Flet mjekja pneumoalergologe, Luljeta Serbo shefe e shërbimit të Alergo-pneumologjisë në Pediatrinë e QSUT-së duke thëksuar se astma bronkiale po bëhet gjithnjë e më shqetësuese për popullatën
Asthma bronkiale është sëmundja më e shpeshtë kronike e rrugëve të frymëmarrjes te fëmijët. Sipas statistikave të ndryshme, me të janë të prekur rreth 6-10 % e popullatës nën 15 vjeç. Në një intervistë për prof. Dr. Luljeta Serbo, tregon se si shfaqet sëmundja, nga se shkaktohet dhe si mund të prandalohen krizat e asthmës bronkiale te fëmijët:
Doktoreshë, sa e përhapur është asthma te fëmijët?
Asthma bronkiale është një sëmundje inflamatore kronike e bronkeve. Kjo është sëmundja më e shpeshtë kronike e rrugëve të frymëmarrjes te fëmijët. Sipas statistikave të ndryshme, me të janë të prekur rreth 6-10 % e popullatës nën 15 vjeç.
Kur shfaqen shenjat e para te kjo grupmoshë?
Simptomat e para të asthmës në 90 % të rasteve fillojnë para moshës 4-5 vjeç. Ajo mund të nisë që në vitin e parë të jetës, por pjesën më të madhe të tyre, rreth 60% të rasteve, fishkëllimat shfaqen midis moshës 2-5 vjeç. Vetëm në 30 % të rasteve, fishkëllimat fillojnë që gjatë vitit të parë të jetës.
Nga se shkaktohet asthma te fëmijët?
Asthma është një sëmundje,frukuenca dhe graviteti i së cilës janë në rritje dekadat e fundit. Kjo lidhet me një sërë faktorësh si: ndotja e mjedisit të jashtëm, por dhe brenda shtëpisë, modifikimi i mënyrës së jetesës, ushqyerjes, etj. Ndotja e ambientit është përgjegjëse direkte për inflamacionin e mukozës bronikale, por gjithashtu ndikon indirekt duke favorisuar shfaqjen e atopisë( alergjise). Ndikimi negativ i ndotjes së ambientit shpjegon faktin pse mbi 75 % e fëmijëve me astmë takohen në qytet. Studime të ndryshme kanë treguar lidhjen që ekziston mes nivelit të ozonit në atmosferë, përqindjes së bioksidit të squfurit, të uratit dhe numrit të fëmijëve të sëmurë me asthmë. Po ashtu ndikon ndryshimi i mënyrës së jetesës, ku përfshihet si ndryshimet në kushtet brenda shtëpisë: ngrohja me kondicionerë, që shpesh ndikon për keq, prania e tapeteve, perdeve të rënda, etj. Por dhe mënyra e ushqyerjes, duke synuar më tepër ushqimet e gatshme, pikante,m etj. Por një faktor të rëndësishëm luan dhe prania e kafshëve shtëpiake: mace, qen.
Kush preket më shpesh?
Me asthmë sëmuren më shpesh meshkujt sesa femrat, në raportin 3:2, por ata e kalojnë sëmundjen më shpejt se sa femrat dhe në moshën 15-17 vjeçare, incidenca në të dy sekset është e njëjtë.
A është e trashëgueshme?
Faktorët genetikë janë pothuajse të pranishëm. Një fëmijë që ka të afërm, jo vetëm prindër astmatik, është i predispozuar të ketë probleme me astmën. Megjithatë jo gjithmonë faktori genetik është evident. Pasi mund të ndodh që pavarësisht se nuk kanë familjarë, apo të afërm me astmë, disa fëmijë mund të alergjizohen gjatë jetës intrauterine ose pas lindjes dhe të shfaqin probleme asthmatike.
Si shfaqet sëmundja e asthmës në fëmijët?
Forma klasike e sëmundjes së asthmës është kriza e asthmës, që shfaqet zakonisht natën, me një bllokim dhe vështirësi të frymëmarrjes, me fishkëllima që dëgjohen në distancë, me kollë, e cila në fillim është ngacmuese, e thatë e më pas bëhet me sekrecione. Përveç krizës klasike të asthmës sëmundja mund të shfaqet edhe me forma më të lehta dhe që fatkeqësisht shpesh nuk vlerësohen, si kollë e herë pas herëshme, një ngacmim fyti, fërshëllima, sekrecione bronkiale, bllokime të frymëmarrjes gjatë vrapimeve. Shpesh në fëmijët më të vegjël sëmundja shfaqet me bronkopneumoni të shpeshta.
Si mjekohet asthma te fëmijët?
Trajtimi i fëmijs me asthmë përmbledh trajtimin e krizës së asthmës dhe trajtimin profilaktik ose mbajtës të sëmundjes. Duhet patur parasysh se asthma nuk është vetëm kriza,e cila në vetvete është dramatike dhe natyrisht shërben si sinjal alarmi dhe shkohet te mjeku për të marrë trajtimin e duhur. Por asthma bronkiale është një sëmundje inflamatore kronike, dhe si e tillë ka nevojë për trajtim medikamentoz të gjatë, dhe jo vetëm gjatë krizës. Kriza e asthmes mund të themi që përfaqëson vetëm majën e ajsbergut të sëmundjes. Jashtë krizave të asthmës, fëmijët në dukje janë të shëndoshë, por në ta zhvillohet një inflamacion kronik i rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, i cili, nëse neglizhohet dhe nuk trajtohet me mjekim profilaktik, bëhet shkak i dëmtimeve të pemës bronkiale, dëmtime që me kalimin e viteve bëhen të parikthyeshme.
Ju thatë që shpesh nënvlerësohet, në ç’drejtim neglizhohet?
Po. Është e vërtetë që shpesh herë asthma nënvlerësohet, së pari nga familjarët të cilët në gati 30 % të rasteve nuk marrin recetat e rekomanduara nga mjeku. Kjo shpesh bëhet për arsye psikologjike, pasi mjekimet profilaktike te asthmës merren me rrugë inhalatore, zakonisht me pompa, gjë që është e padëshirueshme për shumë prindër, aq më tepër kur fëmija në dukje nuk është i sëmurë. Arsyeja tjetër është fakti që dhe vetë mjekët e nëvlerësojnë asthmën dhe sidomos format joalergjike të saj, format atipike te saj, apo ekuivalencat asthmatike. Nënvlerësimi i mjekimit profilaktik gradualisht ndikon në shfaqjen e dëmtimeve të parikthyeshme të pemës bronkiale, të cilat janë përgjegjëse për zhvillimin në të ardhmen të insufiçencës respiratore. Ne vendin tonë problem është dhe fakti që në shërbimin parësor mungojnë mjekët pediatër specialiste, pneumo-alergologe dhe fëmijët në pjesën më të madhe të rasteve ndiqen nga mjeku pediatër i përgjithshëm ose alergologu i të rriturve.
A mund të shërohet plotësisht?
Në gati 50 % të rasteve asthma te fëmijët mund të kalojë, zakonisht pas moshës së pubertetit. Në këto raste ndikim pozitiv ka trajtimi i rregullt profilaktik i fëmijëve, faktorët e kujdesit.
6-10 % e popullatës nën 15 vjeç janw tw prekur nga astma
75 % e fëmijëve me astmë takohen në qytet
50 % të rasteve asthma te fëmijët mund të kalojë
90 % të rasteve shenjat e astmës fillojnë para moshës 4-5 vjeç
Këshilla
Si mund të parandalohen krizat e asthmës
Krahas mjekimit medikamentoz profilaktik, një rol të rëndësishëm luan edukimi i prindërve dhe fëmijëve, të cilët duhet të
njohin dhe të evitojnë (shmangin) faktorët alergjizantë, në rastin e asthmës alegjike, dhe faktorët jospecifikë të shpërthimit të krizave si (duhani, griprat, pluhurat, etj).
Duhet që fëmija të mos jetojë në ambjente të mbyllura, të shëtisë
shumë dhe të qëndrojë në ambjente të ajrosuara mirë.
Duhet të njihen shenjat paraprake të fillimit të krizës së asthmës dhe të fillohet mjekimi i krizës sa më parë, në mënyrë që të evitohen krizat e rënda. Mbi të gjitha duhet të mësohen të dallojnë mjekimin profilaktik nga mjekimi i krizës, sepse janë të ndryshme. Po ashtu duhet të bëhen kontrolle të vazhdueshme te mjeku specialist dhe të zbatohen këshillat e tij.


