Armela Ferko: Mrekullia e një shkelmi

Armela Ferko shtatzene (1)  Bisedoi: Arlinda Gjypi

Ata që janë të apasionuar pas lajmit të fundit, e njohin të gjithë fytyrën e Armelës. Ndoshta u ka munguar këto dy muajt e fundit, e megjithatë ajo vazhdon të qëndrojë pas kuintave të televizionit duke punuar dhe duke pritur edhe për pak javë lindjen e fëmijës së saj të dytë: sërish djalë. Nëse dikush mendon se Armelës i kanë rënë energjitë, i duhet të zhgënjehet, as shtatzënia e dytë nuk e ka mposhtur. Megjithëse bebi i kërkoi disa javë pushime, tashmë ajo i është rikthyer punës dhe aty, e qeshur si gjithnjë, vijon të shijojë kohët e fundit të pritjes së fëmijës së saj të dytë. Intervistën me “Shëndet+” e pret me kënaqësi të madhe dhe me po të njëjtën kënaqësi dhe dashamirësi ndan përvojën e saj me ata që duan të dinë më shumë, jo vetëm për shtatzëninë, por edhe për punën, për jetën e një personi që gjatë gjithë kohës u transmeton lajmet e fundit: të mira apo të këqija qofshin ato.

Armela, për ty kjo është shtatzënia e dytë. Le ta fillojmë me një pyetje të thjeshtë: ç’do të të thotë të jesh shtatzënë?

Të jesh shtatzënë është një nga momentet më të bukura, por njëkohësisht më delikate në jetën e një gruaje dhe jo vetëm për atë, por për gjithë familjen.

Mendoj se një fëmijë, i ngjizur apo ardhur në jetë në çdo moment të jetës është një bekim i Zotit, por ky bekim të vesh njëkohësisht me një përgjegjësi më të madhe, si në aspektin social, ashtu edhe në atë shëndetësor.  Shtatzënia është mundësia dhe aftësia për të ngjizur e më pas rritur brenda vetes një tjetër krijesë, me të cilin do të duhet të ndash për 9 muaj çdo moment, ndjesi, dhimbje, lumturi të jetës tënde, me të cilin ti gjithashtu mëson të komunikosh.

Këtu është shumë e përshtatshme ajo shprehja klishe “të mendosh për dy persona”, sepse realisht në çdo moment duhet të mendosh për mirërritjen e bebes tënde, duke e trajtuar veten me më shumë vëmendje dhe kujdes.  Por, sigurisht që për gjithë këtë të duhet edhe mbështetja dhe përkujdesja e personave të tjerë në familje.

Cilat janë momentet më të vështira?

Perceptimi i parë sapo mëson se je shtatzënë, është një lumturi dhe (së paku me fëmijën e parë) shpesh nuk i merr shumë parasysh momentet e vështira.  Gjithsesi, do të doja ta ndaja në dy lloj vështirësish: fizike ose shëndetësore dhe sociale. Përsa i përket fizikes, edhe një shtatzëni e cila shkon për së mbari që në javën e parë e deri në javën e 40-të ka momentet e saj të vështira me të cilat një nënë duhet të përballet.  Do ta personalizoj pak me shembuj personalë këtë.  Gjatë shtatzënisë së parë, kur solla në jetë djalin tim të parë, sot 5 vjeç Jonin, nuk kam kaluar shumë momente të vështira.  Të vetmet ditë të tilla i përkasin 2-3 javëve të fundit të shtatzënisë, për shkak të peshës trupore, e cila nuk të lejon të flesh apo të lëvizësh e qetë. Mund ta cilësoj më të vështirë ndërkaq shtatzaninë e dytë, kjo veçanërisht 4 muajt e parë të saj kur i kam përjetuar të plota “simptomat” e një shtatzënie, me të gjitha ndryshimet që shkakton në një organizëm, përfshirë këtu pagjumësinë, të vjellat, problemet me tensionin, me ushqimin, etj.  Tashmë në javën e 35-të ndihem më e stabilizuar dhe në pritje të fëmijës sim.

Armela Ferko shtatzene (2)Në aspektin social, është i vështirë momenti në të cilin ti vendos të kesh një fëmijë.  Ka një përzierje ndjenjash në këtë moment, pasi gjithmonë të duket se nuk është momenti i përshtatshëm.  Pastaj është ai mendimi i përgjegjësisë, veçanërisht gjatë shtatzënisë së parë, që karakterizon mendimet e një nëne gjatë pjesës më të madhe të muajve.  Është ana ekonomike, që shpesh krijon vështirësitë e veta, në familjet që kanë probleme ekonomike, pasi të gjithë e dimë se të rrisësh një fëmijë do të thotë edhe një kosto e madhe financiare.

Po momentet më të bukura?

Në fakt, perceptimet për një shtatzëni janë personale.  Por ajo që do ta thoja me siguri, është që një shtatzëni e ardhur në çfarëdolloj kushtesh, karakterizohet nga më shumë momente të lumtura.  Ajo që është më e mrekullueshmja, janë shkelmat e bebit. Ti zgjohesh në mëngjes, shtrihesh në shtrat, fle gjatë natës duke ndier lëvizjet e bebit tënd, me të cilin dalëngadalë mëson të komunikosh.  Mëson të komunikosh në momentet më të mira apo më të këqia të ditës.  Ai është aty për të bërë gjithçka së bashku.  Kjo është lumturia më e madhe. Unë personalisht kënaqem me momentin kur bebin tim e kap lemza dhe e përjetoj shumë këtë moment, që në fakt ndodh shpesh, vuaj dhe kënaqem njëkohësisht.  Vuaj, sepse ndiej teksa ai bezdiset dhe kënaqem, sepse ndiej atë që ai ndien, një mundësi që nuk të jepet më kurrë në jetë si tani.  Më pas zbulimi i gjinisë, mendoj që është gjithmonë një moment emocionues, pavarësisht rezultatit  (qesh)… Pastaj finalizimi i lumturisë është lindja e bebes tënde, të cilin tashmë mund ta marrësh në krah dhe ta duash pafundësisht.

Sa rëndësi ka stili i jetesës?

Oh, patjetër!  Stili i jetesës është shumë i rëndësishëm, madje vendimtar në mbarëvajtjen e një shtatzënie.  Është e rëndësishme ti kushtosh shumë vëmendje regjimit ushqimor, gjumit, çlodhjes e mbi të gjitha të mos konsumosh gjëra të ndaluara në një shtatzëni.  Për 9 muaj me radhë duhet të mendosh së pari për mirërritjen e krijesës brenda teje, duke e detyruar veten të konsumosh apo bësh disa gjëra që në raste të tjera nuk do t’i bëje dhe nga ana tjetër të heqësh dorë nga gjëra që të pëlqejnë shumë.

Të merr malli për një gotë verë ose për një cigare?

Uufffff (qesh)… Në fakt, unë nuk njihem si duhanpirëse, por ama jam e çmendur pas verës. Falënderoj Zotin që gjatë shtatzënisë çuditërisht nuk më ka munguar shumë vera, ama ajo që më ka munguar është koktejli im i preferuar: kapiroska. Kjo është e vetmja gjë për të cilën mezi pres të mos jem më shtatzënë (shaka kjo, ëë!)

Të kanë rezultuar më të vlefshme këshillat e mamasë apo ato të doktorit?

Atëherë,  gjatë shtatzënisë së dytë është më e lehtë që ti të vendosësh vetë balancat, pasi tashmë ke eksperiencë të mjaftueshme për të ditur bazat e regjimit, asaj çfarë duhet apo nuk duhet bërë.  Por gjithçka thotë mjeku yt apo mamaja në shtatzëninë e parë është shumë e rëndësishme.  Por, vlen të theksohet, se tashmë me zhvillimin e teknologjisë së informacionit është më e lehtë që të marrësh gjithë informacionet e nevojshme për çdo javë të shtatzënisë, mua kjo më ka ndihmuar shumë.  Pastaj këshillat e mjekut dhe të mamasë janë ato më praktiket, ndërkohë që merr informacionet e përgjithshme nga interneti.

 Italianët e quajnë shtatzëninë “pritje e ëmbël”.  Je dakord me këtë shprehje?

Është pa dyshim një pritje e ëmbël sado momente të vështira të kalosh e sado e vështirë qoftë koha në të cilën vjen një fëmijë.  Unë kam nisur madje të bëhem nostalgjike, tashmë që javëve “të mia” po u vjen fundi.  Po e shijoj shumë këtë pritje….

 Si ia del të menaxhosh edhe punën, edhe bebin?

Për të qenë e sinqertë, kjo është jo pak e vështirë.  Unë këtë shtatzëni kam qenë më e ngarkuar se tek e para.  Më është dashur që përveç punës, të ndjek vitin e dytë të studimeve Master në profilin Marrëdhënie Publike, t’i kushtoj vëmendje Jonit (i cili tashmë është i mbushur me kuriozitet për gjithçka në botë) dhe të mendoj edhe për bebin.  A jam ndier e lodhur në ditë të caktuara?  Shumë! Por e rëndësishme është të mos e lëshosh veten e të thuash vazhdimisht se mund t’ia dalësh mbanë.

Ankohet ndonjëherë i vogli se po “e torturon” dhe ç’bën ti në raste të tilla?

Në këto momente po më thotë që po e torturon ti me gjithë këto pyetje që po bën (qesh). Bebi im është shumë i duruar dhe i është dashur të durojë shumë që në muajin e parë të shtatzanisë e deri tani.  Pas çdo dite të lodhshme dhe të ngarkuar me aktivitet unë e ndieja dhe e ndiej që ai më sinjalizon se nuk mundet më.  Në këto raste ia imponoj vetes disa orë pushim dhe regjim. Por nuk do të isha e sinqertë nëse nuk do të thoja se atë po e torturoj pak më shumë sesa vëllanë e tij të madh.  Këtij i është dashur të qëndrojë thuajse pa gjumë çdo natë, teksa unë kujdesesha për Jonin e sëmurë dhe i është dashur të durojë gjithë angazhimet e mia.  Sigurisht që pati një moment kur më tha “stop” e m’u desh që për rreth tre javë të hiqja dorë nga gjithçka, duke menduar vetëm për shëndetin e bebit.  Falënderoj Zotin, gjërat tani duken më mirë dhe unë e kam ulur pak ritmin.

 Pasi linde fëmijën e parë, të merrte malli për periudhën e shtatzënisë?

Më ka marrë vazhdimisht, deri në momentin kur kam rënë shtatzënë për herë të dytë, ndërkohë kishin kaluar pesë vite dhe unë vazhdimisht kujtoja çastet e bukura e të vështira të kaluara me Jonin brenda meje.

Mendon se ndjekja e një diete ushqimore të caktuar është shumë e rëndësishme?

Absolutisht po!  E theksova edhe më sipër se është thelbësore për mirërritjen e bebit dhe ushqimi që ti konsumon, është baza e organizmit të krijesës së vogël që ke brenda vetes.  Duhet një dietë ushqimore e shëndetshme, me të gjitha vitaminat dhe kaloritë e nevojshme.  Shpesh duhet të heqësh dorë edhe nga eleganca jote, të cilën deri në ato momente e ke ruajtur me aq fanatizëm.  Duhet ta imponosh veten që të konsumosh ushqime që pak javë më parë i ke urryer, por që janë thelbësore për fëmijën tënd.

Pavarësisht shtatzënisë, ti ke dalë edhe në ekran duke dhënë lajme të ndryshme. Ndihesh ndryshe në këto raste, sepse ti nuk jep vetëm lajme të bukura?

Po, është e vërtetë.  Unë kam qëndruar në ekran deri në javën e 27-të të shtatzënisë, pra në kufirin mes muajit të gjashtë e të shtatë.  Sigurisht që shtatzënia të bën më të brishtë, por duke qenë në një punë të tillë, në të cilën ti përcjell lajme të çdo lloji, e më së shumti të këqija, mësohesh me këtë fakt.  Kjo nuk të ndikon as gjatë shtatzënisë.  Ajo që do të quhej vështirësi në të dhënit lajme gjatë periudhës së shtatzënisë, veçanërisht në një televizion informativ siç është Neës24, është fakti që duhet të heqësh ndonjëherë dorë nga ushqimi, pasi mund të jesh për disa orë Live në transmetim, pa u shkëputur për asnjë moment.  Por ne ja dolëm mbanë, deri në momentin që bebi vendosi të thotë “stop”. J

Cili është roli i bashkëshortit gjatë shtatzënisë?

Është shumë i rëndësishëm dhe është gjithashtu e rëndësishmë që edhe ai të përgatitet për 9 muajt që e presin.  Atij do t’i duhet të durojë çdo moment dhe ankesë tënden, gjithashtu të të mbështesë e të të japë dashuri.  Sa shumë ka nevojë për dashuri e vëmendje një grua shtatzënë! Falënderoj Zotin që mua nuk më ka munguar kjo gjë. Edhe pse bëhet fjalë për shtatzëninë e dytë, kam pasur dhe kam të njëjtën vëmendje dhe përkujdesje nga im shoq, ashtu si edhe herën e parë.  Më ka bërë të ndihem e veçantë, të kaloj më lehtë momentet e vështira të cilat i kam ndarë me të deri në detaje dhe të shijoj më shumë çdo çast dhe çdo përjetim.

Po Joni është xheloz për fëmijën që po vjen në jetë?

Përgjithësisht jo.  Ai me zor priste që unë të sillja në jetë një tjetër fëmijë, që sipas tij duhej të ishte patjetër djalë.  Zoti ia plotësoi këtë dëshirë.  Të gjithë fëmijët në moshën e Jonit janë egocentrikë, por Joni kam përshtypjen se është pak më shumë.  Kërkon vëmendje në çdo moment.  Deri tani ia kemi dalë mbanë duke i dhënë vëmendjen e duhur, pavarësisht lodhjes apo pengesave të shumta.  Për të shmangur xhelozinë, e kemi ushqyer me idenë e përgjegjësisë së tij si vëlla.  Vazhdimisht i themi sa shumë nevojë kemi ne për ndihmën e tij pas lindjes së bebit dhe se sa shumë gjëra do të mësojë ky i fundit nga vëllai i madh.  E shoh që ndihet mirë me rolin e vëllait të madh.  Shpresoj që situata të vazhdojë të jetë kështu, pasi kam një lidhje të veçantë me Jonin dhe do e vuaja shumë xhelozinë e tij.

Në “facebook” ke një mal me fotot e tua dhe kolegeve… Duket sikur ato e kanë shijuar shtatzëninë tënde. Çfarë ndodh kur nevrikosesh? Të tolerojnë se je shtatzënë?

(Qesh)  Jam e rrethuar nga kolege e kolegë shumë të mirë e të kuptueshëm.  E falënderoj sërish Zotin edhe për këtë! Vajzat që kam rrotull vetes në redaksinë e lajmeve, por edhe djemtë, më kanë dhënë shumë vëmendje dhe duhet thënë se jam ndier e përkëdhelur gjatë këtyre muajve.  Gjithashtu, e di që u është dashur të durojnë shumë momente të këqija të miat, veçanërisht muajt e parë të shtatzënisë.

Dy këshilla për çdo grua shtatzënë, cilat do të ishin?

Po i bie shkurt fare: Mendo për veten! Mendo për bebin!

Po një këshillë për mua? 🙂

Mendo seriozisht shtatzëninë, është ndjesia më e bukur! Shpresoj të jesh ndikuar nga gjithçka kam thënë në këtë intervistë!

(Intervista u botua në gazetën “Shëndet+”)

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë