Edhe pse ka mjekë të mirë që përpiqen të bëjnë punën, ambientet e spitalit janë jashtë çdo lloj standardi. Edhe mbipopullimi i tyre gjithashtu lë për të dëshiruar
Denisa Canameti
Tip sportiv, karizmatik, i këndshëm dhe tepër modest. Ky është Arsen Hoxha përtej kostumit serioz të gazetarit. I gatshëm për të dhënë intervistë jo sepse i pëlqejnë intervistat dhe faqet e para të gazetave, por sepse si gazetar e di rëndësinë e një interviste. Babi i një vajze vetëm 4 vjeçe dhe bashkëshort i një gruaje me një karrierë po aq të suksesshme sa ai në fushën e televizonit. Në një rrëfim të shkurtër, në më pak se “30 minuta” për lexuesit e gazetës “Shëndet+”, Arseni na tregon shumë gjëra për jetën e tij, për familjen, karrierën, vajzën, miqësitë etj.
Dihet që gazetarët përpiqen ta mbajnë larg vëmendjes së publikut jetën private. Kush është Arseni përtej televizionit?
Arseni është bashkëshort dhe baba shumë i lumtur. Kam një vajzë të vogël që në janar mbush 4 vjeçe dhe që quhet Mishel. Përpiqem që jetën private ta mbaj jashtë televizonit, megjithëse është pak e pamundur pasi edhe gruaja ime, Menada Zaimi, është gazetare. Jemi në jetë publike të dy, dalim në ekran të dy. Është pak e pamundur edhe nëse ti do të ruash privatësinë. Megjithatë asnjëri nuk është tip intervistash dhe rrjetesh sociale. Këto të fundit më tepër i përdorim për marketing të emisioneve që moderojmë.
Është mirë që dy bashkëshortët të jenë në një profesion?
Është mirë në një aspekt, sepse e kupton më mirë tjetrin. E kupton më mirë për oraret e frikshme, oraret e zgjatura. Ndodh që vjen bashkëshortja në 2 të natës dhe e anasjellta. Por të dy e dimë që është diçka që në gazetari ndodh natyrshëm, sepse duhet të jesh aty kur lajmi vjen. Për këtë është mirë. Në një rast tjetër, nëse do të kisha një profesion tjetër do ta kisha shumë të vështirë ta pranoja.
Si jeni njohur me Menadën?
Kemi njohur në punë. Kemi punuar bashkë në televizonin shqiptar, Menada ka qenë kryeredaktore e lajmeve, ndërsa unë isha gazetar. Kisha filluar punë prej pak kohësh, aty u njohëm. Kemi dhënë dhe lajmet bashkë për ca kohë.
A është gazetaria profesion që të pengon për të krijuar dhe mbajur një familje të “shëndoshë”?
Për ta krijuar nuk është e vështirë, për ta mbajtur po. Për shkak të orareve të zgjatura dhe ditës intensive është e vështirë që t’i përkushtohesh familjes ashtu siç do. Ka netë që e mendojmë disa herë që njëri nga ne duhet ta lërë këtë punë. Sepse dy gazetarë në një shtëpi janë shumë.
Nëse do të duhej ta linit ju gazetarinë, do të pranonit?
Do të zgjidhja ta lija në një moment të caktuar për të bërë diçka tjetër që i afrohet këtij profesioni. Për shembull, marrëdhënie me publikun. Nuk e di nëse e shikoj veten deri në fund në gazetari. Megjithatë, në familje nuk kemi konkurrencë.
Fundjavat…
Fundjava klasike është ta mbyllësh punën ditën e premte dhe të rikthehesh të hënën. Për ne nuk ka gjasë që të ndodhë kjo. Ne vetëm një ditë pushim kemi në javë dhe ndonjëherë, për shkak të ngjarjeve, nuk kemi as edhe një ditë.
Si e organizoni atë ditë pushimi?
Kryesisht në Tiranë. Përpiqemi të dalim jashtë Tiranë kur kemi fatin (gjë që ndodh shumë rrallë) të kemi dy ditë pushim. Drekë apo darkë në një restorant. Mezi presim 15-ditëshin e verës.
Ekzitojnë miqtë e vërtetë midis gazetarëve?
Nëse i ndan gjërat, nëse ndan profesionin nga miqësia, mund të ketë. Pavarësisht nga konkurrenca, sigurisht që ka miq. Unë kam miq shumë të ngushtë. Për shembull, kryeredaktori i lajmeve në TVSH, Rezar Balla, është miku im më i mirë.
Çfarë vlerëson më mirë tek një mik ose mikeshë?
Sinqeritetin.
Më mirë një mik apo mikeshë?
Unë në përgjithësi kam patur më shumë miq (meshkuj).
Nëse do të thonit mikesha, do të bëhej Menada xheloze?
Ndoshta po (qesh).
Ju moderoni një emision “30 minuta”, ku çdo mbrëmje intervistoni të ftuar të ndryshëm nga fusha të ndryshme. Më thoni, si ndiheni tani në rolin e të intervistuarit?
Është shumë e vështirë, asnjëherë nuk më pëlqen. Kur më marrin në telefon për të më ftuar për intervistë, më vjen ta refuzoj, por për shkak se di se çfarë do të thotë të të refuzojnë, nuk refuzoj kurrë. Më pëlqen më shumë të intervistoj.
Mjaftojnë 30 minuta për ta njohur Arsenin?
Nuk e di, varet nga intervistuesi (qesh). Mua më mjaftojnë 30 minuta për çdo të ftuar, cilado qoftë çështja. Shqiptarët janë pak të vështirë ku u thua që ke vetëm 30 minuta kohë për të folur për shumë gjëra, i kanë pak mendimet e zgjatura.
Kush e kuptoi që Arsen Hoxha mund të bëhej një gazetar shumë i mirë?
Koha. Jam tip i duruar, jam përkushtuar. Kam ecur me hapa relativisht të shpejta, por kam qenë i duruar në gjërat që kam bërë. Kam pritur.
Emocionet e daljes së parë dhe gafa e parë që ke bërë në televizion?
Unë kam filluar si spiker lajmesh e në fakt më duket pa kuptim, pasi vetëm në Shqipëri ndodh që të jesh 20 vjeç e të dalësh të japësh lajmet. Mbaj mend që nuk mbaj mend asgjë (qesh) nga ajo që thashë në 20 minuta lajme që kam dhënë. Ka qenë një emocion i llahtarshëm. Përsa i përket gafës më të madhe, do të thoja që e kam bërë në një lidhje direkte. Lidhjet direkte janë sfida më e madhe e një gazetari dhe mua më kanë mbytur emocionet në një moment që nuk duhej. Ka ndodhur me ardhjen e Bushit në Shqipëri. Për shkak se ndodhën disa probleme teknike, më kapën emocionet. Më duket se e kam pasur për herë të parë që dilja në lidhje direkte nga terreni. E kam konsideruar dështimin tim të parë. Ndoshta dhe të fundit. E mbajta veten, por m’u bënë të gjitha bashkë. Emocionet e mia, problemet teknike u mblodhën të gjitha dhe më ndikuan.
A ka nga ata të ftuar që nuk i duron dot më shumë se 10 minuta?
Po, sigurisht që ka. Nganjëherë bëhet e pamundur dhe zgjidhja që bëj është që i bie shkurt bisedës.
Është shumë i rëndësishëm personi që ke përballë, sa jep ai person, sa pozitiv është etj. Në të kundërt, nuk ke mendime më, nuk ke çfarë t’i thuash, nuk bëhet intervista në kushte të papëlqyeshme. Ndodh edhe me zyrtarë të lartë, madje.
Nëse do të kishit përballë ministrin e Shëndetësisë, cila është pyetja e parë që do t’i bënit?
Të them të drejtën nuk është se e njoh mirë pjesën e shëndetësisë, edhe pse ministrin e Shëndetësië e kam pasur në studio. Ndoshta edhe për shkak të eksperiencës personale të kohëve të fundit, do ta pyesja për ambientet që në QSUT lënë shumë për të dëshiruar. Edhe pse ka mjekë të mirë që përpiqen të bëjnë punë, edhe pse mua më trajtuan mirë, ambientet janë jashtë çdo lloj standardi, mbipopullimi i spitaleve gjithashtu lë për të dëshiruar. Edhe vetë mjekët ankoheshin tmerrësisht se mjekët e rretheve i mbajnë pacientët kur shkojnë deri në gradën e fundit dhe pastaj i dërgojnë në Tiranë. E gjithë përgjegjësia, pa folur për fluksin, duhet të përballohet nga mjekët e Tiranës.
Ju zgjidhni spitalet shtetërore…?
Meqë iu referova rastin im, unë iu drejtova spitalit publik, sigurisht me rekomandim, siç funksionon. Ka pasur raste që kemi zgjedhur privatin. Mendoj që, përveç ambienteve të mira, spitalet private nuk ofrojnë më shumë se shtetërori, për të mos thënë që ofrojnë më pak. Edhe mjekët që janë në QSUT, punojnë në privat. Për vajzën kemi zgjedhur gjithmonë privatin.
Çfarë do të dojë të bëhej vajza kur të rritet, gazetare ndoshta?
Uroj që gazetare jo. Shkollën dua që ta bëjë jashtë. Do të ishte kënaqësi absolute nëse do të bëhej mjeke, kush nuk do ta donte. Megjithatë, çdo zgjedhje që do të bëjë ajo, do të jetë më e mira edhe për ne.
Çfarë mesazhi do t’u jepnit lexuesve të gazetës “Shëndet+”?
Është gazetë që ia vlen, respektoni çdo këshillë që jepet dhe çdo dietë (qesh).
Ju i respektoni dietat?
Po, kam bërë një dietë me perime të ziera. Nuk është se ka qenë një dietë që e lexova, thjesht eliminova yndyrën dhe kam humbur shumë kile.




