Bisedoi: Elona Tereziu
Mjekësia ishte ëndërr e babait, ndërsa psikiatria ishte zgjedhja e saj.
Arjana Rreli është padyshim mjekja më pozitive e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr. 3. Gjithmonë e qeshur, energjike dhe e kudogjendur me pacientët, ajo rrëfen në një intervistë për gazetën “Shëndet +“ lidhjen e saj me psikiatrinë dhe ëndrrën e mbetur në sirtarë për t’u bërë arkitekte.
“Unë isha shumë e mirë në vizatim teknik dhe brenda meje aspirata ishte për t’u bërë arkitekte, megjithatë, familjes time të madhe i mungonte një mjek, kështu që vendosa të ndiqja ëndrrën e babait”.
E megjithatë, tregon se nuk është penduar për zgjedhjen e saj, madje do e zgjidhte prapë, ndërkohë tregon që pasionin për arkitekturën ia ka trashëguar njërës nga vajzat e saj.
Por, çfarë e bën të veçantë psikiatrinë dhe si u gjend në këtë degë doktoresha Arjana? Sa e rëndësishme është të mos përfshihesh emocionalisht në problemet e pacientëve? Familja, dashuria për sportin dhe udhëtimet, të gjitha këto mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.
Kush është doktoreshë Arjana?
Unë i lidh gjithmonë arritjet e mia me mësuesen e klasës së parë, që vërtet ka qenë një nga pikat e mia të referimit. E para sepse ka qenë mësuese me shumë eksperiencë dhe e dyta sepse rastësisht ka qenë edhe mike e familjes. Zysh Lumja kishte një djalë të vetëm, por ishte shumë e afeksionuar pas gocave, kështu që unë isha shumë me fat. Edhe një shkrim të bukur që unë kam sot, dhe që të gjithë habiten si ka mundësi një shkrim doktori të jetë i tillë, unë e kam dhuratë të mësueses së klasës së parë, që ishte shumë kërkuese. Mos të harrojmë pastaj që mësueset e fillores janë ato që ndikojnë shumë në personalitetin tonë, sepse është vetë mosha e atillë ku fëmija e idealizon figurën e mësuesit dhe mundohet ta përvetësojë.
Arsimin 8-vjeçar e kreva në shkollën “10 Korriku” në Tiranë dhe pas kësaj gjimnazin tek “Sami Frashëri” që, ashtu si sot, ka qenë një gjimnaz me shumë kërkesa. Shpeshherë në atë kohë i gjykonim mësuesit si shumë të rreptë, por sot i japim vlerat për çfarë kanë insistuar të rrënjosin tek ne. Kujtime shumë të mira ruaj për mësuesen e fizikës (tmerri i gjimnazit “Sami Frashëri” në atë kohë), mësuesen kujdestare që më jepte matematikë, drejtoreshën që më jepte rusisht, e të gjithë mësuesit e tjerë.
Si u gjendët në mjekësi, ishte dëshirë e juaja apo një zgjedhje e imponuar?
Mbas gjimnazit, rezultatet shumë të mira, më lejonin që unë të bëja përzgjedhje dhe dikur ne jepnim 3 alternativa. Në të tria alternativat unë shkrova Fakultetin e Mjekësisë dhe në fakt kjo nuk ka qenë dëshira ime.
Familja e babait tim është shumë e madhe, janë 7 vëllezër, dhe meqenëse ishte një familje shumë e madhe, i mungonte një mjek. Babai im ma kishte propozuar edhe gjatë gjimnazit mjekësinë, mirëpo ishte një degë që nuk më tërhiqte. Unë isha shumë e mirë në vizatim teknik dhe gjatë shkollës bëja projektet jo vetëm të miat por edhe të shoqeve. Brenda meje ishte aspirata për arkitekte, por babai im ishte dhe vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite njeriu që udhëheq jetën time, ishte idealja për mua dhe unë nuk ia prishja për asgjë atij.
Kështu që kësaj familjes së madhe vendosa t’i shërbej me të qenët mjeke dhe në tri përzgjedhjet e mia për studime, vendosa mjekësinë. Megjithatë, për çudinë time, tri herë vendosa mjekësinë, por më doli farmaci. Në një sistem që vërtet funksiononte, më lindte e drejta për të bërë një ankesë, ankesa shqyrtohet dhe unë kaloj nga farmacia në mjekësi. Për 5 vite (1986-1991) unë u shkollova pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë dhe pas diplomimit kam punuar një vit si mjeke e përgjithshme në Poliklinikën e lagjes nr.4.
Pas kësaj vendos që të konkurroj për specializimin. Fitoj vendin e parë me 67 pikë, nga 100 të mundshme, dhe m’u dha e drejta që të përzgjidhja për specialitet kë të kisha dëshirë. Në familjen time vazhdonin ëndrrat për mua që duhet të bëhesha një kirurge e mirë, ndërkohë që motrat donin të bëhesha dermatologe, sepse “frynte era” e ndërhyrjeve estetike, mirëpo unë që kur kisha nisur bërë Fakultetin e Mjekësisë, psikiatrinë e kisha pasur dashuri me shikim të parë.
Kur shkova për të përzgjedhur specialitetin, drejtori jonë atëherë, mbasi më uroi, më vë listën përpara dhe më thotë: “Tani duhet të jesh shumë e lumtur sepse do zgjedhësh ëndrrën tënde”. Pashë listën dhe psikiatria nuk ishte askund, i thashë këtu nuk është ajo që dua. Më thotë po çfarë do ti?! Psikiatrinë i thashë. Shtangu! Më thotë, ti moj vajzë, ose duhet të jesh shumë e zgjuar ose shumë budallaçkë. Veç të tjerave, e di ti që tek ne ka 4 vite që nuk hapet shkolla e psikiatrisë, sepse nuk ka pasur kërkesa për këtë degë. Ashtu me dyshim shkova atë ditë në shtëpi dhe në përballje me familjarët u thashë që për specialitetin që unë doja, kishte 4 vite që nuk hapej shkolla. Po pse, çfarë kërkove ti më pyeti babai. I thashë, psikiatrinë! Nuk mund ta harroj reagimin e babait që më thotë: “Ti ke ndonjë problem, se mund ta zgjidhim bashkë?!”
Bënë një luftë të madhe të më kthenin mendjen, por unë e kisha vendosur dhe, për fatin tim të mirë, ajo degë u hap dhe unë i takoj brezit që për herë të parë është shkolluar për katër vjet, sepse përpara nesh edukimi ka qenë i tillë që për një vit bëheshe neuropsikiatër.
Specializimin e mbarova në vitin 1996 dhe, megjithëse i përkas kohës kur gjërat ishin të mirë organizuara, ende nuk ishte hapur vendi im i punës sepse parashikohej që njëra nga mjeket të dilte në pension, kështu që për 1 vit nuk punova dot. Pas një viti fillova punë në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor nr.1, ku në vitet e para kam punuar me doktoreshë Hysnie Hashorvën, që ishte një eksperiencë me vete, një ndër më të mirat dhe më të vjetrat në shërbimin ambulator të psikiatrisë.
Më pas prej vitit 2002-2005 largohem për studime në Romë, ku për tre vite përfshihem në klinikën e psikiatrisë në Universitetin e La Sapienza, ku kryej studimet 3-vjeçare duke thelluar më tej njohuritë e mia. Pasi kthehem në vitin 2005, rifilloj punë direkt në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor nr.1, ku punoj deri në vitin 2010, për të kaluar më pas në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor nr.3, ku vazhdoj të jem edhe sot.
Ndodh të përfshiheni ndonjëherë në problemet e pacientëve?
Sigurisht, ne jemi qenie humane dhe pa diskutim që emocionet ndikojnë, por emocionet që të ndikojnë më tepër janë ato që t’i mund t’i kesh provuar vetë gjatë jetës. Prandaj, nëse eksperienca e personit qe flet përballë teje ngjan me eksperiencat e tua, kjo të bën disi më të brishtë emocionalisht, për t’u përfshirë deri diku dhe për të ndikuar tek paqja që ti mundohesh të ruash, për të qenë e ftohë ndaj një rasti dhe për të marrë vendimin e duhur.
Ka pastaj edhe problematika ose fatkeqësi shumë të mëdha, të cilat referohen dhe përgjithësisht çdokujt do t’i qëndronin gjatë në kujtesë, megjithatë eksperiencat që njeriu kalon dhe vitet që bën në këtë lloj profesioni krijojnë dashur pa dashur një lloj filtri që nuk lejon që të ngacmohen fuqishëm emocionet, pra ne mundohemi të krijojmë mure që na ruan nga konsumi.
Ndodh të përballeni shpesh me situata të vështira në punë?
Situata të vështira, si të gjithë kolegët e mi, sigurisht që kemi, sepse ka gjendje që krijojnë veprime impulsive të papritura. Nuk përjashtoj as episode ku kam qenë e kërcënuar në moment nga një ide interpretuese apo nga ndonjë zë urdhërues që disa sëmundje të caktuara vendosin tek këta persona. Kështu që situatat më të vështira janë ato ku t’i ndjen kërcënim për jetën. Megjithatë nuk janë të shpeshta, gjatë jetës time profesionale mund të kem pasur 1 ose 2 raste gjithsej.
Ndryshe nga figura e “rëndë” e psikiatrit, ju përcillni një imazh shumë pozitiv dhe jo më kot pacientët ju duan. Çfarë e bën dr. Arjanën të veçantë?
Shumë njerëz figurën e psikiatrit e mendojnë brenda kornizave të të qenët formal, por unë psikiatrinë e kam pasur dashuri më shikim të parë. Kur ti gjendesh në atë lloj pune që e bën me pasion, e ke shumë më të thjeshtë për ta bërë dhe e bën mirë krahasimisht me dikë tjetër që është gjendur rastësisht aty.
E dyta, unë punoj me njerëzit më të mirë në botë dhe shoh që mirënjohja e tyre vdes bashkë me ta. Shoh se sa mirënjohës janë pacientët për atë çka t’i ndryshon në cilësinë e jetës së tyre.
Dhe e treta, por jo më pak e rëndësishme, unë jam fëmijë i rritur me shumë dashuri dhe them se njerëzit që rriten me shumë dashuri kanë dhe shumë dashuri për të falur.
Çfarë e bën të veçantë psikiatrinë?
Enigma që mban në vete. Psikiatria është e gjitha një enigmë. E dyta fakti që ti duhet të gjesh të përgjithshmen tek të veçantat. Pra, duke e konsideruar njeriun si një individualitet, secili nga personat është kaq i ndryshëm dhe ti përballë këtyre personave kaq të ndryshëm duhet të kontribuosh me zgjidhjen tënde, duke i grupuar dhe gjetur të përbashkëtën.
Unë e them gjithmonë, njerëzit që vuajnë nga problematika të shëndetit mendor, janë njerëzit më të mirë në botë. Janë njerëz me shumë emocione, me shumë botë, njerëz me ndjenja, njerëz që vuajnë padrejtësinë, që nuk përshtaten dot me gjëra që ata i shikojnë si jo të mira. Është mënyra si ata e vuajnë realitetin rreth e përqark, që i bën në këndvështrimin tim njerëz që meritojnë një vend të veçantë dhe sinqerisht i ndjej në çdo vizitë.
Pjesa tjetër që më tërheq tek psikiatria është sepse mëson shumë nga gabimet e të tjerëve. Mëson se kur dhe në çfarë rrethanash mund të lëndohet njeriu. Mëson se si mund të mbrohesh ndaj agresorëve stresor gjatë jetës, çfarë mekanizmash mbrojtës mund të ketë potencial një njeri dhe si mund t’i përdori ato.
Pra, aq sa duket konsumues si profesion , aq ka dhe të mirat e veta, sepse krijon mbrojtje të cilat nuk ke nevojë t’i gjesh, mjafton të përvetësosh situatat. Plus faktit që është një shkencë që ti je gjithmonë në kërkim të asaj që nuk e gjen dot me analiza, por duhet të analizosh emocionet dhe mendimet për të dalë në përfundime, kjo e bën diferencën nga degët e tjera.
Ju keni dhe dy vajza, Jona dhe Megi, megjithatë asnjëra nuk ka zgjedhur të ecë në gjurmët e mamasë. Pse?
Unë kam dy vajza, Jona dhe Megi. Jona është arkitekte, ndërsa Megi vazhdon studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Në fakt, tek Jona, që është vajza e madhe, pasi pashë që vërtet ishte shumë e talentuar në vizatim, gjatë gjimnazit u përpoqa që ajo të gjente veten dhe tek lëndët që kishin lidhje me inxhinieritë. Kjo për arsyen se ëndrrën time të madhe doja ta bëja realitet tek njëra nga vajzat e mia. Duke qenë se Jona i tregoi aftësitë e veta në gjimnaz edhe tek lëndët si gjeometria, matematika, atëherë mendova që mund të ishte një arkitekte shumë e mirë. Mbase jam treguar dhe pak egoiste në këtë pjesë për ta bërë arkitekte, por si çdo prind që do të shikojë pjesët e veta të realizuara tek fëmijët e tij, unë ëndrrën time në sirtar të arkitekturës doja ta shikoja tek njëra nga vajzat. Sigurisht arkitektura ishte propozim dhe jo një zgjedhje e detyruar, dhe jam më se e sigurt që Jona e ka gjetur veten brenda kësaj dege, këtë e tregon dhe fakti që sot ajo është një arkitekte shumë e mirë.
Veç anës profesionale, ju keni dhe një jetë shumë aktive jashtë saj, udhëtime, sport, palestër…
Tek familja e madhe e babait tim gjithmonë ka pasur njerëz që kanë qenë eksponent në sport. Nisur dhe nga kjo, por mbase është dhe një gen brenda nesh që përcakton këtë dëshirën për të qenë gjithmonë aktivë dhe të merresh me sporte.
Unë që herët kam luajtur me ekipin e shkollës 8-vjeçare, pastaj edhe në gjimnaz, pastaj Fakulteti Mjekësisë nuk ma lejonte shumë se kishte ngarkesë, por ama shkëlqeja në fizkulturë.
Tani shumë shpesh bëj shaka dhe them që sportin e kam filluar për të mbajtur trupin, por në fakt po më shërben për trurin dhe kjo është një nga arsyet që unë nuk e lë. Kam qenë një vrapuese shumë e mirë tek liqeni për vite të tëra, po ngarkesa e madhe në punë dhe koha e cila nuk më premton më ka bërë që të frekuentoj vetëm palestrën.
Pjesa tjetër është që unë falënderoj vëllanë tim të vogël, i cili është një organizator i shkëlqyer i udhëtimeve dhe ngjitjeve në male. Ne jemi ngjitur bashkë në disa maja në Shqipëri (Dajt, Bjeshkët e Munellës në Pukë, Malin e Moravës në Korçë, Malin e Tomorit, Malin e Çikës) dhe së shpejti kemi planifikuar diçka përtej Karaburunit. Ndërkohë që fundjavat më gjejnë zakonisht në Vlorë, dashuria tjetër e imja, qyteti që e dua fort.