Përgatiti: Elena Beta
Aktorja shumë e njohur Xhenifer Aniston (Jennifer Aniston) ka zbuluar se vuan nga pagjumësia dhe ka frikë nga vdekja në moshë të re. Në një dalje publike për mediat ajo tha se kishte probleme me gjumin, pasi, kur zgjohet, flet me vete dhe e ka të pamundur të rikthehet të flejë sërish.
Aktorja shtoi më tej se ka instaluar një program në telefonin e saj që e ndihmon për të rënë në gjumë të thellë, pasi ajo e ka të vështirë ta bëjë këtë proces në mënyrë natyrale. Xhenifer tregoi se ishte duke luajtur rolin e një gruaje që vuante nga dhimbjet kronike në filmin “Cake” kur kuptoi se ishte duke vuajtur realisht nga e njëjta gjë.
Çfarë është pagjumësia?
Pagjumësia (Insomnia) është një problem i shpeshtë i gjumit, i cili mund të ndikojë në cilësinë e jetës. Njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje, kanë probleme të bien në gjumë ose të qëndrojnë në gjumë. Ata mund të zgjohen shpesh gjatë natës ose të zgjohen herët në mëngjes. Shkaqet e pagjumësisë mund të jenë të shumta, si: një problem individual i shkaktuar nga stresi apo zakonet e jetës, siç janë pirja e duhanit, sasia e lartë e kafeinës, ushqimi i keq, mungesa e aktivitetit fizik. Pagjumësia mund të jetë faktor ndikues në problemet neurologjike.
Si trajtohet pagjumësia?
Zakonisht një regjim i rregullt i gjumit është efektiv. Nëse pagjumësia ju pengon funksionimin normal gjatë ditës, atëherë mjeku mund t’ju rekomandojë ilaçe që ndihmojnë gjumin, zakonisht me doza të lehta me efekt të shkurtër, për të mos shkaktuar përgjumje gjatë ditës.


