“Ka pasur një mungesë të madhe të informimit të publikut në lidhje me armët kimike. Dikasteri i Ministrisë së Shëndetësisë duhet të dilte dhe të informonte publikun me anë të specialistëve të shëndetit publik”. Kështu u shpreh për gazetën “Shëndet Plus” Pëllumb Pipero, shef i spitalit infektiv (ish-drejtor i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë), i pyetur lidhur me protestat e fundit kundër prurjes së armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Pipero deklaroi se një gjë e tillë është detyrë e shëndetësisë dhe ajo duhet të kishte marrë përgjegjësinë e vet për informimin e njerëzve për rrezikun që u kanoset dhe të mos e linte situatën në një kaos.
Ish-drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, aktualisht shef shërbimi pranë Spitalit Infektiv në QSUT, Pëllumb Pipero, në një prononcim për gazetën “Shëndet Plus” në lidhje me demontimin e armëve kimike në Shqipëri u shpreh se si qytetar, mjek dhe pedagog te Fakultetit të Mjekësisë është kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri.
“E gjithë bota është kundër armëve kimike, në këtë pjesë unë i bashkohem nismës së qytetarëve, studentëve dhe të rinjve të cilët i kanë thënë jo në mënyrë të qartë.
Nëse Qeveria do të merrte një vendim për t’i shkatërruar apo demontuar armët kimike në Shqipëri, në bazë të informacioneve që kam mund të them se “së pari nuk bëhet fjalë për të ardhur armë kimike në vendin tonë, por bëhet fjalë për të ardhur një lëndë kryesore pa të cilën nuk mund të prodhohen armët kimike. Kjo lëndë është shumë toksike dhe helmuese dhe si e tillë është rrezik për jetën e qytetarëve jo vetëm për brezat aktualë, por edhe për brezat e ardhshëm në qoftë se ndodh një aksident.
“Së dyti në vetvete procesi i demontimit apo proceset kimike të cilat e bëjnë të padëmshme këtë lëndë kimike që hyn në arsenalin e lëndëve kimike, në rast se zbatohen protokollet dhe të gjitha rregullat e demontimit të tyre rreziku për shëndetin e qytetarëve është zero.
“Me bindje të plotë profesionale mund të them se në rast se kjo lëndë kimike që hyn në arsenalin e armëve kimike, i nënshtrohet proceseve kimike të cilat e bëjnë të padëmshme për shëndetin e qytetarëve dhe zbatohen të gjitha protokollet rrezikun e ka zero dhe si e tillë nuk ka vend për panik.
“Politikanët tanë duhet të ishin trasperante me qytetarët në lidhje me këtë çështje. Kryeministri në radhë të parë në rrugë institucionale, personin e parë të cilin duhet të kishte vënë në dijeni pas bisedave konfidenciale që ka pasur qoftë me Sekretarin Amerikan të Shtetit qoftë me Ambasadorin Arvizu duhet të kishte qenë kontakti institucional me Presidentin e Republikës së Shqipërisë si institucioni më i lartë i këtij vendi. Duhet të kishte biseduar me kabinetin qeveritar pse jo dhe me kryetarin e parlamentit dhe pas kësaj të ballafaqohej në mënyrë transparente me mediat e cila është ura lidhëse e komunikimit me qytetarët për t’iu thënë që ende nuk ka një vendim, ka një diskutim pavarësisht se ende nuk ka marrë një vendim.
“Trnasparenca është përgjegjësi e detyrës politike të cilën jua kemi dhënë me votë. Tashmë është shumë vonë për tu treguar trasparente me qytetarët sepse këto të fundit tashmë janë ngritur dhe e kanë shprehur vullnetin e tyre. Besimi i qytetarëve në një vendimmarrje të mundshme politike qeveritare, pozitive apo negative është tronditur dhe është shumë vështirë të rikuperohet. Ndaj në këtë situatë bashkë me popullin duhet t’i themi jo armëve kimike në Shqipëri”, u shpreh Pipero.
Gazeta “Shëndeti” prej disa ditësh është përpjekur që të marrë një reagim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik lidhur me armët kimike dhe rrezikun që ato paraqesin, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.


