Kryefaqja Lajm kryesor Ankesat e punonjësve, mungesë informimi dhe transparence

Ankesat e punonjësve, mungesë informimi dhe transparence

0
Shpërndaje

Përgatiti materialin Ilma Lamçe

Kur një punonjës lidh marrëdhënie pune me punëdhënësin, ata janë të detyruar të lidhin kontratën e punës. Kontrata e punës rregullon marrëdhëniet e punës duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e të dyja palëve.

Andi Muratej, ekspert ligjor, shprehet se shpesh ndodh që punonjësit janë të vetëdijshëm se nuk u respektohen të drejtat që u takojnë. Kodi i Punës është ligji kryesor që parashikon të drejtat e punës, ligj i cili detyron punëdhënësit të respektojnë një sërë rregullash gjatë mardhënies së punës. Në mënyrë të veçantë, Kodi i Punës përcakton të drejtat e punëmarrësve në lidhje me trajtimin e barabartë dhe mosdiskriminimin, sigurinë dhe shëndetin në punë, mbrojtjen e veçantë për gratë dhe fëmijët, mbrojtjen e grave shtatzëna dhe sigurinë sociale.

Pasi keni konstatuar se, po ju shkelen të drejtat dhe nga punëdhënësi juaj nuk po merrni asnjë përgjigje, rruga që duhet të ndiqni është ankesa. Kjo ankesë mund të dërgohet e shkruar ose elektronikisht pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës. Inspektorati është institucioni përgjegjës për verifikimet e shkeljes së të drejtave në punë. Inspektimet e këtij organi mund të jenë të planifikuara por realizohen edhe mbi bazën e ankesave të dërguara.

Ankesat në sektorin call center

Në Shqipëri call centeri është një ndër 5 sektorët me numrin më të lartë të punonjësve. Një sektor i cili ka hyrë vitet e fundit në tregun shqiptar, me rreth 25.000 punonjës ku mbizotëron mosha 25-30 vjeç. Problemet në këtë sektor vërehet se më së shumti janë problemet shëndetësore. Kjo për shkak të orëve të zgjatura që ata punojnë, ulur në kufje dhe para kompjuterit.

Por,  a dinë punonjësit se cila është rruga që duhet të ndjekin për të bërë një ankesë? A e dinë se kur u takon të bëjnë një ankesë, mbi çfarë kriteresh bazohet kjo ankesë?

Ashtu siç ndodh rëndom, edhe në call center punonjësit edhe pse të vetëdijshëm se po u shkelen të drejtat e punës, se ndaj tyre po bëhet një padrejtësi, heshtin. Frika apo mungesa e informacionit? Sa më pak të dijë punëmarrësi aq më mirë për punëdhënësin.

Megjithatë, shpesh janë edhe institucionet që nuk kthejnë përgjigje, duke refuzuar të drejtën për informim të punonjësve.

O.S: Jam ankuar te Inspektoriati, s’kam marrë asnjë përgjigje

Kam bërë disa ankesa pranë Inspektoriatit shtetëror të punës. Një prej tyre ka qenë për shkak të kushteve të punës. Kam 9 vite që punoj në këtë sektor dhe vitin e fundit kam patur disa shqetësime me shëndetin. Vuaj nga laringiti kronik dhe ftohja, kjo për shkak të kondicionerit në ambjentet e brendshme dhe për shkak të mungesës së aspirimit. Kam bërë kërkesë me shkrim por deri më tani nuk di të kenë ardhur për inspektim. Nuk janë marrë as masa për të ndryshuar diçka, gjithçka vazhdon po njësoj“, është shprehur O.S, e pyetur lidhur me të drejtën e ankesës dhe nëse e ka shfrytëzuar ndonjeherë si mundësi për të gjetur zgjidhje.

Në call centerin ku kam punuar për një periudhë 3-vjeçare, nuk respektoheshin festat zyrtare. Nuk kemi bërë asnjëherë festat pushim, si ato italiane si festat shqiptare. Sipas rregullores, nëse punonjësit nuk dëshirojnë ta bëjnë pushim por vendosin të punojnë, ajo ditë paguhet 25% më tepër. Fillimisht kam bërë ankesë te burimet njerëzore të call centerit ku punoja, dhe përgjigjia e tyre ka qenë se nuk kisha të drejtë të kërkoja një gjë të tillë. Nuk e kam ditur se nëse ankohesha te Inspektoriati i punës do të merrja një përgjigje, një informacion i tillë më ka munguar“ shprehet E.H.

TFL kërkesë për informacion, Inspektoriati nuk përgjigjet

Referuar këtyre zërave por edhe për të patur disa të dhëna më të sakta lidhur me numrin e ankesave që kanë ardhur nga punonjës të sektorit call center në Inspektoratin Shtetëror të Punës, shoqata Together for life ka dërguar një shkresë zyrtare në adresë të këtij institucioni, ku ka kërkuar informacion lidhur me çështjet:

  1. A janë zhvilluar vizita inspektuese nga ana e Inspektoratit në subjekte që punojnë në sektorin e Call Center, gjatë vitit 2018 ?
  2. Nëse po, sa është numri i subjekteve të inspektuara nga ana e Inspektoratit dhe cila është shtrirja e tyre gjeografike në rang vendi ?
  3. Sa prej këtyre vizitave inspektuese në sektorin e Call Center gjatë vitit 2018 kanë qenë të programuara dhe sa janë kryer pas ankesave të paraqitura ?
  4. Sa është numri i ankesave të paraqitura dhe/ose të trajtuara nga Inspektorati që vijnë nga Sektori i Call Center gjatë vitit 2018 ?
  5. Cila është natyra e shkeljeve të Kodit të Punës të konstatuara nga Inspektorati, bazuar në inspektimet e programuara për Sektorin e Call Center, gjatë vitit 2018 ?
  6. Cila është natyra e shkeljeve të Kodit të Punës të konstatuara nga Inspektorati, bazuar në ankesat e ardhura nga Sektori i Call Center, gjatë vitit 2018 ?
  7. Sa është numri i masave administrative (të ndara sipas natyrës së tyre), të marra pas vizitave inspektuese (qoftë për shkak programimi apo ankese) në sektorin e Call Center, gjatë vitit 2018?
  8. A ka patur raste të aksidenteve në punë në Sektorin e Call Center gjatë vitit 2018, nëse po, sa është numri i tyre ?

Por Inspektorati i Punës, në shkelje të ligjit për të drejtën e informimit, pas tejkalimit të të gjitha afateve ligjore, nuk ka kthyer përgjigje për shkresën, duke treguar mungesë transparence.

Por, si e merni informacionin për ankesën tuaj dhe cilat janë afatet e trajtimit?

Faqja zyrtare e Inspektoriatit të Punës, ka një hapsirë të veçantë ku mund të shkruhen ankesat, ndërkohë që bashkëngjitur në portal është edhe adresa e institucionit, ku ankesa mund të niset, në atë adresë përmes postës. Për të patur një shkresë të përpiluar sa më saktë, kujdesuni të përmendi, të drejtën e informimit si një e drejtë e njohur me ligj.

Për trajtimin e një ankese fillon një proçes inspektimi, i cili kryhet duke respektuar proçedurat e përcaktuara në Ligjin “Për Inspektimin në RSH“. Brenda 10 ditëve do të njoftoheni përmes një përgjigje, ku do të keni të sqaruar çdo pretendim që keni adresuar pranë nesh.

Çfarë duhet të keni parasysh në denoncimin e një ankese?

Ankesat duhet të deklarojnë qartësisht problemin apo shqetësimin, subjektin ndaj kujt ankohen, identitetin nëse e gjykojnë të arsyeshëm si dhe dokumentacion që mund t’i shërbejë inspektimit për trajtimin e rastit.

Kush mund të ankohet?

Punëmarrësi / organizata sindikale e punëmarrësve (nëse ka një të tillë) në subjektin ku ai bën pjesë apo publiku, ka të drejtë të ankohet, me shkrim apo me gojë, pranë Inspektoratit të punës, nëse gjykon/jnë që punëdhënësi/it nuk respekton/jnë të drejtën/at, që burojnë nga legjislacioni i punës.

Në rastet e kontrollit për verifikimin e një ankese, inspektorët e punës kanë detyrimin për të trajtuar në mënyrë tërësisht konfidenciale burimin e çdo ankimimi, si në rastet e depozitimit me shkrim pranë Inspektoratit, ashtu dhe në rastet e procedimit gjatë vizitës së inspektimit.

Tipologjia e ankesave qe trajton ISHPSHSH

Ankesat që kanë të bëjnë me cënimin apo shkeljen e:

Të drejtave që ligji u jep punëmarrësve,

Qëndrime të gabuara të punëdhënësve,

Pamjaftueshmëri të mbrojtjes në punë,

Punësim i paligjshëm, informalitet punësimi.

Trajtim të pabarabartë apo diskriminim.

Pse është i nevojshëm organizimi kolektiv

  • Sindikata është zëri juaj. Ajo bashkon, organizon dhe mbron punonjësit kundër çdo lloj diskriminimi apo punëdhënësi me qëllime diskriminuese.
  • Sindikata ju mbron nga pushimet e padrejta nga puna.
  • Sindikata lufton për të nënshkruar kontratën kolektive të punës.
  • Vetëm sindikata ka të drejtë të nënshkruajë kontratën kolektive të punës me punëdhënësin.
  • Kontrata kolektive e punës qëndron mbi kontratën individuale.
  • Sindikata bën avokatin e çdo anëtari dhe ofron konsulencë ligjore mbi problemet e punës.

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here