Kryefaqja Aktualitet Ambasadori zviceran Adrian Maître: Synimi ynë në Shqipëri, rritja e cilësisë së...

Ambasadori zviceran Adrian Maître: Synimi ynë në Shqipëri, rritja e cilësisë së kujdesit shëndetësor

0
Shpërndaje

Disa qendra shëndetësore nëpër të gjithë vendin janë rinovuar plotësisht kohët e fundit. Zvicra – përmes projektit ‘Shëdet për të Gjithë’ – e ka mbështetur këtë si pjesë e programit të saj të bashkëpunimit me Shqipërinë ku shëndetësia është një nga sektorët prioritarë. Mbështetja zvicerane për shëndetësinë aktualisht po zgjerohet. Për të mësuar më shumë mbi kontributin zviceran për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri ne intervistuam Ambasadorin Adrian Maître dhe folëm edhe me Drejtuesen për Qeverisjen dhe Shëndetësinë tek Ambasada e Zvicrës, Zj. Chantal Nicod.

Z. Ambasador, ju tashmë jeni në Shqipëri për më shumë se një vit. Si do ta përshkruanit gjendjen në sektorin e shëndetësisë?

Është kënaqësi që kemi këtë intervistë në fillim të këtij viti që shënon 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Në lidhje me sektorin e shëndetësisë, së pari ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me vetë Ministren. Në shëndetësi – ashtu si dhe në sektorë të tjerë ku Zvicra asiston – udhëheqja dhe udhëzimet nga autoritetet shqiptare janë thelbësore për suksesin e përpjekjeve tona të përbashkëta. Programi zviceran për shëndetësinë përputhet mirë me shënjestrat e qeverisë. Unë vërej një rol pro-aktiv nga ana e Ministrisë veçanërisht në forcimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe në promovimin e stileve më të shëndetshme të jetesës. Të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe janë pjesë e objektivave të mbështetjes sonë. Kthimi i prirjes së kujdesit shëndetësor gjithnjë e më shumë nga spitalet për tek qendrat shëndetësore është një qasje që e kemi të përbashkët me qeverinë shqiptare.

Kohët e fundit financimi zviceran mundësoi rinovimin e disa qendrave shëndetësore siç janë ajo e Patosit, poliklinika dhe qendra shëndetësore e Lushnjes dhe ajo e Vorës. Cila është strategjia e përgjithshme e mbështetjes zvicerane në shëndetësi?

Po, ne jemi të përfshirë në përmirësimin e infrastrukturës për qendrat shëndetësore. Ne kishim një përkushtim për 16 qendra shëndetësore ku ato që ju përmendët në Patos, Lushnje and Vorë janë tre shembuj me rëndësi. Ky financim ishte në përgjigje të prioriteteve të qeverisë gjë që përfshinte rindërtimin e infrastrukturës së qendrave shëndetësore. Por gjithashtu, pas tërmetit shkatërrues të Nëntorit 2019 qeveria e Shqipërisë përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale na kërkoi një kontribut shtesë. Si masë paraprake rindërtimi mbi bazën e vlerësimit fillestar të nevojave të kryer nga Ministria, në shtuam gati 470,000 Euro – për rehabilitimin e 5 qendrave shëndetësore ne Durrës, Tiranë dhe Krujë, të cilat ishin dëmtuar rëndë. Këto qendra – kryesisht në zona rurale – do të bëhen përsëri funksionale dhe do t’i shërbejnë mbi 40,000 banorëve. Ky kontribut zviceran vjen para konferencës mbi tërmetin që do të mbahet së shpejti në Bruksel.

A është mbështetja për shëndetësinë atëherë kryesisht në infrastrukturë?

Jo, ne kemi një qasje më të gjerë në mbështetjen tonë për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Një performancë më e lartë dhe një cilësi më e lartë e kujdesit shëndetësor është ajo çka ne po synojmë. Megjithëse se infrastruktura është gjëja e parë që njerëzit shohin dhe ajo është më e lehtë për t’u kapur, një pjesë e madhe e punës tonë në sektorin shëndetësor shkon drejt krijimit të politikave kombëtare për kujdesin shëndetësor parësor, drejt menaxhimit të profesionistëve të shëndetësisë, dhe drejt forcimit të kapaciteteve klinike. Për shembull, në lidhje me pikën e fundit – forcimi i kapaciteteve – projekti ynë prezantoi për herë të parëgrupe profesionistësh (peer review groups) si një mënyrë për vazhdimin e arsimimit të mjekëve dhe infermierëve; projekti gjithashtu zhvilloi aftësitë menaxheriale të profesionistëve të shëndetit dhe punoi për përmirësimin e sjelljes shëndëtësore të popullatës në zonat rurale në Dibër dhe Fier.

Një shembull tjetër është mbështetja për akreditimin e një programi të ri të studimeve Master për menaxhimin shëndetësor. Këto shembuj janë më pak të dukshëm se një qendër shëndetësorë e rikonstruktuar bukur, por jo më pak të rëndësishëm.

Kur vizitova qendrën shëndetësore në Portëz, Fier të cilën e mbështetëm me trajnime dhe pajisje, une pyeta drejtorin ‘çfarë ka ndryshuar në vitet e fundit?’; ai u përgjigj: ‘Ne kemi ndryshuar’ dhe shpjegoi se personeli tani është më mirë i përgatitur dhe i pajisur për shërbime ndaj pacientëve dhe me një sens më të lartë përgjegjshmërie.

Në pikëpamjen tuaj, çfarë do t’i duhet Shqipërisë për të patur një system shëndetësor më të mirë?

Për një sektor më të mirë shëndetësor në Shqipëri duhet të kujdesemi për tre element: Shërbim, Status, Sistem. Unë e quaj këtë formula 3S. Shërbimi shëndetësor është rezultat i infrastrukturës së mirë por edhe i njohurive dhe aftësive të mira nga mjekët dhe infermieret. Statusi shëndetësor vjen si rezultat i shërbimit të mirë shëndetësor, dhe njohurive dhe sjelljes së popullatës. Së fundmi, për njësistem të mirë shëndetësor një vend ka nevojë të përkushtojë burime të mjaftueshme financiare – të vendit si dhe në bashkëpunim me vendet partnered he organizatat shumëpalëshe – si dhe të sigurojë statistika dhe të dhëna. Të gjithë këta elemente përbëjnë një sektor shëndetësor më të mirë dhe të qëndrueshëm.

Si bashkëpunim zviceran në jemi angazhuar në mënyrë aktive në përmirësimin e dy prej S-ve të kësaj formule: shërbimi dhe statusi shëndetësor. Për pjesën e sistemit jemi në diskutim me Ministrinë dhe partnerët si Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe Banka Botërore me synimin që të vendosim bashkëpunimin tonë në themele të mira dhe të forta.

Së fundmi, ju përmendët nevojën për njohuri dhe sjellje shëndetësore, çfarë mesazhi do t’i jepnit popullatës së gjerë shqiptare në lidhje me shëndetin?

Përmirësimet në sistemin shëndetësor shkojnë krahas përmirësimeve në njohuri dhe në sjellje. Njerëzit duhet të jenë më aktivë dhe parandalues në sjelljen e tyre, veçanërsisht për sëmundjet jo të komunikueshme. Së shpejti ne nisim një projekt ë ri për promovimin e sjelljes së mirë shëndetësore dhe parandalimin e sëmundjeve. Mesazhi do të jetë: hani më mirë, ndiqni një stil të mirë jetese, merruni me sport! Në një nga fushatat e fundit së bashku me Bashkine e Tiranës promovuam idenë se sporti të bën më të shëndetshëm. Si pjesë të kësaj ne patëm edhe një përshëndetje të dedikuar nga kampioni zviceran i tenisit Roger Federer i cili inkurajoji fëmijët në Tiranë për t’u përfshirë në sporte dhe tenis. Sipas tij, të meresh me sport të bën gjithashtu edhe një njeri më të mirë!

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here