë.
Nëse pas pickimit te personi fillojnë e shfaqen njolla të kuqe në trup, skuqje dhe pezmatim i lëkurës më shumë se zona e pickimit, konsiderohen si simptoma të shkallës së mesme, por edhe në këtë rast nuk kemi asnjë kërcënim për jetën.
Reagimi konsiderohet i fortë në rast se te personi fillojnë të shfaqen simptoma, si marramendje, kollë, bllokim në frymëmarrje, humbje ndjenjash e shoqëruar ose jo me elemente (skuqje, enjtje) urtikariale që përfshijnë gjithë lëkurën e trupit etj. Një gjendje e tillë quhet shoku anafilaktik dhe është tepër e rrezikshme për jetën, në këtë rast personi duhet të shkojë patjetër në urgjencë. Por shumë e vlefshme do të ishte edhe dhënia e ndihmës së shpejtë nga një person me disa njohuri mjekësore ose edhe vetë personi.
Një ndihmë paraprake në këtë rast konsiderojmë injektimin e medikamentit adrenalinë ku me anë të një shiringe autoinjektabël (të parapërgatitur me sasinë e duhur të medikamentit) injektohet në muskul, nën lëkurë, krah ose kofshë 1/3 e ampulës. Aplikimi i kësaj urgjence mjekësore me qetësi dhe shpejtësi bën të mundur parandalimin e pasojave më të rënda, por edhe pas kësaj personi duhet dërguar patjetër në spital.
Çfarë duhet bërë menjëherë pas thumbimit?
Ka insekte që pickojnë dhe insekte që thumbojnë. Në rastin e parë dhimbja është e vogël se zakonisht shoqërohet me pak enjtje dhe skuqje, ndërsa thumbimi shoqërohet me një dhimbje shumë më të madhe dhe simptoma më aftagjata. Vendi që dhemb, nuk duhet prekur apo kruar, por duhet mbajtur me kompresa me akull të paktën 15-20 minuta për 6 orët e para. Për të lehtësuar kruarjen, mund të përdoret alkooli borik, krem me hidrokortizon, spraj me anestetikë etj. Gjithashtu, mjekësia alternative për këto raste rekomandon larjen me kamomil, luleradhiqen, sodën e bukës apo edhe vendosja e një fete domateje mbi vendin e thumbuar do të bënte efekt në këtë rast.
Pse disa persona janë të prirur për të bërë alergji, ndërsa të tjerë e kalojnë vetëm me pak enjtje?
Disa persona janë alergjik nga natyra, reagojnë vrullshëm duke krijuar antitrupa qoftë edhe ndaj alergentëve të ajrit, duke i parë ato si ”armiq” të organizmit. Ndërsa të tjerë e kalojnë lehtë, duke mos reaguar fare, pra, qëndrojnë në gjendje të heshtur, pa luftë. Kjo vjen si pasojë e ndryshimit që është bërë në sistemin imunitar mbrojtës të organizmit, por jo të gjitha substancat që janë në mjedis, janë agresore të organizmit tonë, madje pjesa më e madhe janë të dobishme, por personat alergjik i konsiderojnë si armiq apo dëmtues.
A rekomandohet bërja e antialergjikut te çdo person i cili pickohet nga bleta/grerëza?
Kjo varet se si e ka vlerësuar mjeku. Nëse mjeku e ka vlerësuar shkallë të fortë të shokut anafilaktik, pacienti duhet ta marrë, por nëse mjeku e ka vlerësuar vetëm si shkaqe lokale, pacienti mund ta kalojë edhe me një kokërr nga goja apo një pomadë. Adrenalina rekomandohet vetëm për ata të cilët kanë përjetuar një herë një reaksion të fortë alergjik, ose siç e quajmë ne, sistemik (gjithëpërfshirës) qoftë edhe i natyrës së lehtë, por që ka përfshirë gjithë trupin apo një nga organet me rëndësi jetike (zemra, truri, mushkëritë).
Pastaj ka dhe raste ku mund të jetë e nevojshme bërja e vaksinës 3 deri në 5 vjet për bletën dhe grerëzën, sidomos për individët të cilët kanë kaluar forma të rënda të alergjisë, pasi i mbron ata nga pickimet e ardhshme dhe nga reaksione më të rënda alergjike, ku mund edhe të humbasin jetën.
Ku i hasim më tepër alergjitë, te meshkujt apo femrat?
Kjo varet nga grupmosha, por dhe nga lloji i alergjisë. Ka disa alergji që prekin më shumë femrat, ka të tjera që prekin më shumë meshkujt. Në bazë të moshës, alergjitë në përgjithësi i gjejmë më shumë tek meshkujt deri në moshën 13 vjeç, sidomos alergjitë nga frymëmarrja (astma), ndërsa pas adoleshencës ky raport ndryshon duke mbizotëruar femrat. Periudhat kur i hasim më tepër alergjitë tek femrat janë, pas adoleshence, në periudhat e luhatjes hormonale dhe pas menopauze.
Përsa i përket alergjive nga insektet, nuk mund të të jap ndonjë statistikë të saktë, sidomos përsa i përket gravitetit të një reaksioni, por duhet theksuar se në moshat adulte 30-60 vjeç, qoftë femrat, qoftë meshkujt janë më të prirur për të bërë alergji sesa moshat e reja, flasim këtu për reaksione të forta ku tek personi paraqitet rrezikshmëri për jetën.
Çfarë duhet të ketë gjithmonë parasysh një person alergjik?
Këtyre personave të cilët kanë pasur një ose më shumë reaksione alergjike, pra janë në dijeni që pickimi nga bleta apo grerëza iu shkakton alergji, u rekomandohet të mbajnë gjithmonë me vete adrenalinën, sidomos kur dalin shëtitje në park, për piknik etj.
Gjithashtu duhet të kenë kujdes me veshjen dhe të shmangin sa më shumë ambjente ku mund të jenë të riskuar nga pickimi i insekteve. Në studimet e fundit që janë bërë, shikohet se ndikimi i faktorëve të jashtëm është mbizotërues ndaj faktorit të brendshëm gjenetik, ndaj duhet pasur më tepër kujdes.



