Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Elona Tereziu
Mund të kishte zgjedhur ta skaliste emrin e tij në radhët e “legjendave” të futbollit shqiptar, por lirinë që të fal fusha e gjelbër, e këmbeu me një profesion krejt tjetër: atë të mjekut. Bëhet fjalë për pediatrin Alfred Lulo, i cili prej 27 vitesh ia ka kushtuar jetën dhe karrierën e tij profesionit sa të vështirë, aq edhe human të mjekut. Në intervistën për gazetën “Shëndet+”, ndonëse shprehet i bindur se mjekësia ishte zgjedhja e duhur, kur flet për futbollin, duket se 27 vite pune nuk ia kanë shuar pasionin për “dashurinë” e tij të parë. Pozicioni si drejtor i Qendrës Shëndetësore nr.8 në Tiranë është thjesht një “dekorim” që i shtohet karrierës së tij.
Doktor, kur e keni nisur karrierën tuaj?
Karrierën time e kam nisur në vitet ’85, ku jam dërguar si mjek në zonat e veriut, konkretisht në qytetin e Pukës ku kam shërbyer për rreth 5 vjet. Më vonë u ktheva në Tiranë, ku punova si mjek i urgjencave për 14 vjet. Përvoja e gjatë në Urgjencën e Tiranës më dha mundësinë të punoja si shef i Urgjencës së Spitalit Turk, ndërkohë pothuajse prej 7 vjetësh punoj si mjek pediatër në Qendrën Shëndetësore nr. 8, ku aktualisht mbaj edhe pozicionin e drejtorit.
Pse e zgjodhët mjekësinë?
Pasioni im ka qenë futbolli të cilin, edhe pasi u bëra mjek, nuk e harrova kurrë. Gjithmonë e gjeta një rrugë për të qenë pranë “profesionit” tim të parë. Në vitet e para të rinisë sime, kam luajtur futboll. Kam qenë pjesë e ekipit të skuadrës së Luftëtarit të Gjirokastrës, ku luaja në pozicionin e sulmuesit dhe mbaja numrin 11. Kur mbarova shkollën e mesme, doja të ndiqja rrugën e sportit, por prindërit e mi më orientuan vazhdimisht drejt mjekësisë. Vetë isha në dilemë se çfarë të zgjidhja: të vazhdoja Institutin e Fizkulturës në Tiranë apo Mjekësinë. Megjithatë, zgjodha mjekësinë.
Çfarë vështirësish keni hasur kur e nisët punën në fillim?
Kur e nisa punën, isha shumë i ri dhe më dërguan në zonat e veriut. Kushtet ishin shumë të vështira, madje atë vit pat rënë dhe një borë shumë e madhe, familjen e kisha larg dhe e ndieja shumë mungesën e tyre, ndonëse mundohesha të vija sa herë më jepnin leje. Përsa i përket punës, Puka ishte një ndër zonat më të vështira dhe mua më duhej të mbuloja pediatrinë plus grupmoshave të mëdha.
Nëse do të ktheheshit pas, a do zgjidhnit përsëri mjekësinë?
Sot pas kaq vitesh profesion, jam i bindur se mjekësia ishte rruga ime. Por, nëse do të ishte mundësia, edhe sportin do ta ushtroja, sepse ka patur futbollistë të njohur që kanë qenë edhe mjek, edhe futbollistë njëkohësisht. I tillë ishte Petrit Dibra, një nga lojtarët e Klubit të Tiranës. Ai ishte edhe mjek, edhe futbollist. Ose mund të përmndim edhe lojtarë të huaj, si legjenda e futbollit brazilian Sokrates. Megjithatë, unë kam gjetur një mënyrë tjetër për të qenë pranë futbollit. Për vite me radhë kam qenë pjesë e stafeve mjekësore të ekipeve më të njohura të Tiranës, si: Partizanit, Dinamos, klubit të Kamzës, një staf të cilin e drejtova deri në kategorinë superiore.
Cila është lidhja mes sportit dhe mjekësisë?
Nëse je pjesë e një stafi mjekësor sportiv, por ke qenë edhe lojtar, arrin të kuptosh të gjithë mekanizmin e lojës, sepse ti je mjek dhe i di të gjitha veprimet: e di ku goditet dhe si mund të riparohet një dëmtim, kur duhet të ndërrohet një lojtar në fushe etj. Sigurisht, është rast i rrallë që të jesh edhe mjek, edhe sportist. Sepse sportistët ia kushtojnë kohën e tyre vetëm sportit, duke e anashkaluar shpeshherë pjesën e arsimimit e aq më tepër kur bëhet fjalë për mjekësinë, një profesion i cili edhe ai vetë kërkon shumë punë, lodhje e studim. Unë u mundova t’i bëja të dyja.
Një nga kujtimet më të bukura nga profesioni juaj?
Në jetë duhet të jesh njeri i vendosur dhe me mendje të hekurt. Duhet të dish të falësh, të bësh tolerime, si dhe të punosh shumë. Kujtime shumë të bukura ruaj nga vitet në Urgjencën e Tiranës, ku kam pasur fatin të punoj me mjekë të nderuar. Kemi pasur marrëdhënje shumë të mira me kolegët dhe kur erdhi puna që duhej të largohesha, asnjëri nga kolegët që ishte aty nuk donte që të ikja.
I jeni frikësuar ndonjëherë profesionit të mjekut?
Jo. Kur shkova në Veri, isha i ri. Aty u ambientova me gjithë sistemin shëndetësor, plus që punova në Urgjencën e Tiranës. Një mjek që punon në urgjencat shëndetësore, nuk ka më frikë të punojë. Hyn në çdo vend, sepse ndeshesh me të gjitha llojet e problemeve shëndetësore, të gjitha llojet e sëmundjeve, traumave. Urgjenca më bëri të mos kem asnjë lloj frike.
Cili është çelësi për të qenë mjek i suksesshëm?
Sigurisht është përgatitja, studime… studime dhe punë. Mjekët duhet të përditësohen vazhdimisht me të renë, shkencën dhe botën e internetit. Gjithashtu, ruajtja e një marrëdhënieje të mirë mjek-pacient është garaci për sukses. Fatkeqësisht për kohën që po jetojmë këto marrëdhënie janë ftohur disi. Unë kam 27 vjet punë në mjekësi dhe e kuptoj që mjeku nuk shikohet më me atë syrin e mëparshëm. Këtu kanë ndikuar shumë gjëra, si për shembull faktorët ekonomik dhe social. Më parë sistemi shëndetësor ishte i barabartë për të gjithë, sot kemi ekonominë e tregut. Do të isha shumë i kënaqur nëse këto marrëdhënie do të ishin më të mirë, por sigurisht na takon ne mjekëve që ta rregullojmë këtë marrëdhënie.
Çfarë këshille do t’u jepni të gjithë atyre të rinjve të cilëve sapo e kanë nisur rrugën e mjekësisë?
Së pari, u them që të studiojnë shumë, mjekët dhe studentët duhet të studiojnë shumë, sepse mjekësia nuk ka një fillim dhe fund. Në mjekësi duhet të jesh gjithmonë në kontakt me të rejat, duhet të lexosh vazhdimisht. Dhe sigurisht u them që të ruajnë raporte shumë të mira me pacientët. Marrëdhëniet mjek-pacient duhet të jenë shumë të afërta.
Sa mendoni se kujdesen shqiptarët për shëndetin?
Për zonën ku flasim, njerëzit janë shumë të kujdesshëm, e kontrollojnë veten shumë shpesh. Këtë e tregon numri i vizitave që janë të shpeshta dhe gjithnjë në rritje. Madje, njerëzit kanë filluar të bëjnë edhe diagnozë diferenciale. E bëjnë këtu, por e bëjnë edhe në një vend tjetër për të parë rezultatin, dhe kjo është një gjë shumë e zgjuar nga ana e pacientëve, pasi shikojnë nëse janë të sakta ose jo.
Por kjo varet nga shumë faktorë, përveç atyre financiare, është dhe çështje mentale. Zona për të cilën po flasim, duhet theksuar se i përket një kategorie të lartë arsimore dhe sociale. Për shqetësimin më të vogël, njerëzit këtu i drejtohen mjekut, sidomos për fëmijët e vegjël. Këtë e dëshmon edhe fakti që kjo është një nga zonat që e ka vdekshmërinë foshnjore zero.
Një këshillë si mjek pediatër, meqenëse jemi në stinën e virozave?
Kemi hyrë në periudhën e dimrit dhe luhatjet në temperaturë ndikojnë edhe në shëndetin e njerëzve. Duhet pasur kujdes për kohën e ftohtë që po kalojmë, ngrohja është një nga kushtet që njeriu duhet t’ia sigurojë vetes.
Ajrosja dhe mosqëndrimi nëpër ambiente që janë të mbyllura.
Veshjet duhen mbajtur të trasha në mënyrë që trupi të jetë i ngrohtë dhe të mos e ndiejë ndryshimin e temperaturës.
Ushqimi duhet të jetë kalorik. Për dimrin ushqimet gjithmonë duhet të jenë kalorike. Si dhe kontaktin me mjekun, sidomos për fëmijët të cilët sistemin rregullator e kanë më të dobët dhe preken shpesh nga virozat, kështu që duhet patjetër kontakti me mjekun për çdo lloj shqetësimi.



