Denisa Canameti
Ardhja e pranverës shoqërohet me disa shqetësime jo të vogla të shëndetit. Një nga këto probleme është edhe alergjia. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i personave të prekur nga kjo sëmundje. Sipas ekspertëve, 1 në 4 njerëz në të gjithë botën rezulton me alergji apo astmë, ndërsa në vendin tonë këto simpoma prekin 5-7% të popullatës. Lidhur me këtë problematikë, gazeta “Shëndet+” iu drejtua mjekes Alkerta Ibranji, alergologe – imunologe klinike.
Mjekja e shikon me shqetësim faktin se numri i personave të prekur është gjithnjë në rritje në mbarë botën, sidomos tek fëmijët. Edhe pse shpesh njerëzit e neglizhojnë si sëmundje dhe duke e ditur këtë, gjëja e parë për të cilën ajo u tërheq vëmendjen të gjithë pacientëve, është “Mos u vetëmjekoni”. Është shumë e rëndësishme gjetja e shkaktarit të rinitit alergjik dhe, përveç konsultës me alergologun, nuk ju ndihmon askush tjetër ashtu siç duhet.
Doktoreshë, çfarë është riniti alergjik?
Së pari do doja të sqaroja termin rinit, që nënkupton një irritim të hundës, ndërsa termi rinit alergjik është një sqarim i shkaktarit të këtij irritimi, pra alergjia. Riniti alergjik, i quajtur edhe ethja e barit, është një formë alergjie e cila prek 1 në 5 veta në mbarë botën, e shkaktuar nga disa grimca që i thithim nëpërmjet ajrit. Të gjithë mund t’i thithim këto grimca, por jo të gjithë shfaqim shenja alergjie. Kjo, sepse disa pacientë janë të ndjeshëm ndaj këtyre grimcave. Te këta pacientë, sistemi i tyre imunitar reagon me një mori mekanizmash, të cilat si përfundim japin simptomat karakteristike të rinitit alergjik.
Këto grimca quhen alergenë dhe kryesisht janë polenet e barërave, shkurreve dhe pemëve, akarienë apo sporetë mykravesi dhe zbokthi apo qime të kafshëve shtëpiake.
Riniti alergjik mund të shfaqet vetëm në disa stinë të caktuara ose mund të jetë i pranishëm gjatë gjithë vitit tek disa pacientë. Kjo varet nga shkaktarët alergjikë që nxisin rinitin alergjik, si dhe nga stina apo sezoni kur këta alergenë ndodhen në ajrin që thithim.
Pse shfaqet më shumë në pranverë?
Riniti alergjik sezonal ose stinor lidhet më shumë me polenet, të cilat gjenden në ajër në periudhën e fillim pranverës deri në verën e vonshme. Shkaktarët më të zakonshëm janë polenet e barërave, shkurreve, pemëve, si dhe sporet e myqeve që shtohen në ajër nga rritja e temperaturës së ajrit. Simptomat shfaqen kur polenet ndaj të cilave jemi alergjikë, janë në ajër në sezonin polenik respektiv. Këta pacientë mund të jenë pa shenja klinike jashtë sezonit të polenit të akuzuar si shkaktar. Prandaj edhe shkalla e perceptimit të shenjave është më e madhe në pranverë dhe verë dhe këta pacientë kërkojnë ndihmën e specialistit më shpesh se pacientët me forma të tjera të rinitit.
Nga ana tjetër, riniti alergjik mund të jetë edhe gjithëvjetor. Shkaktarët më të shpeshtë të rinitit gjithëvjetor janë alergenët e shtëpisë, si: pluhurat e shtëpisë (akarienët), buburreci i shtëpisë (furrtarja), zbokthi i kafshëve, si dhe myqet.
Simptomat janë prezente tek pacientët gjatë gjithë vitit përderisa edhe alergeni është prezent çdo ditë në shtëpitë tona. Kjo gjendje kronike e bllokimit të hundës, shpesh perceptohet nga pacientët si diçka «normale» dhe nuk përbën urgjencë për konsultim me specialistin. Pacientët paraqiten tek mjeku për një kollë të thatë kronike ose vështirësi në frymëmarrje, por referojnë bllokimin e hundës vetëm kur pyeten nga specialisti për këtë problem.
Cilat janë shenjat që duhet të na bëjnë të mendojmë se kemi alergji dhe rinitin alergjik?
Shenjat më të shpeshta të rinitit alergjik janë:
- bllokimi i hundëve;
- rrjedhje të sekrecioneve të ujshmë nga hundët;
- teshtima të njëpasnjëshme të cilat lodhin shumë pacientin;
- lotim i shtuar dhe skuqje e syve;
- të kruara të syve, hundës, veshëve nga brenda dhe jo rrallë edhe kruarje të qiellzës së gojës.
Shpesh përfshihen edhe sytë në këtë alergji dhe sëmundja merr emrin konjuktivit alergjik. Kolla gjithashtu mund të jetë një shenjë e rinitit alergjik dhe më rrallë humbja e nuhatjes dhe humbja e shijes. Simptomat e mësipërme mund të jenë të gjitha të pranishme ose të vetme tek pacientë të ndryshëm, por të gjitha cenojnë cilësinë e jetës dhe shëndetin e pacientit.
A vuajnë edhe fëmijët nga riniti alergjik? Cilat janë shenjat që duhet të shqetësojnë nënat?
Riniti alergjik është një problem i shpeshtë tek fëmijët mbi 3 vjeç. Ajo që është më shqetësuese, është numri në rritje në mbarë botën i rinitit alergjik, sidomos tek fëmijët. Fjalia që dëgjoj më shpesh nga nënat e fëmijëve është «Fëmijën tim e zë shpesh gripi” dhe «I kam provuar disa kura me antibiotikë fëmijës, por nuk ka përmirësim».
Përveç simptomave të mësipërme, fëmijët mund të kenë lehtësisht komplikacione në rast mostrajtimi, krahasuar me të rriturit. Mostrajtimi i rinitit alergjik tek fëmijët çon në infeksione të sinuseve, të veshëve, prekje të bronkeve dhe në astma. Jo rrallë ndodhin edhe mbivendosje të infeksioneve bakteriale në rrugët e frymëmarrjes, ulje të dëshirës për të ngrënë, dobësim i përgjithshëm trupor.
Shpesh pyetja “A fle fëmija me gojën e hapur” i bën plot nëna të mendojnë sesi nuk i kanë dhënë rëndësi këtj detaji derisa pyeten nga alergologu.
Pamundësia për t’u përqendruar, si dhe rënia e rezultateve në mësime mund të jetë një tjetër tregues për prindërit se shkaktar mund të jetë riniti alergjik.
Çfarë duhet të bëjmë nëse konstatojmë një nga shenjat e rinitit alergjik ?
Gjëja e parë që u them pacientëve të mi është “Mos u vetëmjekoni”. Është shumë e rëndësishme gjetja e shkaktarit të rinitit alergjik dhe, përveç konsultës me alergologun, nuk ju ndihmon askush tjetër ashtu siç duhet. Hapi i parë është identifikimi i alergenit përgjegjës për simptomat dhe më pas ndërtimi i një plani ndjekjeje së bashku më pacientin. Një konsultë me specialistin është shumë e rëndësishme për parandalimin e një astme të mundshme.
A ka mjekime për këtë problem dhe cilat janë alternativat e mjekimit ?
Hapi i parë pas evidentimit të shkaktarit, është evitimi i alergenit në mënyrën më efikase të mundshme. Alternativat e mjekimit janë të shumta. Ato variojnë nga trajtimi me medikamente në kohën e simptomave deri te imunoterapitë me alergenin shkaktar ose ndryshe e njohur nga populli si «vaksina e alergjisë». Skemën e mjekimit dhe vlerësimin e skemës së duhur për pacientin e përcaktojnë vetëm specialistët alergologë.
Përzgjedhja e terapisë së duhur nga specialisti është vendimtare në lehtësimin e simptomave në sezonet e ardhshme polenikë, por edhe në parandalimin e komplikacioneve, si dhe të asaj që është më e rëndësishme, astmës.
Cili është mesazhi juaj për lexuesit?
Diagnostikimi në kohë dhe trajtimi i duhur nga alergologu është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për lehtësimin e simptomave të rinitit alergjik, por edhe për të vlerësuar rrezikun për komplikacione të mëtejshme dhe më e rëndësishmja – parandalimin e astmës. Do u bëj thirrje sidomos nënave të drejtohen tek specialisti alergolog për diagnostikim dhe këshillim të duhur. Identifikimi i shkaktarit dhe masat e marra tek fëmijët alergjikë që në moshë të vogël, ulin jo vetëm mundësinë e zhvillimit të alergjive të reja tek fëmijët e tyre, por sidomos rrezikun për astma dhe komplikacione të tjera që vijnë nga mostrajtimi.


