Arsyet kryesore përse qajnë fëmijët shqiptarë

Erges Eskiu, mjek logoped

Kjo është një pyetje që shumë njerëz e bëjnë. Ata që kanë dalë edhe jashtë vendit intrigohen edhe më tepër nga ky fakt.

Një miku im profesor e bënte këtë pyetje duke u kthyer me avion për në Shqipëri. Një fëmijë donte diçka të cilën nuk e mori dhe filloi të qajë. Qante aq shumë sa filloi të bezdiste edhe pasagjerët dhe të krijonte një situatë tepër të nderë për prindërit e vetë, të cilët mundoheshin ta pushonin.

Pra, pse qajnë fëmijët shqiptarë? 

-Realisht e qara është mjet komunikimi. Është komunikim me tingull të çjerrë, pa fjalë, por është komunikim që fëmija bën me prindërit apo kujdestarët e vetë, e më vonë dhe me të tjerë ndoshta.

Fëmija qan qysh sa lind, duke shprehur sensacionet e veta për kalimin nga barku i nënës në jetën e re.

Fëmija qan, prindi mundohet t’i përgjigjet nevojave të fëmijës, dhe në këtë mënyrë ndërtohet marrëdhënia midis fëmijës dhe prindit.

Ndërkohë fëmija po zhvillon edhe fazën paragjuhësore, me gugatjet e belbëzimet e veta, derisa në moshën 1 vjeç vjen fjala e parë dhe nis komunikimin normal verbal me prindërit dhe mjedisin që e rrethon.

Duke zhvilluar komunikimin verbal, fëmija fillon të distancohet nga e qara, sepse kupton që ai komunikim me të qara është i panevojshëm, i lodhshëm dhe … i mërzitshëm.

Mirëpo, ai mund të fillojë të komunikojë edhe me të qara nëse ne/prindërit nuk tregohemi të kujdesshëm në edukimin e tij.

Të gjithë duhet të kenë të qartë diçka, se nuk duhet të plotësojmë gjithçka mundemi fëmijës, sepse fëmija shndërrohet më pas në një qenie egoiste, do kërkoj gjithmonë dhe më shumë. Ai nuk do të ndihet asnjëherë i ngopur nga ajo çka ju do i dhuroni dhe do të vazhdojë të kërkoj gjithmonë prej jush, edhe kur ju mund të thoni:- Çfarë do më?! Ti kam dhënë të gjitha, të kam dhënë shpirtin, ende do nga unë?!

Fëmijës duhet edhe t’i marrësh gjëra nga dora.

Fëmijës po nuk i more diçka para se t’i japësh, do mendojë se ai mund të ketë gjithçka në dorë pa u lodhur, mjaft ta kërkojë.

Ndërkohë, kur ju nuk mundeni të plotësoni një kërkesë të tij, ai do të vazhdojë të insistojë sërish, sepse është mësuar që atij ia japin gjërat që do!

Ju realisht mund të mos keni mundësi ta plotësoni dëshirën e tij ose, edhe pse i keni plotësuar disa kërkesa radhazi dhe e shikoni të arsyeshme të mos e plotësoni të radhës, e cila mund të jetë realisht tekë e fëmijës.

Në këtë moment, pasi ka marrë refuzimin tuaj gati të vendosur, ai fillon i dëshpëruar të qajë. Kur ai fillon edhe qan, ju viheni në siklet se ai po vuan ose se jeni në një mjedis ku e qara e fëmijës tuaj bëhet problematike për ju apo për mjedisin, dhe ia plotësoni dëshirën që ka.

Ai pushon së qari dhe ndërkohë mendon se e arriti atë që deshi vetëm kur qau, e kështu ai mendon se duke qarë mund ta marrë atë që do.

Nëse kjo situate përsëritet, pra ju ia plotësoni dëshirën vetëm kur ai fillon të qajë, ai mëson se duke qarë mund të realizohen dëshirat e veta.

Mund të ndodhë edhe që prindërit t’i japin ndonjë shuplakë fëmijës, sepse janë të tensionuar dhe nuk dinë si të veprojnë me fëmijën e tyre, dhe kështu fëmija fillon të qajë akoma më shumë nga dhimbja dhe nga ofendimi që i bëhet në publik!

Prindi mund edhe të mërzitet në çast dhe të shajë e ofendojë fëmijën e vetë, ta krahasojë me fëmijët e tjerë, sikur ata janë më të mirë se fëmija i tij, a thua se do donin të kishin lindur a pasur fëmijë, fëmijët e komshinjve, miqve apo kushërinjve. Situata vazhdon të rëndohet sepse komunikimi midis prindit dhe fëmijës nuk është i duhuri. Për gjënë më të vogël fëmija mund të qajë, e po ashtu edhe prindi mund të shfaqë dhunë verbale, psikike apo fizike. Kështu fëmija shqiptar qan me së shumti.

Si ta shmangim këtë gjë?

Duke i thënë se e qara nuk është mënyrë komunikimi. Mund ta shmangim duke e trajtuar fëmijën si të rritur me dinjitet dhe respekt. Siç do të trajtonim një të rritur apo siç do donim të na trajtonin ne të tjerët. Fëmijës nuk ka nevojë t’i plotësojmë gjithçka, por t’ia shpjegojmë gjërat siç janë.  E sigurt që një moment ai do të na kuptojë.

Të tregohemi realisht të drejtë dhe të sinqertë me fëmijën është çelësi i suksesit për një edukim perëndimor.

 

Postime të ngjashme

Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit