Armando Subashi: Asnjë tolerancë ndaj ndotësve të mjedisit

 

Seniora 2

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Fierit, Armando Subashi, në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, ka renditur pikat kryesore të programit të tij për mjedisin, ku parashikohet zbatimi i planeve emergjente, atyre afatshkurtra e afatgjata për rehablitimin e gjithë zonave të ndotura dhe krijimin e një mjedisi të shëndetshëm për qytetarët. Duke shpjeguar se programi është hartuar me një përfshirje të gjerë të qytetarëve, ekspertëve dhe grupeve të interest, kandidati Subashi ka zbardhur edhe projektet që do të ndikojnë në përmirësimin e mjedisit në Bashkinë e Re të Fierit. Kështu, ai ka pohuar se ka projekte konkrete për rehabilitimin e lumit Gjanica, për menaxhimin e mbetjeve urbane, zgjerimin e hapësirave të gjelbëra dhe energjinë e rinovueshme, duke theksuar se nuk do të ketë tolerancë ndaj ndotësve, të cilëve sipas tij, do t’u Armando Subashikërkohet zbatimi i ligjshmërisë.

Cilat janë planet tuaja lidhur me mjedisin?

Me ndarjen e re administrativo-territoriale mjedisi kthehet një ndër prioritetet tona kryesore. Mungesa e infrastrukturës mjedisore ka qenë një ndër shkaqet kryesore që ka penguar zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe si rrjedhojë zhvillimin ekonomik të zonës në të 10 njësitë administrative që tashmë do të përfshihen nga bashkia e re e Fierit. Me qëllim garantimin e mirëqenies së qytetarëve dhe garantimin e një mjedisi të aftë të ripërtëritet dhe shfrytëzohet në funksion të rritjes së kësaj mirëqënieje, ne kemi hartuar plane të detajuara për sektorin e mjedisit, ku pasyrohen problematikat, mundësitë e zgjidhjes së tyre dhe instrumentat teknikë, juridikë e financiarë që nevojiten për implementimin e programit të hartuar.

Dua të theksoj se për të hartuar programin tonë për mjedisin, fillimisht kemi realizuar takime me ekspertë të këtij sektori dhe kemi evidentuar problematikat kryesore në fushën e mjedisit si dhe masat apo planet për përmiresimin e tyre. Gjithashtu mendoj se ky program do të pasurohet në vazhdimësi gjatë takimeve që ne jemi duke zhvilluar me qytetarët dhe grupet e ndryshme të interest. Ndërkohë, dua të shtoj edhe faktin se hartimi i këtij programi është kryer në përputhje me politikat kombëtare dhe ato ndërkomëtare për mjedisin.

Ndër problematikat kryesore mjedisore të evidentuara deri tanimë në territorin e bashkisë së re të Fierit dua të veçoj: ndotjen e lumit Gjanica nga industria e Naftës dhe shkarkimet e ujërave të zeza; ndotjen e vijës bregdetare në gjithë gjatësinë e saj prej 25 kilometrash; mungesën e trajtimit të mbetjeve urbane; mungesën e hapësirave të gjelbëra në qytet, si dhe përmbytjet e përvitshme të zonave të banuara pranë shtratit të lumit Gjanica.

Për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm ne do të fokusohemi në zgjidhjen e këtyre problematikave, ku fillimisht do të reduktojmë e parandalojmë ndotjen e lumit Gjanica e Seman, si dhe vijës bregdetare dhe do të zhvillojmë një menaxhim të integruar të mbetjeve urbane. Gjithashtu, do të kemi prioritet mbrojtjen e zonave me rëndësi të veçantë mjedisore. Do të hartojmë dhe zbatojmë plane të manaxhimit të zonave të mbrojtura, si atë të Parkut të Levanit, të Pishë Poros, etj. . Do të marrim masat e duhura për mbrojtjen e fashës bregdetare nga ndërhyrjet informale dhe përcaktimin e zonave për pushuesit. Do të hartojmë plane për mbrojtjen nga ndryshimet klimatike. Kështu do të marrim masa për zvogëlimin e erozionit detar, përmes zbatimit të studimeve të posaçme. Do të marrim masa për parandalimin e përmbytjeve, përems ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse, gjelbërimit intensiv të shtretërve të lumenjve dhe fashave mbrojtëse, studimit dhe alokimit të fondeve për rehabitilimin e tokave bujqësore të ndotura nga aktiviteti industrial etj. . Në projektet tona kemi përfshirë edhe marrjen e masave për të minimizuar ndotjen akustike, që është më e theksuar në qytetin e Fierit.

Sa për qind të buxhetit do të zërë mjedisi?

Duke qenë se mjedisi është një nga prioritetet tona, përqindja e buxhetit që do t’i destinohet mjedisit do të ketë një rëndësi të veçantë në buxhetet vjetore të bashkisë. Por, planifikimi financiar për mjedisin, ashtu si për gjithë sektorët do të bazohet në projektet konkrete të planeve vjetore që do të miratohen nga këshilli bashkiak për t’u realizuar në vitin respektiv. Kështu, të gjitha projektet për përmirësimin e mjedisit që do të zbatohen do të kenë paraprakisht një buxhet financiar, që mund të sigurohet nga të ardhurat e bashkisë, nga grantet qeveritare apo nga donatorë të ndryshëm.

Ligji “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” parashikon grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në çdo bashki brenda vitit 2018.  Si do ta realizoni?

Që prej vitit 1994 grumbullimi dhe trajtimi i mbetjeve dhe shërbimet e tjera të pastrimit i janë deleguar autoriteteve lokale duke i bërë këto të fundit përgjegjëse për menaxhimin e tyre dhe njëkohësisht duke u siguruar financimin nga qeverisja qëndrore me anë të “granteve të pakushtëzuara”. Ligji 8652,dt 31.7.2000 “Mbi organizimin dhe funksionimin e qeverive vendore” vendosi që grumbullimi, groposja dhe trajtimi i mbetjeve bashkiake urbane të jetë tërësisht një përgjegjësi funksionale dhe organizative e bashkive dhe komunave.

Në përgjithësi, problematika në sektorin e mbetjeve lidhet ngushtë me mungesën e instrumenteve të duhura për menaxhimin mjedisor të tyre, mungesën e teknologjive dhe investimeve dhe kapacitetet e pamjaftueshme në burimet financiare. Direktivat e BE-së, si dhe Strategjia Kombëtare e Mbetjeve, rekomandojnë që të gjitha planet kombëtare, rajonale dhe lokale të bazohen në parimet e përgjithshme që janë:

Parimi reduktues: Të sigurojë ruajtjen e burimeve natyrore duke minimizuar dhe mënjanuar sa është e mundur gjenerimin e mbetjeve. Qëllimi kryesor në reduktimin e mbetjeve qëndron në domosdoshmërinë e ndërprerjes së lidhjes midis rritjes ekonomike dhe gjenerimit të tyre;

Parimi parandalues: Të sigurojë reduktimin e impakteve nga mbetjet në shëndetin e njerëzve dhe të mjedisit, veçanërisht të reduktojë substancat e rrezikshme tek mbetjet; Hierarkia e Mbetjeve që përfaqëson një nga parimet kryesore udhëzuese në menaxhimin e mbetjeve në BE. Hierarkia përshkruan një set të metodave prioritare në menaxhimin e mbetjeve duke vendosur “parandalimin dhe ripërdorimin” në majë dhe depozitimin si alternativën më pak të favorshme.

Për t’i dhënë një zgjidhje sa më eficente menaxhimit të mbetjeve urbane kemi planifikuar ndërtimin e një landfilli për grumbullimin e përpunimin e tyre. Fusha ekzistuese e grumbullimit të mbetjeve urbane është në vitet e fundit të mundësisë së depozitimit të mbetjeve për shkak të mungesës së kapaciteteve. Gjendja aktuale e saj është në kushte jashtë standardeve për grumbullimin e mbetjeve urbane. Në këto kushte del domosdoshmëri ndërtimi i një landfilli të ri për të bërë të mundur grumbullimin e mbetjeve sipas teknologjive të standarteve evropiane.

Gjithashtu, mjaft të rëndësishme janë përmirësimet në mjete e makineri për grumbullimin e mbetjeve urbane, vendosja e pikave nëntokësore të grumbullimit të mbetjeve urbane fillimisht në zonën qendër qyteti e zonat me biznes më të zhvilluar e shtrirjen e tij në gjithë territorin e Bashkisë Fier, plotësimi i qendrave të banuara dhe  rrugëve interurbane me kontenierë për grumbullimin e mbetjeve urbane etj.

Përsa i përket diferencimit të mbetjeve urbane, në bashkinë e Fierit është aplikuar sistemi me tre kosha që do të shtrohet edhe në zonat e tjera të territorit të njësisë së re administrative. Kjo, me qëllim mundësimin e diferencimit të mbetjeve urbane që në burimin e tyre. Jemi duke vlerësuar edhe ndërtimin e pikave të diferencimit të mbetjeve me kushte e teknologji bashkëkohore.

Gjithashtu, kemi planifikuar edhe krijimin e një impianti (krematoriumi) për trajtimin e mbetjeve spitalore.

Gjelbërimi vazhdon të mbetet problem për çdo bashki. A përfshihet kjo në planet tuaja dhe çfarë konkretisht?

E konsideroj si mjaft të rëndësishëm shtimin e sipërfaqeve të gjelbëra në territorin urban dhe për këtë arsye kemi hartuar një plan serioz për shtimin e tyre.

Kështu, në programin tonë ne kemi parashikuar ndërtimin e një parku periferik për të gjitha moshat që do të shtrihet në zonat rreth Apolonisë, duke përfshirë edhe Parkun e Levanit. Kemi planifikuar gjelbërimin e brigjeve të lumit Gjanica, si dhe krijimin e fashave të gjelbra mbrojtëse përreth zonave të nxehta në zonën e ish-Azotikut. Gjithashtu, kemi planifikuar ndërtimin e një mega parku në zonën e Semanit. Është shumë e rëndësishme edhe shtimi i hapësirave të gjelbra përgjatë zonës bregdetare, të cilës i kemi dhënë një rëndësi të veçantë në planet tona për shtimin e gjelbërimit. Do të përfundojmë plotësimin e rrugëve urbane dhe interurbane me gjelbërim të lartë, si dhe do të krijojmë miniparqe dhe xhepa urbanë në çdo bllok banimi.

Dua të theksoj edhe një risi që kemi parashikuar në programin tonë për mjedisin, atë të krijimit të një fidanishteje si pronë e Bashkisë Fier për rritjen e fidanëve të pemëve dhe luleve, çka do të sjellë uljen e kostos, si dhe do të krijojë mundësi për shtimin e sipërfaqeve të gjelbëra e rritjen e punësimit. Por, aksioni i parë që do të ndërmarrim për të mundësuar këto projekte, është evidentimi i hapësirave publike të zaptuara dhe rikonceptimi i tyre në funksion të shtimit të hapsirave të gjelbëruara.

Ndotja mjedisore në lumin Gjanica (si ajo prej hidrokarbureve, ashtu edhe ajo prej inerteve, mbetjeve urbane e ujërave te zeza) është një nga problematikat më të mëdha mjedisore të bashkisë Fier, në veçanti për qytetin e Fierit. A keni planifikuar masa për menaxhimin e kësaj ndotje dhe rehabilitimin e lumit Gjanica?

Lumenjtë Gjanicë dhe Seman, si dhe grykëderdhja e lumit Seman në det janë të ndotur nga industria e naftës dhe ajo kimike. Si rezultat i derdhjeve të naftës dhe mbetjeve të industrisë së naftës nga fusha e naftës në Marinzë dhe rafineritë në Ballsh e Fier, lumi Gjanicë është transformuar në një nga transportuesit më të mëdhenj të mbetjeve dhe nga më të ndoturit në vend. Derdhjet nga shpimet dhe proçesi i rafinimit ndotin sipërfaqet e tokës dhe ujërat sipërfaqësorë e nëntokësorë. Duke qenë se projekti për mundësimin e rehabilitimit të lumit Gjanica dhe i hapësirave përreth tashmë është i miratuar, pikësëpari do të punohet e lobohet për gjetjen e fondeve. Nga rehabilitimi synohet që në të dy anët e lumit të krijohet infrastrukturë moderne në rrugë, trotuare e ndriçim, që parashikohet të jetë i standarteve evropiane. Do të krijohen hapësira çlodhëse për qytetarët me vendosjen e stolave në të dy anët e lumit, do të ndërtohen miniparqe e kënde lojërash për fëmijët.

Mendojmë se ndërtimi i disa urave do të krijojë lehtësira për lëvizjet e qytetarëve, si dhe do të përmirësojë në mënyra të dukshme pamjen e lumit dhe të qytetit njëkohësisht. Do të bëhet e mundur zhvillimi i Faunës e Florës, gjë e cila aktualisht është inekzistente. Siç dihet ndotësit kryesorë të lumit Gjanica janë industritë prodhuese e përpunuese të naftës në rrjedhjen e saj prej Ballshit (rafineri Ballsh dhe rrjedhje gjatë rrugës nga VB. Naftes Visokë) e deri në derdhje në Lumin Seman, derdhjet e naftës nga fusha naftëmbajtëse Marinëz (nëpërmjet Vijës së Ngjalës). Ne do të kërkojmë e insistojmë në zbatimin e ligjit nga ndotësit, si dhe zbatim të sanksioneve ligjore për ata që ndotin me moton “Kush ndot paguan”. Për të shmangur përmbytjet e zonave përreth shtratit të Lumit Gjanica është e nevojshme ndërtimi i një Hidrovori në derdhjen e lumit Gjanica në shtratin e  lumit Seman.

A është pjesë e programit tuaj rehabilitimi e ish-zonës industriale të “Azotiku”-ut?

Do të punojmë fort e do të lobojmë me qeverinë qëndrore e donatorë për mundësimin e asgjësimit dhe pastrimit të gjithë territorit të ish-Azotikut nga mbetjet industriale. Ndërkohë, ashtu si e përmenda edhe më sipër, kemi planifikuar që paraprakisht të krijojmë fasha të gjelbra mbrojtëse përreth hotspoteve në zonën e ish-Azotikut.

Plazhi i Semanit është një potencial i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të bashkisë së re, duke qenë se aktualisht është një nga plazhet më të ndotura në Shqipëri, a keni ju një plan masash për zhvillimin e kësaj zone turistike ku ka edhe ndërtime pa leje në zona pyjore ku nuk lejohet ndërtimi?

Pikësëpari do të nisim me pastrimin e 25 km vijë bregdetare nga mbetjet urbane. Vija bregdetare Seman-Darzezë do të vihet në funksion e shërbim të plotë (në aspektin e pastërtisë) jo vetëm të banorëve të Bashkisë Fier, por dhe të frekuentueseve nga zona e qytetet e tjera.

Dua të theksoj se ne do të krijojmë një brigadë të posaçme për mirëmbajtjen e pastrimin ditor të gjithë kësaj gjatësie bregdetare sidomos në sezonin e plazhit. Do të vendosim kosha për hedhjen e mbeturinave në gjithë gjatësinë e vijës bregdetare, si dhe do të organizojmë fushata sensibilizuese nëpërmjet posterave të vendosur gjatë vijës bregdetare për sensibilizimin e pushueseve për hedhjen e mbeturinave në vendet e caktuara. Do të vendosim një kuti postare apo intervistimeve të pushueseve për vërejtjet që ata kanë gjatë sezonit të pushimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme për përmirësimin e tyre.

Sa i takon energjive të rinovueshme të cilat janë prioritet i vendeve të Bashkimit Evropian, a do keni ndonjë strategji për zhvillimin e tyre edhe në bashkinë që do të drejtoni?

Një ndër objektivat tona gjatë mandatit do të jetë rritja e eficencës së përdorimit të energjisë. Do të punojmë fort në këtë drejtim me qëllim arritjen e disa standarteve bashkëkohore që i kemi përcaktuar si synim. Kështu, të gjitha ndërtimet e reja nuk do të lejohen të ndërtohen pa përdorur termoizolim.

Së dyti, do të mundësojmë zbatimin e një prej direktivave shumë të rëndësishme të BE, atë të instalimit tek ndërtimet e reja të sistemit të ngrohjes e ftohjes, të ndërtimit të dritareve dopjo xham e të çative.

Së treti, për ndriçimin publik, në rrugët kryesore të ish-komunave kemi parashikuar të kryejmë një studim për mundësimin e vendosjes së llampave LED me panele diellore. Ndërkohë, për qytetin e Fierit, egziston një studim i kryer në bashkëpunim me USAID, për vendosjen e llampave LED në rrugët kryesore, të cilat kanë një konsumim të energjisë sa gjysma e atyre aktuale. Pilotimi do të nisë me rreth 8 kilometër rrugë kryesore dhe më pas zbatimi i këtij projekti do të shtrihet në të gjitha  rrugët e zonave urbane akutale të Bashkisë Fier.

Gjithashtu, në programin tonë kemi parashikuar edhe zbatimin e studimit për “Efiçencën e Energjisë” në ndërtesat publike, të hartuar në bashkëpunim me Institutin Norvegjez të Kursimit të Energjisë, të financuar nga Ambasada Norvegjeze.

Në projektet tona të kësaj fushe që rëndësi e veçantë do t’i jepet edhe sensibilizimit të qytetarëve dhe biznesit, për përdorimin e paneleve diellore që ofrojnë energji të pastër e të rinovueshme.

Si do ta menaxhoni monitorimin ndaj ndotësve të ajrit nga industria e nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve?

Do të kemi një partneritet të ngushtë me Qeverinë Qendrore, Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Rajonale të Mjedisit, për monitorimin e ndotjes nga burimet kryesore të ndotjes industriale(me fokus industrinë e hidrokarbureve) dhe rehabilitimin e hotspoteve mjedisore. Gjithashtu, mendojmë se është shumë i rëndësishëm edhe partneriteti ndërvendor për monitorimin e ndotjes nga burimet kryesore të ndotjes industriale dhe urbane përgjatë lumenjve Gjanicë, Seman dhe Vjosë. Konsiderojmë si të nevosjëhm edhe hartimin e marrëveshjeve bashkëpunuese ndërvendore dhe zbatimin e Planeve Ndërvendore për Pastrimin dhe Rehabilitimin e këtyre tre lumenjve, si burimi kryesor natyror i cili ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve, si dhe në zhvillimin ekonomik bujqësor dhe turistik të këtij rajoni.

Theksoj se ne do të kërkojmë e insistojmë në zbatimin e ligjit nga ana e ndotësve si dhe për zbatim të sanksioneve ligjore ndaj atyre që ndotin me moton “Kush ndot, paguan”. Për të parandaluar ndotjen, mendoj se është mjaft e rëndësishme edhe kryerja e fushatave sensibilizuese me bizneset lokale në territorin e bashkisë Fier që shkaktojnë ndotje nëpërmjet veprimtarisë së tyre./ Intervistoi: Elvana Shehaj

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë