Kryefaqja Vip-Shendet Asetila KÖSTINGER, një shqiptare e suksesshme

Asetila KÖSTINGER, një shqiptare e suksesshme

0
Shpërndaje

Bisedoi: Kesilda Gjoka

Asetila prej shumë vitesh punon dhe jeton nëpër botë, por me qendër dhe sipërmarrje në Austri. Në një intervistë për gazetën “Shëndet +” Asetila rrëfen më shumë mbi rrugëtimin e saj drejt suksesit. “Unë erdha në Austri si grua e rritur, e edukuar me shumë aftësi dhe mendoja që Austria është shumë e thjeshtë, është qendra e botës, vend evropian. Unë isha e zonja kisha mjaft vite eksperiencë pune dhe flisja disa gjuhë por jo gjermanisht. Mendoja se ishte shumë e thjeshtë por në fakt nuk ishte. Ishte shumë e vështirë për të krijuar një gjurmë timen në vendin tim dhe të huaj. Sot po të kthej kokën mbrapa e shoh që nuk paska qenë kaq e vështirë”, shumë detaje interesante nga jeta e saj mund t’i lexoni në intervistën më poshtë…

Kush është Asetila? Mund të na flasësh pak për veten?

Përshëndetje unë quhem Asetila, e kam lindur në Laç. Shumë kohë më parë në vitet e universitetit nuk prezantohesha menjëherë që kam lindur atje sepse ndjehesha e paragjykuar pa më njohur. Megjithatë tani jetoj prej 12 vitesh në Austri dhe kur them që kam lindur në Shqipëri është pak më keq se të thuash kam lindur në Laç (qesh). E them këtë (që kam lindur në Laç) sepse unë sot jam konsulente ndërkombëtare dhe sipërmarrëse Austriake dhe s’ka rëndësi ku ke lindur dhe çfarë fati ke patur por ka rëndësi (attitude) qasja për jetën. Ne nuk zgjedhim dot se ku lindim por mund të zgjedhim kush duam të bëhemi. Unë sot jam vajzë Shqipërie por sipërmarrëse dhe konsulente Austriake. Kam punuar që 14 vjeç me punë të ndryshme, sidomos punë verore, kam përkthyer, kam punuar si ndërmjetëse ose edhe si konsulente, kështu kam provuar që herët pavarësinë financiare. Gjithashtu kam provuar herët shijen dhe suksesin e investimit të kapitalit në forma të ndryshme. Por të gjitha këto më kanë bërë të krijoj një zhguall mbrojtës, pra që t’i kem paratë gjithmonë në mendje por asnjëherë në zemër. Sot rruga ime ende është sipërmarrja dhe 3 kompanitë e mia janë mjaft inovative por krijojnë mbi të gjitha impakt.

Asetila ju jeni një konsulente, sipermarrëse, menaxhere e eksportit, menaxhere ndërkulturore, folëse në publik shumë gjuhëshe? Mund të na tregoni një historik të shkurtër si nisi gjithçka?

Nëse më duhet të flas për jetën time sot do e ndaja në dy pjesë. Pjesa e parë dhe e dytë. Pjesa e parë është pjesa kur kam qenë në Shqipëri që përmenda dhe me lartë. Dhe pjesa e dytë është ardhja ime këtu në Vjenë. “Unë erdha në Austri si grua e rritur, e edukuar me shumë aftësi dhe mendoja që Austria është shumë e thjeshtë, është qëndra e botës, vend Evropian. Unë isha e zonja kisha mjaft vite eksperiencë pune dhe flisja disa gjuhë por jo gjermanisht. Mendoja se ishte shumë e thjeshtë por në fakt nuk ishte. Ishte shumë e vështirë për të krijuar gjurmën time dhe vendin tim dhe të huaj. Sot po të kthej kokën mbrapa e shoh që nuk paska qenë kaq e vështirë (qesh). Kur erdha në Austri kuptova se të gjitha ato që unë kisha arritur deri në atë moment ishin si të shkruara në breg të detit. Erdhi vala dhe i fshiu. As universiteti, as eksperiencat e punës e as gjuhët nuk merreshin në konsideratë nga punëdhënësit. Kisha dy mundësi të ulesha në breg e të qaja që fajin e kishte vala e detit apo të merrja një telajo të re e ta vizatoja jetën time nga fillimi ashtu siç doja unë. Unë zgjodha të dytën. Mësova gjermanisht, fillova universitetin nga e para, gjeta punë, fillova të interesohesha dhe integrohesha në kulturën austriake, zura miq e shokë e kështu me rradhë. Dhe kështu brenda 7 viteve krijova një telajo të re, mjaft interesante dhe dinamike edhe pse ndonjëherë kisha përshtypjen se në këto 7 vjet po jetoja jetën e tre personave njëkohësisht (qesh). Që prej asaj kohe unë vazhdoj të përmirësohem, të zhvillohem personalisht dhe profesionalisht. Çdo vit mësoj një aftësi të re ose kryej një provim ose certifikim të ri. Kështu sot jam e përfshirë direkt në tre kompani dhe indirekt si angel investor (mbrojtës) në disa.

A do dëshironi që këtë që keni arritur në Vjenë ta sillni dhe në Shqipëri, në vendin tuaj?

Unë të falënderoj, por unë nuk mendoj se kam arritur kush e di se çfarë. Edhe për faktin se për mua suksesi ka një kuptim të veçantë. Suksesi është për mua jo ajo çfarë unë kam arritur vetë por ajo çfarë unë inspiroj te tjerët të bëjnë. Në këtë kuptim atëherë, po. Unë mundohem ta sjell rregullisht këtë në Shqipëri, unë asnjëherë nuk jam shkëputur fare nga Shqipëria. Unë vij për punë të paktën 2- 3 herë në vit. Bëj projekte, trajnime, evente, flas në shoqata për gratë, në universitete, në shkolla dhe ecosysteme sipërmarrje. Dhe më shumë se 80% e këtyre projekteve janë probono. Mundohem ta shpërndaj gjithë këtë që kam mësuar dhe fituar me eksperiencë sepse e shoh veten time si kabull trasmetues dhe ndërlidhës. Pasi mendoj se një nga qëllimet e ekzistencës sonë në tokë është edhe të transmetojmë dijen, njohuritë dhe njohjet (networkun) që kemi tek të tjerët. Unë mundohem ta bëj këtë gjithë kohën me shumë pasion. Dhe sigurisht pa qenë mendjemadhe sepse unë akoma nuk mendoj se kam arritur ndonjë gjë, thjeshtë kam zënë vend, kam krijuar një gjurmë sado të vogël timen në Evropën plakë 500 milionëshe. Prej disa vitesh, të paktën 5 studentë shqiptarë studiojnë çdo vit në Austri prej networkut tim dhe informacionit që unë shpërndajë.

Cila kanë qenë vështirësitë që të kanë bërë të mendosh ok boll tani dhe çfarë të ka shtyrë të mos ndaloje?

Sigurisht që kam hasur dhe has çdo ditë vështirësi si çdo sipërmarrës tjetër për të ngritur tregun, për të krijuar klientelë të re, për të mbajtur klientët e vjetër, për të shtuar shërbimet dhe produktet e veta, për të mbajtur dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve e produkteve ekzistuese, sigurisht sfidën e digjitalizimit, shpërndarjen e klientëve nëpër botë etj nuk mbarojnë këto. Vështirësi këto që has ndoshta çdo sipërmarrës tjetër evropian. Por me thënë të drejtën nuk ekziston për mua boll tani. Ndoshta se e shoh biznesin në mënyrë më politikë por njëkohësisht edhe rationale. Nëse një biznes nuk është porfitabël, rentabel apo marrëdhënia mes partnerëve nuk funksionon ka mjaft instrumente që e zgjidhin këtë situatë. Qëndrimi im është që për çdo problem ka një zgjidhje dhe ndoshta edhe dy. Bizneset shiten, blihen, ristartohen por edhe shkojnë në falimentim. 2/3 e kompanive që kanë ekzistuar në vitet 1970 nuk ekzistojnë më sot dhe 2/3 e modeleve të biznesit që njohim në sot nuk do të ekzistojnë më pas 30-50 vjetësh.

Çfarë më ka shtyrë të mos ndaloja?

Kurioziteti, dëshira për të mësuar më shumë. Por edhe kënaqësia që merr nga njerëzit përreth që rriten profesionalisht bashkë me mua. Ndoshta edhe marrëdhënia ime me fatin. Unë nuk mendoj se ndjehem me fat! Unë kam partnerë biznesi dhe kontraktues që kanë studiuar në shkolla e universitete prestigjioze. Unë kam shkuar në shkollat e Laç me xhama të thyer gjatë dimrit. Dhe në fakultet ekonomik nuk kishim as dritare e as ngrohje dhe drekën e haja në mensën e qytetit studenti. Unë them që në jetë 20% është fati që kemi dhe 90% çfarë ne bëjmë me këtë fat. Dhe sigurisht që 110% është më shumë e më mirë se 100%. Kështu që pyetja është se çfarë do secili prej nesh të bëje me 20% e tij. ???

Cila është pika jote më fortë? Po më e dobët?

Pika ime më e fortë dhe më e dobët janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Pika ime e fortë është që çdo gjë që di dua ta ndaj me të tjerët (Sharing is caring). Këtë e bëj me shumë dëshirë si me studentët e mi në universitet, si me partnerët dhe koleget e mi, si me anëtarët e shoqatës sime dhe të gjithë të tjerët që kanë nevojë. Kjo është pika ime më e fortë të krijoj rrjete dhe t’i lidh njerëzit me njeri-tjetrin. Kurse pika ime e dobët është se s’di të them jo. Vërtetë mund të krijoj shumë networke dhe shumë mundë – si për të tjerët dhe është diçka mjaft e mirë por shpesh dhe harroj se edhe dita ime ka vetëm 24 orë.

Çfarë do t’iu rekomandoje të gjithë grave në biznes apo atyre që duan të bëhen pjesë e biznesit?

Së pari sipërmarrja nuk është për çdo njëri. Jo çdo grua duhet domosdoshmërisht të bëhet sipërmarrëse. Por ato gra që e kanë gjetur thirrjen e tyre dhe janë gati t’i hyjnë ose i kanë hyrë sipërmarrjes duhet ta dinë shprehjen: “të dëshirosh të jesh sipërmarrës duhet të jesh edhe i gatshëm të jesh i varfër” . Por mësimet që përfiton nga sipërmarrja janë të papaguara, nuk merren në asnjë libër e as në ndonjë universitet. Këshilla ime do ishte: mos bëni biznes vetëm, biznesi bëhet më mirë bashkë. Sado të zonjat të jemi nuk i bëjnë dot të gjitha vetëm. Pse duhet t’i bëjmë vetëm së pari? Të besh biznes do të thotë të dish të krijosh një produkt, të dish ta shesësh atë dhe të kujdesesh që të fitosh para e t‘i mbash. Për mendimin tim bashkëpronarët duhet të jenë komplemetare dhe ne në rastin më të mirë njëra është ëndërrimtare/vizionare dhe krijon produkte dhe shërbime, e dyta kujdeset për t‘i shitur këto produkte pra merret me marketingun dhe e treta është ajo që merret me financat. Kjo do ishte këshilla ime e parë. Bëni grupe ose bëni skuadra kom – plementare sepse mëson më shumë kur jeni bashkë, merr vendime me të zgjuara bashkë dhe e ndan riskun bashkë. Kështu ke dhe më shumë kohë për veten dhe familjen tënde dhe si mban të gjitha mbi supe vetëm ti. Dhe këshilla e dytë është të ndihmojmë njëra-tjetrën. Ku dhe kur të mundemi. Le të shohim shembullin e burrave, ata as nuk zihen e as nuk e flasin keq për njeri-tjetrin e as nuk janë xhelozë për sukseset e tjetrit. Madje e përdorin suksesin e tjetrit si shkallë matëse dhe për t‘u ngjitur lartë e më lart. Burrat krijojnë networke, që prej kohëve të lashta, dhe ndihmojnë dhe suportojnë njërit-jetrin. Meqenëse kemi hyrë ne një domain burrash …(qesh)…pra në sipërmarrje le të shohim edhe shembullin e tyre si burrat bëjnë biznes.

Po një këshillë që ja jepni gjithnjë vetës suaj?

Një këshillë që e them me zë të lartë gjithë kohën është që të mos punoj më shumë por me zgjuarsi. Qëllimi im është të kem vetëm 4 ditë punë në javë dhe ditën e 5 të merrem vetëm me veten time, kurse, studime, udhëtime, sport, golf etj.

Flasim për shëndetin, si e keni marrëdhëniet me shëndetin? Cili është mjeku që vizitoni më shpesh?

Marrëdhënien me shëndetin e kam mirë. Shkoj rregullisht çdo vit tek gjinekologu, bëj çdo vitmamografinë për të shmangur kancerin e gjirit. Pastaj vazhdimisht bëj vaksinimet stinorë ose tematike. Ajo që do të ishte e vlefshme për shëndetin e të gjithëve është të punojmë me pak dhe të bëjmë me shumë sport dhe aktivitet fizik. Po fatkeqësisht këtu duhet ta qortoj edhe unë veten time. Unë bej pilates dhe së fundmi kam filluar joga, dhe provoj rregullisht të meditoj….. por suksesi është akoma në hapa të brishtë (qesh).

Një këshillë për të gjithë lexuesit e gazetës Shëndet +.

Jeta jonë është shumë e shkurtër. Edhe nëse jetojmë 80 apo 90 vjeç në këtë botë, prapë është e shkurtër. Unë do t’u këshilloja të gjithëve që të dini ose te gjeni cili është qëllimi ose qëllimet e jetës suaj. Unë kam kuptuar që qëllimi im i jetës nuk është të jem e pasur, apo e bukur, apo e zonja. Dua të jem e dobishme, e mëshirshme, e nderuar, të katalizoj dhe krijoj ndryshim dhe atëherë di se kam jetuar e kam jetuar mirë. Çdo ditë është dikush aty jashtë që pret që ne t‘i krijojmë një impakt sado të vogël në jetën e tyre. Qoftë edhe një fjalë motivuese apo inkurajuese. Dhe suksesi ynë arrin të amplifikohet nëpërmjet suksesit të tyre. Tani kohët e fundit jam fokusuar në një projekt sipërmarrje për gratë emigrante në Evropë. Unë i mbështes këto gra që të bëhen të zonjat e vetës së tyre, të pavarura financiarisht dhe suksesshme profesionalisht. Çdo muaj takoj dhjetëra prej tyre, mësoj historitë e tyre dhe shpesh edhe vuajtjet e tyre. Por mbi të gjitha shoh vendosmërinë për t’ia dalë. Dhe ky është një nga qëllimet e mia të momentit. Sigurisht që e kam lidhur edhe me biznesin dhe më sjell shumë kënaqësi. Madje ne ja kemi dalë të jemi në top listën e bizneseve sociale në Austri. Faleminderit!/ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here