Sipas një studimi holandez, konsumimi i gjysmë grushti arra në ditë mund të ulë rrezikun e vdekjes së hershme. Studime të tjera kanë treguar mbi benefitet e konsumimit të arrave në shëndetin kardiovaskular, por ky studim flet më gjatë për këtë fakt.
Studiuesit e Universitetit të Mastrihtit kanë dalë në përfundimin se njerëzit që konsumojnë arra, kanë 23% më pak mundësi për të vdekur në krahasim me ata që nuk i preferojnë ato. Sipas studimit 10-vjeçar, këshillohet të konsumohen 10 gramë arra në ditë.
Më shumë se 120.000 holandezë, burra dhe gra 55-69 vjeç, pjesë e studimit, të cilët kishin konsumuar arra, dëshmojnë se rreziku për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare, nga diabeti apo kanceri, ishin 23% më të ulëta.
Profesori Pier Van den Brandt, i cili udhëhoqi studimin, tha se ishte e mrekullueshme se rreziku i një vdekje të hershme mund të ulet thjesht me konsumimin e 10 gramë arrave në ditë. Kjo tashmë është e provuar shkencërisht. BBC/Përgatiti: Elena Beta


